Saturday, 15 August 2026

Fshehja pas Flamurit


Kam shumë vite, që flas për kotësinë e flamujve dhe për një dasinë që krijojnë mes njerëzve, Ka shumë, që simbolin në beze e shohin si shprehje të identitetit, por mua dhe kjo puna e identitetit më duket një gjë aspak e natyrshme. Dhe kur nuk është e natyrshme , nuk është as e logjikshme.

13 vjet më parë pata shkruar një shënim për Flamurin dhe e kisha postuar në FB. Pati reagime të ndryshme, por solli edhe një ndryshim rrënjësor në jetën time. Por nuk ja atribuoj Flamurit, as simboleve dhe as identiteteve. Njerëzit nuk janë krijuar për të qënë të ndarë dhe për më tepër për tu mburrur se unë kam një identitet të caktuar, që është ku e ku më i mirë se i joti.

Atë vit (2013) shtysë për shkrimin u bë një foto e një burri të vogël të mbështjellë me flamur. E kam njohur pak, por mund të them pa frikë se ishte shëmbëll i dikujt që kishte përfituar shumë nga Diktatura dhe si shpërblim kishte bërë mjaft të këqija në shërbim të saj. Unë refuzoj ta kem atë njeri si bashkëatdhetar, bashkëqytetar apo edhe komshi. Por e kam pasur dhe këtë nuk e refuzoj dot, por refuzoj të mbështillem me flamur si ai.

Tani më shqetësojnë flamujt e shumtë në protestat në Tiranë dhe thirrjet histerike “Shqipëria e shqipëtarëve” apo “Shqipërimë nuk e shesim” e të tjera të ngjashme. Më duket sikur protestuesit(apo pjesa e tyre që tund flamurët ose mbështillet me to) i tremben akuzave se mund të jenë shërbëtorë të të huajve, apo se protestojnë për qëllime politike. Nuk ka asnjë arsye të kërkohet dorëheqja e Kryeministrit dhe futja në burg e tij dhe Berishës për korrupsion nën shënjën e Flamurit apo duke kënduar Hymnin Kombëtar.

Shqiptarët protestojnë për keqqeverisje dhe kjo nuk ka të bëjë me identitetin kombëtar.

Madje unë do e quaja të nevojshme, që ndoshta edhe të kërkohej një periudhë, që të qeveriseshim nga teknicienë të huaj për të theksuar idenë se një pjesë e madhe e shoqërisë është e korruptuar. Kështu që Flamuri nuk duhej fare në këtë lloj ideje protestuese.

E them këtë sepse shoh që ideve të “shitjes së vendit’ apo “sjelljes së të huajve” i mëshojnë edhe shumë shqiptarë të njohur për korrupsion. Për shembull kirurgu i njohur Edvin Prifti, në proces gjyqësor për korrupsion dhe i njohur në Tiranë për marrje rryshfeti për operacione, “të vret për Shqipërinë“ në FB. Dhe po njëlloj shumë e shumë hajdutë të tjerë.

E kam përsëritur dhjetra herë - Hajduti nuk mund të jetë patriot!

Për tu rikthyer tek të rinjtë protestues, që nuk kanë pasur mundësi të korruptohen ose nuk janë të korruptueshëm dhe valëvitin flamujt.

I këshilloj t’i mbajnë për raste të tjera, festash kombëtare, veprimtarish sportive dhe ndonjë festivali muzikor ndërkombëtar, se për të rrëzuar Ramën me kompani nuk duhen flamujt. Duhet solidaritet, përkushtim dhe shembull vetiak dhe familjar, që nuk kanë asgjë të përbashkët me korruosionin.

Se Flamurin e ka tundur Rama, e ka tundur Berisha, e ka tundur Ilir Meta, e ka tundur Erion Veliaj me Bela Ballukun dhe shumë e shumë hajna të tjerë.

Eshtpë përdhosur jo pak deri më sot.

Lereni në një qoshe zyre apo mbajeni dhe në ballkonin e shtëpisë, por mos u rreni ta përdorni për të rrëzuar të korruptuarit.

No comments:

Post a Comment