Mungesa në FB ndoshta më ka shpëtuar nga plot përplasje të panevojshme me Bashkinë e Korçës dhe veçanërisht me Ligavecin Gollash. Vetëm në një javë kam parë me keqardhje se sa “të mefshtë“ janë drejtuesit e administratës së Korçës. Do kisha shpërthyer disa herë në atë të shumëpërdorurën “O Tempora o Mores!” që do bënte të dukesha si dikush që “do të shesë bojë!”
Por ky poster i paraqitur në foto, që dikush ma dha, mendoj se i kalon të gjitha treguesit e “axhamillëkut” të korçarëve që kanë marrë përsipër të administrojnë “qytetin dhe fshatrat përreth”.
Vjet, për Festën e Birrës, Ligaveci Gollash ka nxjerrë këtë poster të përgatitur nga Bashkia për këtë “event” (sa ju pëlqen kjo fjalë e huaj që s’jep asnjë kuptim më shumë se “ngjarje”) të lavdishëm, një miniaturë e organizuar pa shije e të shumënjohurit “Oktobër Fest” gjerman.
Marrëzia, paturpësia, mungesa e shijeve dhe e ideve, përmblidhen në këtë poster. Eshtë një mendësi jo e shpikur në Korçë, por në Tiranë nga Rama dhe e pasuar nga Veliaj që duan të duken “cool”. Artisti i dështuar i ka bërë prej kohësh dhe me përmasa të mëdha, që nga një instalacion i hershëm, kur nuk ishte në politikë, me një bunker me rroba të vjetra, që sipas tij përfaqësonte Shqipërinë. Më pas ka vazhduar me plot të tjera dhe deri në entusiazmin e treguar për një “bejte erotike” të titulluar “Vrima”.
Veliaj, që kishte më pak fantazi, mundohej të ndiqte shijet e Shefit dhe paraqiti Skënderbeun me biçikletë për të reklamuar përdorimin sa më të shumtë të biçokletave në Tiranë. Ndoshta dhe shumë të tjerë.
Por dyshja Di Lana-Gollash që drejtojnë prej 2007 Korçën kanë shumë pak formim kulturor si dhe mungesë të madhe idesh. Nuk di se deri ku ka arritur naiviteti i tyre në thuajse 20 vjet, po ky poster është më se i mjaftueshëm për ilustrim të majmunllëkut të tyre injorant. Ndoshta si e propaganduan dikush ju tha hiqeni dhe mbase nuk e përdorën, por thjesht pranimi i krijimit nga ndonjë “axhami” që nuk ka asnjë talent veç “idiotësisë“ në fazat më adoleshente të saj, është mjaft t’i quash “idiotë“ dhe madje “të padomishëm”.
Di Lana dhe Gollashi edhe pse të rritur në Korçë nuk kanë idenë se ç’është ai që e quanim “Ushtari i Panjohur”. Që ishte dhe toponimi i sheshit qëndror të Korçës, sepse tanimë i është imponuar kisha Ringjallja. Nuk thotë më njeri takohemi tek “Ushtari i Panjohur” apo thjesht tek “Ushtari”, por takohemi tek Katedralja.
“Luftëtari Kombëtar”, është mishërimi i idesë që Pavarësia Shqipërisë i erdhi nga Korça më shumë se nga Ismail Qemali dhe Isa Boletini e ndoshta nga të gjithë të tjerët sëbashku. Këtë ide duhet ta ngulë në mendje çdo korçar. Shpjegimi ka nevojë për një shkrim shumë të gjatë. Por dyshes injorante nuk mund t’ja shpjegojë Kotherja, që di se histori është të gjesh foto dhe dokumenta të vjetra.
Nëse do e dinin këtë edhe do e ndjenin më shumë që është i “paprekshëm”.
Kultura moderne ka më se një shekull që përdor grafika kontroverse edhe për simbolet. Por dhe ata nuk e teprojnë. Veçanërisht kur bëhet fjalë për postera zyrtarë. Dhe nuk është njëlloj si t’i vesh mustaqe Mona Lizës dhe të paraqesësh Luftëtarin e Rilindjes, që përfaqëson “komitët e vrarë për Shqipërinç” me një krikël birre në dorë. Eshtë si t’i derdhësh nga një krikël mbi kokë çdo korçari të gjallë e të vdekur, që ka nderuar Ushtarin dhe e ka pjesë të shpirtit të tij. Që është krenar se gjyshi i tij ka hequr nga florinjtë që mbante për n”një ditë të zezë“ e t’i dhuronte që të realizohej Monumenti. Nga paratë e mbledhura nga korçarët është paguar edhe një pjesë e shpenimeve për shtatoren që është mbi varrin e Ismail Qemalit në Vlorë.
Por duket që “axhamillëku” (nuk mund ta quaj as amatorizëm se sikur i ve një shkallë më lart) nuk ka kufij. Një Kryetar Bashkie që propagandon si “fantastike” dhe “magjike” shfaqje të rëndomta për nga niveli artistik, të cilat ofrohen “free” se nuk mund të shesin dot bileta, mund të thotë gjëra me mend se nuk di. Nuk mund të jetë magjike një shfaqje ku këndon Llaqi i gjorë, që nuk ka mundur dot të shkëlqejë në rininë e tij. Dhe jo thjesht për shkak të sistemit, por për talentin e kufizuar.
Gjithsesi, “axhamillëku” dhe “marrëzia” nuk kanë kufij. Të shoqëruara edhe me një padije të theksuar, një ditë mund të arrijnë deri aty, sa për të promovuar nuk di po mbase “event për të ndihmuar të rinjtë që të parandalojnë sëmundjet seksualisht të transmetueshme” të paraqesin në poster, Ushtarin e Panjohur që ngre fustanellën dhe ve një mbrojtës diku mes këmbëve.
Perëndia na shpëtoftë!
No comments:
Post a Comment