E pata njoftuar javën e kaluar se “Unë dhe korbi” nga poemë e shkruar këtë vit, u kthye në një përmbledhje poetike. Pardje doli nga shtypi dhe besoj se javën tjetër do jetë për shitje në të vetmen librari, që pranon libra të mij. Eshtë një shitore e vogël libri në Korçë, pas Bibliotekës së Re. Ndokush që ende pëlqen të lexojë poezi mund ta gjejë atje. Po ve më poshtë atë që kam përfshirë në libër si parathënie.
Dy fjalë në vend të parathënies
Idea për të bërë këtë përmbledhje, më lindi pasi
përfundova këtë pranverë poemën “Unë dhe Korbi”. Nuk
mendoja se do botoja shumë shpejt një libër të ri me poezi, pas
botimit në vitin 2023 të përmbledhjes “Flokët e Frejas”.
Kisha provuar ta shpërndaja në disa librari të qytetit tim të
lindjes, Korçës, dhe veç një i njohur pranoi të mbante disa
kopje. Të tjerët më thanë se “poezia nuk shkon” dhe kuptova
që publiku shqiptar ishte krejt i çinteresuar për vargje. Nuk
është një dukuri e re as në Perëndim, por jo në të njëjtat
përmasa.
Gjithsesi unë vazhdova të shkruaja vargje se ndoshta e kam më të thjeshtë se sa të shkruaj në prozë. Ndoshta dhe arkitektura e vërtetë është më pranë poezisë se sa prozës. Por këto janë hamendësime të paprovuara dhe nuk po zgjatem me to.
Gjatë përgatitjes së përmbledhjes prania e babait tim të larguar nga jeta shumë vjet më parë ishte shumë e pranishm. Më dukej se më sugjeronte se ç’farë të lija jashtë dhe ç’farë të renditja në pjesë të caktuara të librit. Edhe pse ishte lëvrues i prozës së shkurtër, ai kishte një njohje shumë të mirë të poezisë dhe pat shkruar edhe vjersha, si dhe librete opere dhe operete. Gjithashtu kishte shije shumë të mira për poezinë e vërtetë, gjë që mund të ketë ndikuar edhe tek unë.
Kjo ishte arsyeja që librin ja kam kushtuar kujtimit të tij duke menduar njëkohësisht, që përmbledhja të kishte një gamë më të gjërë poezish, se sa vëllimi im i fundit, që ishte thuajse i gjithi me lirika. Duke qënë erudit, Andon Mara parapëlqente që krijuesit mos ishin të përqëndruar në një zhanër të vetëm, apo të mbeteshin “besnikë“ të një stili. Ndaj dhe unë futa edhe “eksperimentime” në Tingëllima dhe Rubaira, si dhe mjaft poezi me metrikë të rregullt. Megjithatë pjesa më e madhe janë poezi me varg të lirë, me një lloj strukturimi, të cilin pa modesti do e quaja “ritmi Mara” sepse është një ritëm që më vjen natyrshëm dhe nuk besoj se haset në të tjerë autorë shqiptarë dhe të huaj.
Jam munduar të bëj një lloj “homazhi” për disa nga poetët e mij të preferuar, si në rastin e formulimit të poemës “Unë dhe Korbi” për të mirënjohurin Edgar Alan Poe, si dhe në grupimin “Nota nga “Mëhallat e Botës” për nobelistin grek Janis Ricos. Edhe pse një poet thuajse “aksidentar”(unë i qëndroj idesë të shprehur në përmbledhjen time të parë me poezi “Endem”, se më duket sikur shkruaj ato që pat grisur ati im) unë vazhdoj të shkruaj poezi, disa prej të cilave më duken vërtet të mira, edhe tani, që kam kaluar 65 vjetët, kur për thuajse 35 vjet nuk kisha shkruar asnjë varg. Nuk kam për ta marrë vesh kurrë se si ka ndodhur.
Nuk po zgjatem dhe po ju ftoj të lexoni me shpresën se do pëlqeni disa nga krijimet e mija të përfshira këtu. Më të shumtat i përkasin viteve 2023-2026.
Autori.

No comments:
Post a Comment