Kam pasur dikur një mike, që kishte një sjellje liberale ndaj marëdhënieve jashtë martesore. Kur flitej për mungesë fshehtësie të dikujt, që kishte marëdhënie të tilla, Nela thoshte: “Po mos rrëfeve zere se nuk ke bërë!”
Tek meshkujt kjo ishte e pranishme edhe në kohën e Diktaturës, sepse është në natyrën mendjelehtë të meshkujve “macho” të tregojnë bëma të tilla edhe pse të martuar. Femrat kishin më tepër vetpërmbajtje sepse mundoheshin të mos “gojoseshin’ a për më tepër të rrezikonin martesën e tyre. Por edhe plot syresh rrëfenin, se donin të ndjeheshin krenare që kishin fjetur me “filanin” apo me ndonjë aktor filmi, që ishte një “specie” e lakmuar e asja kohe. Nuk di se ç’ndodh sot në Atdhe dhe gjithashtu nuk është kjo tema e këtij shënimi.
Dua të shkruaj sërish për Filantropen e Shquar Foti Kokeri, sepse më bëjnë shumë përshtypje postimet e përditshme, që ajo bën në rrjetet sociale.
Për ata, që nuk e njohin dhe nuk kanë lexuar shkrime të mëparshme të mijat, Fotinia është një zonjë modeste e lindur dhe e rritur në Tiranë, që pasi emigroi në SHBA “nuk zbuloi Jezusin”, por zbuloi një zonjë të pasur hebre me mbiemër Kosloski. E mrekulluar nga cilësitë njerëzore dhe veçanërisht nga buzëqeshja e Fotinisë, të cilën tashmë në Amerikë e thërrisnin Foti, zonja Kosloski i la të administronte pas vdekjes së saj dy fondacione bamirëse të familjes. Fotinia e mbajti amanetin dhe e zbatoi me përpikmëri duke ndihur kryesisht shqiptarët në të dy anët e oqeanit.
Kuptohet që duke qënë edhe vetë shqiptare, Foti u kujdes edhe për Fotininë dhe fëmijët e saj, (nuk di se sa ndih ish bashkëshortin, por kjo nuk ka shumë rëndësi.) dhe kujdesohet vërtet mirë.
Foti është në kulmin e lumturisë së saj. E dashuruar, e adhuruar nga përfitonjësit, e vlerësuar në Amerikë dhe Shqipëri, ajo mundohet të shijojë çdo sekondë të jetës. E shikon nga Islanda në Spanjë dhe nga Kukësi në Florida, gjithnjë të buzëqeshur duke ndihmuar dhe duke dëfryer. E deklaron dhe vetë, që jeta është e shkurtër (dhe paratë e fondacioneve jo pa limit.) Dhe Foti i ndan me ne, vdekëtarët e thjeshtë, videot e saj në ujëvara, fusha golfi, darka të shtrenjta, gala glamoroze, plazhe të virgjër, për të na thënë se sa e bukur është jeta. Veçanërisht kur bën Bamirësi.
Po pse nuk është më e kujdesshme Foti në demonstrimin e pasurisë së vënë me shumë mund?
Dhe këtu ka vend përgjigja e zgjuar e Nelas:
Po nuk e rrëfeve, zere se nuk e ke bërë!
No comments:
Post a Comment