Nuk di pse sa herë përmendet Viena, më vijnë ndërmend vargjet “Në Belvedere në Vienë,/Sikur pashë Skënderbenë!” Tani nuk kujtoj as se cili patriot i kishte bërë këto vargje, pasi kishte parë në Muzeun e Belvederes, përkrenaren dhe shpatën e Gjergj Kastriotit. Sigurisht që pat ndodhur pasi ishte krijuar Miti i Skënderbeut nga Rilindasit, si domosdoshmëri pët të zgjuar ndjenjën kombëtare dhe për të patur mundësi “të bëhej Shqipëri”.
Edhe pardje, në një lokal në Amerikë, me pronarin shqiptar hyra në diskutimin pa krye rreth Skënderbeut, shqiptarëve dhe faktit që ne jemi” më të vjetrit në Europë“. Nuk di se sa avantazh na krijon ndaj të tjerëve, që kanë ardhur pas nesh në Europë, por fakti, që “në Belvedere në Vienë“ tani nuk kemi as shpatën dhe as përkrenaren e Skënderbeut diçka tregon rreth nesh. (Për hir të së vërtetës, objektet që na kanë bërë aq krenarë ne shqiptarëve ndodhen në një Muze tjetër të Vienës, por kjo nuk ka të bëjë shumë me thelbin e këtij shënimi.)
“Të ardhurit e vonuar” (me trenat e dytë, të tretë dhe të katërt) në Europë na lanë pas shumë shpejt, se ndërtuan disa qytetërime, objektet e të cilëve mbushin jo vetëm Belvederen, por dhe gjithë muzetë më të rëndësishëm të Europës dhe të botës. Nuk po ja u përmend emrat “popujve barbarë“, që jo vetëm erdhën më vonë se ne, por na vodhën edhe kulturën, artin dhe filozofinë dhe i ngritën si vepra të tyre, në territore të tjera. Madje nga inati i atyre “vjedhjeve të përbindëshme” ne vendosëm edhe të mos e shkruanim gjuhën tonë. Disa murgj, që nuk kishin me se merreshin në Mesjetën e vonë u përpoqën, por dhe ata e panë, që ne ishim një popull i vendosur, krenar dhe kokëmushkë, që nuk donim t’ja dinim se fqinjët tanë kishin alfabetet e tyre, shkruanin në pergamene dhe në letër, madje dhe përkthyen Biblën në gjuhët përkatëse. Ne u kujtuam kur i Sëmuri i Bosforit, u duk se nuk kishte shërim dhe tani, edhe pse kemi më të vjetrën gjuhë kemi atë më të rishmen të shkruar.
Por që na kanë vjedhur të huajt kjo është e provuar, se dhe dy gjërat më të rëndësishme të Kombit, që janë Përkrenarja me kokë dhie dhe Shpatën që bëri kërdinë në otomanët, na i kanë vjedhur austro-hungarezët dhe e ekspozojnë në Muzetë e tyre.
Më mirë të kishim qënë një popull hajdut!
Se tani do i kishim ne Muzeumet plot me objekte të rrëmbyera nga të tjerët.
E megjithatë rrjedhën e historisë nuk e ndërrojmë dot edhe pse si e ka thënë dikur Merhumi “ne e kemi çarë rrugën e historisë me Atë në dorë!” Dhe me Atë e kishte fjalën për Shpatën, por jo të Skënderbeut, se atë na e kishin vjedhur.
Ja dhe tani, që e kemi vënë si në vijë, në vendet e para jemi vetëm për trafikun e “Miellit”. Me “miellin e duarve tona” kemi bërë goxha para dhe kemi ndërtuar bina të larta në Tiranë dhe vendpushime luksoze në Jug, por sërish nuk na vlerësojnë sa duhet, madje na vonojnë hyrjen në Europë, neve, që e kemi shpikur Europën. Se ne ishim të parët!
Ky Skënderbeu i ri (sipas Spiropalkës) dhe Ismail Qemali i Ri (sipas berberit të Ramës) po bën ç’është e mundur, por sa na afron për të na futur, dalin do “korba dhe sorra” dhe e pengojnë. Tamam si Hamza Kastrioti dhe Ballaban Pasha në kohën e Gjergj Kastriotit. Po ata e gjetën vendin dhe shumë shpejt do e gjenë edhe këta trashëgimtarët e tyre, se ne “trenin e Europës” do e hipim ose më 2030, ose më 2035, ose shumë shumë më 2040. Atë vit Rama do jetë 76 vjet, Di Lana 70 dhe Zeqineja në kulmin e mesogruarisë së saj.
Me siguri që do marrim edhe përkrenaren dhe shpatën.
(Me këtë të fundit nuk dimë se çdo bëjë Rama se përkrenarja është dy tre numura më e madhe.)
No comments:
Post a Comment