Pata ndjekur me shumë interes organizimin e të parit Festival MIK në Korçë, se ishte një ngjarje artistike ndërkombëtare, por dhe e muzikës klasike. Korça ka patur traditë 100 vjeçare për këtë lloj muzike, veçanërisht në fillim me këngëtarët lirikë korçarë Kristaq Antoniu dhe Tefta Tashko, që kishin përfunduar studimet në konservatore të huaja. Garanci për cilësinë e festivalit ishte pjesëmarrja e Inva Mulës, sopranos së njohur. Ndoshta kishte qënë idea e saj sëbashku me bashkiakët e kohës, të cilët i kishin vënë në atë kohë në dispozicion sopranos edhe një lokal në Pazarin e posarestauruar, për të ushtruar biznesin e saj të gatimeve bio.
Nuk kisha vënë në dyshim integritetin profesional të Invas edhe pse “MIK” ishte gatuar me Peleshin, i cili nuk njihej për punë shumë të pastra që ato kohë. Gjithsesi për Korçën ishte një gjë e mirë. Do bënte të njohur muzikën klasike dhe operistike tek të rinjtë korçarë, do ngjallte interesin e turistëve dhe do sillte artistë të njohur të huaj, që do njiheshin me qytetin tonë kulturëdashës.
Por vite pas vitesh, u kuptua se nuk ishte kaq një MIK Festival se sa një Inva Festival. Sopranoja merrte një dorë të mirë fondesh nga Bashkia , të cilat pastaj i përdorte ashtu si e gjente të udhës. U duk qartë që interesimi i saj nuk ishte thjesht Arti, por kryesisht fondet që fuste në xhepin e saj. “Po normal”- do nguten të përgjigjen lexuesit e mij në atdhe dhe do shtojnë :“Në korrik kështu bëjnë edhe gjithë këngëtarët që shkojnë në dasma. Inva nuk mund të këndojë në dasma, kështu që është fati jonë që e dëgjojmë në Korçë.”
Por nuk është kaq e thjeshtë.
Ngjarja e burgosjes së Erion Veliajt nxorri në dritë shumë artistë të njohur shqiptarë “të korruptuar”. Ndoshta ata nuk kanë shkelur asnjë ligj, por moralisht janë tërësisht të korruptuar dhe këtë e provuan kur shkuan ta mbështesin Veliajn para SPAK-ut. Inva nuk e ka bërë këtë, por në dy tre fushata elektorale ka dalë hapur me video duke bërë thirrje votuesve korçarë të votojnë për Peleshin. Nuk është thjesht “konflikt interesi” por është korrupsion. Eshtë ajo që quhet quid pro quo. Më jep para se do të ndih në fushatë. Më pas Peleshi e shpërbleu edhe me shpalljen e Mulës “Qytetare Nderi të Korçës”. Bëra një shkrim me tone të buta në atë kohë, linkun e të cilit po e bashkëngjit. Ende nuk kishte ndodhur “skandali i Veliajt” i Gjebreve dhe artistëve të tjerë.
Kuendemi: “Quid pro quo”-të Peleshi-Inva Mula
Duket që tashmë, Inva po e sheh se është më mirë të mos ftojë më muzikantë të huaj, por të fusë në xhep “pjesën e luaneshës” me “performanca” të artistëve vendas dhe asnjë nga “të kulturuarit e Bashkisë“ nuk mund ta kundërshtojë. Se ç’lidhje kanë këngët e rrugëve të qytetit tim (që edhe Inva i quan serenata) me muzikën klasike unë e kam të vështirë ta kuptoj. Ndoshta për të justifikuar sjelljen e këngëtarëve shqiptaro-amerikanë (si ndërkombëtarë) për të shpërblyer me “qokë“ ndonjë pagesë të madhe që ka marrë në shfaqjet në Amerikë.
Këtë vit ka afruar edhe Pandi Laçon, një tjetër artist elastik ndaj pushtetarëve, për të bërë edhe një shfaqje kushtuar Viktor Gjikës dhe Teodor Laços. Dhe në Music International of Korça spektatorët do dëgjojnë të flasin njerka e Pandit dhe Afërdita Tringofski!
Ndoshta Inva nuk duhet të kishte braktisur lokalin e saj ushqimor në Pazar, se do kishte një xhirro gjithëvjetore dhe nuk do detyrohej të tregonte “tahma” për fondet e MIK.
Eshtë për të ardhur keq se sa lehtë “korruptohen” artistët tanë më të mirë. Vërtet edhe i ndjeri Pavaroti, dikur nuk kishte paguar tamam taksat, por i pagoi për të qënë në rregull dhe nuk zgjodhi të këndonte për Silvio Berluskonin.
Ndoshta edhe sopranoja Mula duhet të përmbahet disi për të mos u “njollosur” ndonjë ditë dosjeve të prokurorisë.

No comments:
Post a Comment