I gjeta pranë njëri tjetrit në varrezat e Shën Triadhës të parët e mij dhe disa prej Dallamangove. Lidhja e tyre pat qënë Stambolli, por më vonë edhe ishin lidhur me një martesë. Në varrin e Marave është gjyshi im Naum Andon Mara, nëna ime (gjyshja) Vasiliqi Naum Mara, vëllai i gjyshes Marko Naum Leço dhe xhaxhai im Anesti Naum Mara. Në varrin ngjitur janë Viktori Dallamango, vajza e saj Vasilika Gjikë Dallamango, djali Nesti Gjikë Dallamango dhe gruaja e tij Ollgë Dallamango.
Të gjithë karaktere të spikatur, por sipas të vjetërve, mbi të tjerët ishin Naum Mara dhe Vasilika Dallamango.
Vasilika ka qënë një nga gratë më të bukura dhe më fisnike, që kam njohur. Me një shtat të bukur dhe ecje të drejtë, koka e saj me tipare të bukura, mbyllej hijshëm me një ngritje të flokëve të verdha, që ishte mënyrë e krehjes së grave në vitet ‘30-40 dhe më vonë. Kishte qënë gruaja e dytë e kryeministrit Koço Kota, i cili sigurisht që e kishte marrë për hiret e saj dhe për karakterin. Dukej me të vërtetë një grua kryeministri edhe në kohën kur e kam parë unë në vitet ‘60. E tërhequr, por krenare, e mënçur, por e kujdesshme, e virtytshme edhe në kushtet më të vështira.
Nuk ishin mjaftuar që e kishin internuar pasi kishin arrestuar Koço Kotën. Pasi ishte kthyer nga internimi dhe pat jetuar ndoshta një dekadë me familjen e saj në Korçë e internuan përsëri. Nuk është aspak çudi, që dikush me pozitë në organet e Sigurimit të kishte ndikuar në internimin e saj, pasi ajo kishte refuzuar të binte pre e një manjaku sigurims, i cili shfrytëzonte postin.
Dallamangot dhe Marat ishin oparakë, që kishin zbritur në Voskopojë në mesin e shekullit të XIX. Të parët kishin emigruar në Stamboll dhe pasi kishin punuar, kishin blerë edhe sallahanat (therrtoret) e Stambollit. Kishin marrë në punë shumë e shumë oparakë dhe mes tyre edhe burrat e Marave. Babanë dhe xhaxhallarët e gjyshit tim. Më pas, im gjysh rrinte me familjen në një nga apartamentet e banesës me 4 kate pronë e Dallamangove në Tophane, ku rrinin dhe Gjika me Viktorinë dhe fëmijët e tyre. Atje ishin lidhur edhe me një miqësi më të fortë, sa unë i vogël e dija se i kishim kushërinj. Por Vasilika dhe Nesti ishin rritur me babanë dhe xhaxhanë tim dhe ajo lidhje e fëmijërisë dhe rinisë kishte qënë shumë e fortë. E quanin veten stambollinj. Më vonë, kur të gjithë ishin kthyer në Korçë e kishin mbajtur po aq të fortë miqësinë. Lefterinë, mbesën e tyre, e mblesëruan me xhaxhanë tim Nestin.
Nuk di se si ka qëlluar që varret t’i kenë ngjitur. Ndoshta kur u transferuan varret nga Shën Mëria në Shën Triadhë, dikush u kujdes që t’i merrnin ngjitur. Gjyshërit e mij kishin vdekur para mbarimit të luftës. Të gjithë Dallamangot kanë vdekur pas ndryshimit të vendit të varrezave. Nuk besoj se ka qënë rastësi kjo ndodhje.
Për ata që besojnë në jetën e përtejshme, ka një domethënie kjo afëri. Por dhe për mua që nuk besoj, më vjen mirë kur i shikoj pranë. Ndoshta kanë marrë me vete edhe një pjesë të Stambollit të tyre.
Të mirët dhe të drejtët Dallamangot dhe Marat.

No comments:
Post a Comment