Unë nuk besoj në identitetet. Qofshin këto kombëtare, krahinore, qytetare apo fshatare. Mund të ketë disa cilësi të përbashkëta, që ka raste që zhvillohen në bashkësi të vogla, por nëse rrezja zmadhohet dhe bashkë me të edhe popullsia, edhe këto të ashtuquajtura cilësi të përbashkëta humbasin dhe bëhen më fluide.
Madje karakterizimin e njerëzve sipas një krahine apo një fshati unë e quaj të nxituar dhe si rrjedhojë edhe të gabuar. Nuk më ka pëlqyer as bejteja e famshme e Nolit, që përcaktonte cilësitë e krahinave të ndryshme të banuara nga shqiptarët.
Por le të hidhemi në dardharët, sepse sot hasa në FB në një postim të një grupi dardharësh dhe ishte përmendur dikush si “nuse nga Dardha”.
A ka një identitet dardhar ose disa cilësi të përbashkëta, të cilat i dallojnë nga të tjerët?
Hezitoj të them se ka, pasi kam njohur shumë dardharë gjatë jetës sime dhe janë shumë të ndryshëm. Përgjithësisht i bashkon dashuria për Dardhën, por është e njëjtë me dashurinë e emigrantëve. Dardharët janë shpërndarë në botë dhe ata që janë në Shqipëri, më të shumtët jetojnë në Tiranë.
Kur ishim shumë të vegjël, kisha një shok që nuk e hiqte Dardhën nga goja dhe e përshkruante me shumë ngjyra të bukura, sa unë kisha ndërtuar në kokë një fshat përrallor. Nuk m’u duk i tillë kur kam shkuar për herë të parë dhe duhet të kem qënë 13-14 vjeç , por nuk ja thashë shokut të fëmijërisë. Më dukej se do e lëndonja.
Gjithashtu nuk kam besuar në përcaktimin me humor, që Spiridon Iloja ju kishte bërë një herë duke ju drejtuar një grupi dardharësh:
Dardharë, dardharë,
Kini jetuar me ëndrra,
Kini gjezdisur në vëndra,
Me pordhë dhe fëndra.
Spiridoni ishte një nga njerëzit më të mënçur, që ka pasur Korça, por është e kuptueshme, që kjo ishte një bejte ngacmuese ndoshta në Panda, lokal pranë të cilit jetonte Iloja.
Po dardharët vërtet kishin “gjezdisur”, sepse duke jetuar në një fshat malor e kishin parë të domosdoshëm emigrimin dhe më të shumtët e tyre kishin shkuar në Amerikë. Në Dardhë thuajse çdo gjë e bënin gratë dhe pak burra, të cilët kishin ndenjur në fshat. Më pas, fëmijët e emigrantëve shkuan nëpër shkolla dhe universitete dhe pjesa më emadhe e tyre ndenjën në Tiranë, ose njëri pas tjetrit u sistemuan në kryeqytetet. Një nga më të shquarit, Teodor Laçoja, ishte nga të fundit që u zhvendos në Tiranë, ndoshta më 1971. Të tjerët shumë të njohur si Gaqo Cako, Koço Comi, Endri Keko, Maks Velo dhe shumë emra, që tani nuk më vijnë në mendje, kishin që në fundin e viteve ‘50 që punonin në kryeqytet.
Kam njohur një dardhar shumë të zgjuar në Tiranë, që mund ta merrje lehtësisht për gjirokastrit, se nuk e kishte natyrën e vrullshme dhe ekstroverte të shumë dardharëve që kisha njohur më parë. Quhej Niko Llaci dhe kontrollonte të gjithë bazën materiale të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Një nga personazhet më interesante, që kam njohur gjatë jetës.
E përmenda Nikon për të thënë, që stereotipi nuk është i mirë në asnjë rast. Si ai mund të përmend edhe shumë e shumë të tjerë, të cilët janë aq të ndryshëm nga njëri tjetri sa nuk e beson se janë nga i njëjti fshat apo dhe nga i njëjti fis.
Por stereotipi ekziston në mendjen e njerëzve dhe kësaj nuk i shpëtonte as Spiridon Iloja dhe as korçari tjetër shumë i mënçur, Piro Kasati. Kur punonim 42 vite më parë për një dhomë muze të sportit dhe duheshin materiale që ilustronin traditën sportive në krahinën e Korçës, një mësues dardhar paraqiti një citat: “Në fund të shekullit të XIX, në rrëzë të Moravës është bërë një garë hipizmi”. Kasati që ishte i ngarkuar me Muzeun më tha mënjanë: “Po dardhari pehlivan ku e gjeti këtë lajm. Mu në rrëzë të Moravës. As më lart dhe as më poshtë! Atje është gurishte e gjallë, që s’ka kuaj që mund të vrapojnë pa i lënë thundrat!”
Piro Kasati nuk ishte nga Dardha.
No comments:
Post a Comment