Nuk jemi vetëm ne shqiptarët që gjatë ceremonive më të rëndësishme në jetën e një njeriu hedhim sende. Më tipikja për të gjitha krahinat shqiptare është hedhja e orizit mbi të posamartuarit, zakonisht kur dhëndëri shkon në shtëpinë e nuses bashkë me krushqit për ta marrë në shtëpinë e tij. Thuhet që orizi hidhet si shenjë e mirë për shtimin e familjes së re me shumë fëmijë. E kanë edhe shumë popuj të tjerë. Në Francë e kanë traditë hedhin grurë mbi të posamartuarit, që është e njëjta gjë,
Mua gjithnjë më është dukur një zakon i kotë, si shumë pjesë simbolike të një ceremonie të madhe dhe publike. Por zakonet janë zakone dhe kur nuk të prishin punë, nuk ka pse të mos bëhen. Shtojnë një preokupim më shumë për gratë organizatore të ceremonive, por nga ana financiare nuk ngrenë peshë se me dy kile oriz apo grurë ju bën një “dush” të mirë të dy të rinjve që kanë vendosur të krijojnë “vatrën e re të sherrit”. Nuk di se ç’përmban protokolli i dasmave, kur të dy “të çiftosurit” janë mbi 60 vjet, por populli duhet t’ja u ketë gjetur edhe këtyre.
Popuj të tjerë i kanë më të kushtueshme këto “hedhjet e gjërave”. Në Marok ju hedhin rrushka dhe fiq të thatë, me të njëjtin qëllim, që të lidhen sa më shpejt frytet e bashkimit të një mashkulli me një femër. Në Itali duket se nuk e kanë pasur asnjëherë problem fertilitetin, se ata hedhin karamele, për të qënë një martesë sa më e ëmbël. Me me kosto ka qënë një zakon në kohën e Tudorëve në Angli, që çiftit i hidheshin këpucë, por nuk vazhdoi më shumë se 50 vjet, pasi pati edhe të plagosur nga të rinjtë që martoheshin.
Po pse e kemi kaq të domosdoshme të hedhim sende, qoftë edhe të vogla?
Duket që nuk na mjaftojnë urimet dhe meloditë festive, por na duhen edhe sende për të dhënë një kuptim më të plotë se përse bëhet kjo ceremoni. A thua se nuk e di njeri që ceremonia bëhet që dy të rinjtë të fekondohen dhe të jetë i mundur vazhdimi jetës.
Por hedhjet e gjërave, ne njerëzit që i dashurojmë sendet, i përdorim edhe gjatë funeraleve. Më e përhapur në botën e sotme është hedhja e luleve mbi arkmortin apo edhe mbi trupin e njeriut të vdekur. Por në Indi, ku gjithë gjërat janë më “me pakicë“ edhe për shkak të popullsisë së madhe, është zakon që mbi trupin, edhe gjatë “paradës mortore” të hidhet ujë nga të lumit Gang.
Por më e pazakonta, më ra në sy dje, kur tregohej një ceremoni mortore që i bëhej Ajatollahut të Iranit të vrarë nga bombardimi amerikano-izraelit i fundit të shkurtit të këtij viti. Mbi arkmort hidheshin pareshtur shalla mëndafshi nga gratë e pranishme. Disa të ngarkuar me punë ja u hidhnin prapë të zonjave, se “tabuti” mund të mbulohej i gjithë nga shallat e iranianeve të dëshpëruara dhe të kthehej në një pirg i madh me lecka, edhe pse prej mëndafshi. Nuk arrita të kuptoj se pse duhet që të hidhen veshjet e dikujt ndaj një njeriu që po shkon në banesën e fundit, apo qoftë edhe të dikujt që është ende gjallë për të dhënë një shënjë simbolike dashurie, pikëllimi apo devotshmërie.
Por ja që kështu jemi krijuar.
Të tilla rite, madje të panjohura më parë, u krijuan edhe në koncertet e yjeve të pop-it apo të rokut. Një natë, në një koncert të Tom Xhonsit, një e apasionuar pas tij, ndoshta dhe e dehur, hoqi mbathjet dhe ja hodhi këngëtarit të famshëm në skenë. Prej asaj nate u bë rit, që femrat e eksituara nga zëri dhe pamja e këngëtarit nga Uellsi, të hiqnin të brendshmet e tyre dhe t’i flaknin në skenë. Jo rrallë, këngëtari i përdorte për të fshirë djersën, si një shënjë e vlerësimit të brekëve prej pambuku, mëndafshi apo materiali sintetik.
Që mos e “bëj tërkuzë“, ne, të parët mes kafsheve që nisëm të prodhojmë sende, i vlerësojmë ato aq shumë, sa i përdorim në ngjarjet kulmore familiare. Në politikë, bën vaki hedhje sendesh të tjera, që përgjithësisht janë vezë dhe domate, por përdorimi i tyre më shumë se simbolik, është njollosës. Dhe politika nuk ka për të qënë e përjetshme, sikundër do jenë martesat dhe funeralet.
Bashkë me to dhe orizi, lulet, hoshafet, karamelet, uji dhe shallat e mëndafshta.
No comments:
Post a Comment