Saturday, 22 August 2026

Andon Mara dhe partiakët vendorë


Pa ma thënë drejtpërdrejt, e kam ditur që babai nuk pëlqente ta mburrnin. Veçanërisht nga ne të familjes. Ndonëse e adhuronim, kemi qënë gjithnjë të kujdeshëm për të përmendur tek të tjerët rreth cilësive dhe njohurive të tij. Mjaft bashkëmoshatarë të sime motre kanë mësuar për Andon Marën nga libri im “Biseda të pakryera me babanë“, madje ja kanë shprehur asaj, që si nuk ju kishte treguar më parë.

Por edhe pse e di që po veproj kundër vullnetit të tij, unë po përmend një gjë kryesore, e cila duket se shtrihet në kohë dhe që është marëdhënia e tij me partiakët vendorë.

E emëruan drejtor të Radio Korçës më 1947, pas një përvoje si gazetar në Tiranë dhe sipas njerëzve që më kanë treguar pas vdekjes së tij, solli menëherë një ndryshim në punën e Radios. Për fat të keq, shumë drejtues të partisë në Korçë kishin koncepte të cekëta për gazetarinë në përgjithësi dhe radion në veçanti. I kërkonin mjaft gjëra absurde, si transmetimi 24 orë ose pasqyrim tç çdo veprimtarie partiake, që i solli përplasje me ta dhe veçanërisht me Peti Shambllin dhe Gaqo Pishën. Kjo i kushtoi dhe përjashtimin nga Partia më 1950 dhe transferimin nga Radioja në Muze, si dhe dërgimin për të bërë shërbimin ushtarak.

E rikthyen më 1961 si redaktor, punë që e kreu deri sa doli në pension në vitin 1982. Nuk di nëse ka qënë gazetari që ka punuar më shumë vite në atë institucion, por di që thuajse për një dhjetvjeçar ishte gazetari i vetëm, që mbante në supet e tij të gjitha emisionet e Radios.

Edhe pse shumë i kujdesshëm (jeta e pat bërë të tillë) përsëri përplasjet me partiakët vendorë vazhduan edhe pse jo më në masën e mëparshme. Pati edhe një ose dy herë “vërejtje me shënim në biografi”. Nuk di se kur doli në pension, a e vlerësuan apo jo, (unë kam qënë me studime në Tiranë) por më ngjan se mbeti gjithnjë “delja e zezë“ e gazetarisë së Korçës. Nuk ishte konformist edhe pse nuk ishte disident.

Dhe vimë në ditët e sotme, kur në një përvjetor të RTSH Korça përmendet edhe vazhdimësia e programeve televizive në atë institucion nga puna e mëparshme e Radio Korçës, të krijuar në kohën e pushtimit italian. Si për të vazhduar të njëjtën “histori ndëshkimi” askush nuk e ze në gojë Andon Marën. Ata që e kanë njohur nga afër mund të thonë me të drejtë: “Andon Mara nuk ka nevojë të përmendet nga këta burrecë. Qëndron shumë më lart se gjyshërit dhe etërit e tyre!”

Edhe unë e kam këtë bindje. Emri i tij nuk do tingëllonte bukur në gojën e partiakëve të korruptuar. Ishte e kundërta e kësaj, që sundon sot dhe që është servilizmi, padija, korrupsioni dhe lufta ndaj të vërtetës.

Ai vërtet i shërbeu me dashje apo pa dashje Diktaturës, sepse do “mbante familjen” me një lloj profesioni dhe gazetaria ishte ajo që kishte dashur gjithnjë të bënte. Por edhe pse në kushte censure dhe shtrëngimi ideologjik, u mundua të ruante dinjitetin dhe të bënte me sa i mundej atë që i vlente vërtet shoqërisë, duke u përqëndruar më vonë kryesisht në emisionet rreth artit dhe sportit.

A ka gazetarë që kanë mësuar prej tij?

Unë këtë nuk e di dhe kam pritur ta dëgjoj prej tyre nëse vërtet ka ndodhur. Por edhe nëse nuk ka pasur të tillë, ka shumë në fushën e artit dhe të kulturës, që ma kanë shprehur.

Më fal baba nëse e teprova duke folur mirë për ty!

No comments:

Post a Comment