Flamuri është i shënjtë. Për mua jo, por për patriotët. Më kujtohet, që dhe një shok i dikurshëm, kur kisha shkruar 13 vite më parë një lloj “esse” për flamurin më shkruajti – Po me flamurin ç’pate?! Ndoshta i dukej se unë isha shumë i inatosur dhe i vetmuar dhe pasi kisha sulmuar shumë njerëz po i “lëshohesha” dhe Flamurit.
Unë dyshoj edhe në ata që e kanë emrin Flamur, edhe pse nuk është faji i tyre, por në “rrënjë“ kanë një baba ose një gjysh, që mendon se Flamur është një emër, i cili të ngre vlerat. Dyshimi i im është që janë të mangët. Nuk është e zakonshme për shtetet e tjera të venë emër ‘flag”, “bandiera”, ‘drapeaux” apo ku di unë se sa variante dhe se sa gjuhë ka në botë. (Tani po kujtoj se nuk kam njohur ndonjë burrë me mend që quhet Flamur, por edhe shumë shumë syresh nuk kam takuar.)
Patriotët u revoltuan edhe këtë rradhë. Madje më shumë se 13 vite më parë. Ndoshta me kalimin e viteve patriotizmi rritet dhe patriotët shtohen. “në grykë“ m’u hodh një ish-sekretar rini i shkollës, një zonjë tepër e djathtë dhe një jurist, që donte të më “godiste” juridikisht. Pati edhe pasues të tyre, që “lajkuan” komentet kundër meje.
Unë nuk e kam për turp të them se jam “thuajse kozmopolit”. Jo si Xhejms Xhojs apo Xhon Lenon, por mendoj se kufijtë janë një shpikje jo aq e mirë e njerëzve. E megjithatë unë nuk dua të fyej “patriotët” në përgjërimin e tyre për Atdheun dhe Flamurin. Ata kanë gjithë të drejtën të “flamurosin” veshjet e tyre, si dhe shtëpitë dhe mua kjo nuk më shqetëson aspak. Mjaft të mos ma tundin shumë para hundës. Se për fat të mirë apo të keq, flamuri jonë ka edhe një kontrast të madh ngjyre dhe nuk është qetësues. (Edhe ky nuk është argument i fortë, se jeshil është flamuri i Arabisë Saudite, por ka edhe një shpatë.)
Më luftarakët në kundërshtimin e shkrimit tim “anti-flamurak’ ishin këta tre njerëz me të cilët njihem shumë pak ose aspak. Juristi besoj se jo më shumë se 50 vjeç më tërhiqte vëmendjen për përdorimin e një fotoje të një “nacionalisteje” të re në moshë me flamur; ish sekretari i rinisë i shkollës sime. që rastësisht kishte qënë edhe nip i shokut Rita Marko “Me këtë shkrim e ke dhi fare!”; zonja që anon nga e djathta më tha që nuk kisha kuptuar thelbin e protestës Flamingo dhe që nuk kisha haberin se ç’lloj manipulimesh ishin bërë kundër mjekut Edvin Prifti, të cilin e përmendja jo për mirë në shkrim.
Duke pasur kokëfortësinë tipike shqiptare (edhe pse pa identitet) unë mbrojta shkrimin tim gati me të njëjtën monedhë si më ishin drejtuar “patriotët”. Juristi pas disa replikash u tërhoq, zonja nuk e vazhdoi shumë debatin, ndërsa ndaj komsomolasit të shokut Rita u morr masa që të bllokohej. Nuk kisha as kohë as nerva të merresha me të,
Por nuk më shqetësojnë këta “patriotë“ in extremis. Problemi qëndron në faktin se gjatë Diktaturës, edhe pse predikohej internacionalizmi, meqënëse Hoxha u prish me të gjithë, arma e fundit për të gënjyer njerëzit ishte nacionalizmi socialist. Nuk ishte i ngjashëm me nazizmin, që ishte gjithashtu socializëm-nacionalist (fashizëm tipik), por shërbeu për një “shpëlarje truri” të plotë. Pas 1990, “punistëve nacionalistë“ ju shtuan edhe ata që ishin përndjekur dhe që deklaronin se ata ishin patriotët e vërtetë dhe jo komunistët.
Ndaj të vije në dyshim ndjenjën e dashurisë apo të talleshe me Flamurin dhe me ata që i quajmë Heronj Kombëtarë u bë një “tabu”. Diçka bënë për të lehtësuar turmat nga pesha e “miteve” Kasëm Trebeshina dhe Fatos Lubonja, por ishin zëra të pakët në përpjekjen për të qytetëruar masat e shqiptarëve.Zërat që vinin në dyshim ose bënin humor me Skënderbeun, Nënë Terezën, Ismail Qemalin apo Ismail Kadarenë “mbyteshin” menjëherë nga kori i fuqishëm i “patriotëve”.
Mendoj se konceptimi i Atdheut nga ne është një përzjerje e folklorizmit me frikën se mund të dukesh “tradhëtar”. Unë e gjej të habitshme se si dikush që shkon në gjyq me motrën dhe vëllanë për një pronë dhe i mallkon nga mëngjesi në darkë, po ti zesh në gojë Atdheun të thotë se “përgjërohet” për të?! Po të njëjtën gjë e thotë dikush që ka persekutuar të tjerët, ose një tjetër që vjedh vazhdimisht nga taksapaguesit.
Ndoshta në këtë thjeshtëzim të konceptimit të atdheut ka luajtur edhe Cajupi me vargjet “Mëmëdhe quhet toka,/Ku më ka rënë koka./Ku kam dashur mën’ e atë./Ku më njeh dhe dru i thatë.”
Mbase kjo i bën të gjithë, që të kenë frikë të shohin më tej se “vendi ku ju ka rënë koka”, me frikën se mos ju thonë se “nuk duan mëm’ dhe atë“.
Mua më ka trembur gjithnjë ai “druri i thatë, që më njeh” dhe edhe pse nuk hëngra ndonjë shkop thane të thatë në ndonjë birucë gjatë Diktaturës, them se Atdheu i im është ky planet i magjishëm që quhet Tokë.
No comments:
Post a Comment