Thursday, 20 August 2026

Ik ore legen!


Ik ore legen” i thashë dikujt në mediat sociale, por ma ktheu: “Legen, legen, po kam tre apartamente në Tiranë, një vilë në Korçë dhe një restorant në Gjiri i Lalëzit!”

Mbeta me gojë të mbyllur se edhe po t’i thoja : “Të kam dh...mu në apartamentet, vilën dhe restorantin!” gjeografikisht ishte e pamundur. Ndaj u tërhoqa dhe i shkrojta: “Respekte!” dhe ai plot mirësjellje më shkrojti “Faleminderit!”

E dija që kishte punuar gjithnjë në administratën shtetëtërore dhe kisha dëgjuar që kishte bërë plot dumbarallëqe, por nuk kishte kuptim të bëja atë pyetjen idiote: “Ku i gjete ti paratë për të gjitha këto, se më 1991 jetoje në një apartament një dhomë e një kuzhinë?” E dija që mund të më theshte se kur merrte lejën e zakonshme shkonte të punonte në Greqi, se i kishte ardhur një trashëgimi nga i vëllai i gjyshit në Amerikë, i cili nuk kishte fëmijë, ose mund të më theshte edhe që i kishte rënë llotaria e blerë rastësisht kur ishte në një udhëtim në Zvicër. Nuk ishte as i pari dhe as i fundit që kishte punuar pushimeve në Greqi, që kishte përfituar një trashëgimi papritur ose që kishte zënë skedinën.

Më pas nisa të mendoja se sa e mirë është bashkëekzistenca paqësore me legenat dhe të korruptuarit. Mjafton të kesh respekt të ndërsjelltë. Ai mos të të bëjë fare për budalla, por të thotë: “Të kam zili për ndershmërinë deri në dhimbje!” dhe ti t’i thuash: “Ore vërtet vjedh nga këto taksat që paguaj unë, por për një gjë të mirë i shpenzon. Investon dhe as i luan kumar, as i pi dhe as i shpenzon me prostituta!” Dhe në fund të dy përqafohemi dhe i themi njëri tjetrit “Respekte!” Se nuk ka asnjë kuptim të rrish e të shash lart e poshtë se “Filani është i korruptuar dhe fistëku është hajdut!” Bota e tillë është ndërtuar që në kohën e Adamit dhe Evës. Gjarpëri të korrupton lehtësisht.

Ju lexues, që ende kini durim të lexoni nga këto bro]kullat e mija, mund të pyesni: “Po si do bëhet për ata të mjerë, që nuk ja dalin dot me pension, ose që nuk punojnë dot se janë invalidë, ose që janë të sëmurë rëndë, ose një nënë me katër fëmijë që i ka lënë babai në mes të katër rrugëve?

Për ata kujdeset Foti Kokeri dhe gjithë Filantropët e tjerë të Shquar!

No comments:

Post a Comment