Sunday, 2 August 2026

Pse dëshpërimi të shpie në veprime të dëshpëruara?


Më shkoi kalimthi në mendje kjo pyetje dhe nuk pata zellin për të “gërmuar” se ç’kanë shkruar të mënçurit e dy shekujve të fundit rreth saj. E dija që do ishte një “qorollisje” shumëmujore mes shkrimeve të Frojdit, Jungut, Sartrit dhe ndoshta edhe të Niçes, Dostojevskit dhe Kamysë. Mund të ketë edhe tëtjera mendje të ndritura, që besoj se i kanë dhënë një përgjigje të përafërt se për një përgjigje shteruese ma merr mendja se nuk ka se si t’i jepet. Pa mundur të krijosh klasifikime të marëdhënieve të “dëshpërimit” me veprimet që rrjedhin më pas them se është e pamundur. Dhe klasifikimet duhet të jenë shumë të vështira se ka miliona raste tepër të larmishme “të dëshpëruarish”.

Nuk dua të fut në këtë kategori të veprimeve të dëshpëruara “vetvrasjen” se ajo është një gjendje e çastit dhe që lidhet me një problem serioz të shëndetit mendor. Balanca të caktuara kimike prishen dhe shpien dikë në depresion (nuk është e njëjta gjë me dëshpërimin) dhe në një çast fatal prishja e balancës është aq goditëse sa shpëtimi i vetëm gjendet tek likuidimi i vetvetes.

Po marr një rast ekstrem të një veprimi të dëshpëruar, që kalon kufijtë e logjikës më të thjeshtë njerëzore, madje edhe të kafshëve. Dy prindër në moshë të kaluar në Greqi nuk arritën të pranon vdekjen e djalit të tyre të vetëm që vuante nga një sëmundje e rëndë. Nuk e raportuan vdekjen e tij dhe e mbajtën për disa javë në apartamentin ku banonin të tre, me shpresë se një çast do rikthehej në jetë. Eshtë vërtet rast shumë i rrallë, por nuk është i vetmi. Për mendimin tim nuk ka se si klasifikohet as si sëmundje mendore, sepse i kishte kapur të dy njëkohësisht. Dhe sëmundjet mendore nuk janë ngjitëse.

Por nëse ky është një rast tepër ekstrem, janë të shumta të tjera raste ku nuk arrihet të kuptohet se ku nis dëshpërimi, ku vazhdon shpresa që duhet të kishte humbur dhe ka mbetur jo vetëm e gjallë por dhe e fortë dhe ku mbyllet ky proces sa i palogjikshëm aq edhe tortutrues jo vetëm për atë që e kalon, por edhe për të tjerët që mund të jenë pjesë e ngjarjes.

Rastet më të zakonshme janë ato të “humbjeve” në dashuri, kur një nga partnerët është plotësisht i lirë dhe i qetë nga marëdhënia e mbyllur, por tjetri vazhdon të shpresojë në rikthimi dhe të kryejë veprime që jo vetëm dëshmojnë për humbje të respektit për veten (self respect), por e bëjnë edhe qesharak/e faqe ish partnerit ose të njohurve të ngjarjes. Dhe në shumë raste nuk ka të bëjë as “kompleksi i inferioritetit”, as të qënit “irracional” dhe as sindroma të caktuara të njohura tashmë nga psikologjia apo edhe nga psikiatria.

Përse ndodh? A thua është pjesë e një “deformimi” të duhur në mendjen e shumicës së njerëzve dhe që ka të bëjë me ekzistencializmin? ( i duhet hedhur një sy Sartrit ndoshta në vjeshtë).

Më vejn në mendje dhe një rast tjetër , të cilin kur e kam dëdgjuar më është dukur tejet tragjik. Një punonjës i një zyre kuadri në kohën e Diktaturës kishte një bashkëshorte shumë të bukur. Dy ose tre “degistë“, që dëshëronin ta shtinin në dorë gruan e tij i zhdukën nga zyra një dokument shumë të rëndësishëm , për të cilin jo vetëm e përjashtuan nga Partia, por e futën edhe në burg. Pas 6-7 vitesh, kur doli nga burgu dhe e shoqja e kishte ndarë dhe duket kishte nisur jetë tjetër, i bindur që dokumentin nuk e kishet humbur, por diku duhet të gjendej, për të rikthyer jetën e parë, filloi të kërkonte kudo dhe veçanërisht në fushat ku depozitoheshin plehrat. Disa vjet me rradhë.

Ndoshta nuk ishte veprim aq alogjik sa i prindërve grekë të djalit të vdekur, por ishte shumë larg normalitetit e megjithatë ai nuk kishte as nevojë të kurohej dhe vazhdonte jetën normalisht. Shkonte tetë orë në punë dhe të gjithë kohën e lirë ja kushtonte kërkimit të atij dokumenti, që do i sillte gruan, do e shfajësonte në sytë e njerëzve dhe mund ta rikthente në Parti.

Eshtë vallë marrëëzi që njerëzit kërkojnë të rikthehen në kohët e bukura të tyre?

Ndoshta Sartri do më ndihmojë në vjeshtë dhe unë besoj se do i rikthehem kësaj pyetjeje edhe pse mund të duket si përpjekeje e “dëshpëruar” për të zgjidhur një enigmë të pazgjidhshme.

No comments:

Post a Comment