Sa nuk i dua sendet!
Edhe pse nuk mund të jetohet pa to.
Do doja vendeve të endem,
Me një të vogël bohçe,
Një këmishë, që edhe gjunjët më mbulon
Të ngjashme me një kimono.
Sepse në folenë timë
Nuk kam flakur dot asgjë që ke lënë;
Pasqyrën që poret zmadhon,
Vargjet e Lasgushit,
Të bardhën “robë dë shambrë“,
Kotjen në netët pa hënë.
Nuk mundem që sendet t’i hedh
Për të mbrojtur veten nga kujtimet.
Eshtë marri?
Fetishizëm?
Të qënit një qënie pa nerv?
Apo shpresa se do vijnë sërish agimet.
Rrekem t’i fus në vende ku mos i shoh,
Ashtu të paktën jo çdo çast do vuaj,
Ndryshe do më duhet që rrugën të marr,
Supit hedhur një të vogël bohçe
Dhe të endem në çdo vend të huaj.
No comments:
Post a Comment