Thursday, 13 August 2026

Ndarja e re administrative me pyetjet dhe kundërshtimet


Po e pranoj që në fillim, që nuk hja kam idenë se përse bëhen ndryshimet në ndarjen administrative të Shqipërisë. Madje nuk ja kam idenë se ç’janë Bashkitë, Prefekturat, Këshillat e Qarkut dhe Komunat(nëse ka ende të tilla.) Nuk i kam ditur as kur jetoja në Shqipëri dhe nuk e kam vrarë kurrë mendjen të mësoj rreth tyre.

Shumë vite më parë u bë një ndarje e re territoriale e Shqipërisë, për të cilën pat punuar një miku im i menëur, deputeti i asaj kohe Namik Kopliku, por dhe atë kohë nuk pata kureshjte të pyesja se pse Rubiku është apo nuk është Bashki dhe pse Vithkuqi duhet të administrohej nga Bashkia e Korçës. Më ishte dukur e panevojshme, që qyteteve t’ju viheshin në administrim edhe fshatra, por nuk kisha asnjë argument në favor të idesë sime të “panevojshmërisë“.

Tani shoh që shumë Bashki (që ndoshta nuk duhet të kishin qënë të tilla) po protestojnë se do “gllabërohen” nga më të mëdhatë. Përsëri nuk kuptoj edhe pse “do gëlltiten”, por edh pse “protestojnë“. Unë kam bindjen që pushteti vendor në Shqipëri ka shumë pak fuqi, sepse gjithshka është e përqëndruar në Tiranë.

Por “padija” mua më skualifikon nga e drejta për të dhënë ndonjë mendim, e megjithatë edhe “injorantët” mund të mendojnë. Le të mendojmë për një çast se Bashkia e Korçës do kujdeset për mirëmbajtjen e një rruge në Moglicë dhe për pastrimin e fshatit Brozdovec. Eshtë mirë apo është keq?

Unë mendoj se për jetën e bashkësisë, sado të vogël, duhet të përgjigjet dhe të vendosë vetë bashkësia dhe kjo, që nga kë do zgjedhë si “udhëheqës” dhe se kë do ngarkojë për “lopçar”. A duhet të ketë zyra publike në çdo vendbanim? Edhe për këtë mendoj se duhet të vendosin vetë banorët, por tek ne gjithshka vazhdon të imponohet nga Tirana, sikundër është bërë në kohën e Diktaturës.

Po pse protestojnë banorët e bashkive që do shkrihen?

Disa thonë në televizione se nuk mund të mbarojnë hallet e tyre administrative duke shkuar në “kasabanë e madhe”. Po cilat halle i zgjidh një njeriu të zakonshëm shqiptar Bashkia? Ka vite që flitet, që më të shumtat probleme administrative, aplikimesh, kërkesash për çertifikata tani bëhen në e-Albania. Duhet sërish të trokasësh në zyrat e shumta të një Bashkie, të themi të Roskovecit?

Kur isha në mars në Korçë, pashë një grup të rinjsh, të veshur mirë dhe jo të vrarë nga dielli, që bënin diçka në lulishtja “Mio”. Kishin nga një jelek që shkruante (mos gaboj) NSHP. Për të mos vrarë shumë mendjen( mu duk si ato inicialet e ndërmarjeve shtetërore të kohës së Dullës) i pyeta dhe më thanë që ishin të Ndërmarjes së Shpërblimeve Publike. E pashë që nuk e “vrisnin koskën” dhe mendova se këta fryjnë organikat për vota. Më vonë mësova, se ndërmarja e drejtuar nga një Dinellari, ka më shumë se 1000 punonjës. Nuk di a është e vetmja ndërmarje e Bashkisë, por u bëra kureshtar të mësoja se sa e fryrë është organika ne qytetin ku jetoj

Sherbrooke ka 176 mijë banorë dhe rreth 3500 punonjës që paguhen nga taksapaguesit. K atë ardhura vjetore rreth 560 milion dollarë (kanadezë). E di që edhe këtej administratat janë “të fryra”, por njëkohësisht bëhen shumë shërbime për qytetarët dhe rrallë shoh punonjës të Bashkisë që vërtiten kot. Në Korçë të dilnin në çdo hap edhe disa burra, që rrinin në kafene dhe nxitonin të të afroheshin kur parkoje diku që duhet të pagueje. Më vinte për të qeshur që njerëzit paguheshin për një punë kot.

Nuk di se sa punonjës ka në varësi Raqka i Melkës, por besoj se në raport me popullsinë duhet të jenë shumë më shumë se këta të vendit ku jetoj.

Mos ndoshta për këtë protestojnë në Cërrik, Poliçan dhe në Memaliaj? Mos reduktohen vendet e punës “në shtet” dhe ju shkojnë njerëzve të tjerë , që nuk janë të qytezës së tyre?

Shqiptarët rrojnë në një shtet, që nuk i ngjan një shteti perëndimor.

Nga çdo pikëpamje, që lidhet me raportin që duhet të ketë banori me shtetin, i cili duhet të jetë në shërbim të tij, sepse për këtë është krijuar.

Por shtet mund të bëjnë vetëm burrat e shtetit. (Në kuptim të gjërë që përfshin edhe gratë).

Ne na mungojnë të tillët.

No comments:

Post a Comment