Miqësia e Edi Ramës me presidentin sërb ka qënë gjithnjë diçka e pazakontë dhe jo e nevojshme në marëdhëniet midis Shqipërisë dhe Sërbisë. Edhe pse ka patur preçedentë në historinë e 120 viteve të fundit, që janë dhe vitet e formimit dhe ekzistencës së shtetit shqiptar. Marëdhënie shumë të mira kishte Esad Toptani me sërbët, Ahmet Zogu me Nikolla Pashiç dhe Enver Hoxha me Titon. I pari u cilësua si tradhëtar dhe u vra në atentatin e njohur, i dyti pasi u ndihmua për tu rikthyer në pushtet nga sërbët nisi gradualisht të largohej prej tyre, ndërsa i treti kur pa se pushteti personal i garantohej më mirë nga Stalini, i ktheu shpinën kreut të Jugosllavisë.
Esadi kishte motiv të vetëm paratë, Zogolli garantimin e pushtetit të tij personal dhe po njëlloj edhe Hoxha.
Miqësia e Ramës me Vuçiç është ende herët të karakterizohet se ku e ka motivin. Tek ngjashmëria si autokratë? Në dëshirën e Ramës që të duket para Europës jo si “skifter”, por si “pëllumb”? Në shpresa për të mbajtur edhe një marëdhënie të mirë me Putin, sido që të rrjedhin ngjarjet botërore?
Cilido që të jetë motivi, ose edhe nëse është një kombinim motivesh, në planin kombëtar, sjellja e tij gjatë gjithë dhjetvjeçarit me Vuçiç, ka qënë e dëmshme për Shqipërinë dhe veçanërisht për Kosovën. Të gjithë krahët e politikës në Kosovë, kanë qënë vazhdimisht të pezmatuar, por për të mos goditur kreun e shtetit-amë janë kursyer në demaskimin e tij. Përtej Open Balkan, “tradhëtimi “ i kosovarëve ishte në qasjen e Ramës për “statusin e komunave sërbe” dhe mjaft rrjeshtime anti-shqiptare gjatë viteve si kryeministër. Ende ministrat e tij të jashtëm (përjashto disi Ditmir Bushatin) nuk kanë dëshmuar për publikun sjelljet e tij jo normale me Sërbinë dhe motivet nëse i dinë.
Mbajtja e një kanali të hapur personal komunikimi, mund të duket si një qëndrim europian rreth marëdhënieve mes krerëve të shteteve tradicionalish armiq, por kur ti je “i ngrohtë“ me Vuçiç dhe “i ftohtë“ me Albin Kurtin , atëhere nuk bëhet më falë për qëndrimtë qytetëruar paqedashës. Edhe nëse nuk je tradhëtar, ti je dikush që nuk dikush që nuk të bëhet vonë as për Shqipërinë dhe as për Kosovën.
E megjithëse unë jam i sigurt që në krye të herës, që Ramës nuk i bëhet vonë për asgjë, përveç mirëqënies së tij personale dhe mbetjes në qëndër të vëmendjes për sa është gjallë, ende nuk kuptoj se pse nuk arrin të bëjë as më të thjeshtën, të reagojë fort ndaj deklaratës “shqiptaro shfarosëse” të ministres sërbe gjatë kësaj jave. Eshtë gjëja më e thjeshtë në marëdhëniet midis shteteve. Do e kishte bërë edhe Esad Pashë Toptani, nëse do ishte sot kryeministër i Shqipërisë.
Duket që ka diçka më të thellë, se një miqësi dhe respekt reciprok, apo një “kauze të përbashkët autokratësh”. Më ngjan me sjelljen e Trump ndaj Putin. “The Donald” ka mbi dhjetë vjet që “reziston” dhe nuk bën asnjë deklaratë që të shajë Carin e ri të Kremlinit. Shumë analistë supozojnë se Kremlini ka një dosje të fortë me të cilën mund t’i bëjë shantazh Presidentit amerikan.
A ka edhe Vuçiç materiale tepër kompromentuese me të cilat është në gjendje ta shantazhojë Edin tonë?
Asgjë nuk duket të jetë përmendur nga mediat jo vetëm të dy shteteve shqiptare, por as të atyre sërbe. Ndoshta është vetëm një supozim i imi, por nuk mund të them me siguri se është “fantazi”. Krerët tanë të korruptuar nuk e kanë për gjë të bëjnë edhe bisedime sekret, madje edhe transaksione me udhëheqësit e Ballkanit, që kanë qëndrime jo miqësore ndaj Shqipërisë. Rasti i vrasjes së Remzi Hoxhës nga ShIK-u sepse kishte qënë në dijeni të një marëveshje të Sali Berishës me Kiro Gligorov të Maqedonisë nuk është shumë i largët.
Rama nuk ka dënuar genocidin e Izraelit në Gaza për të patur marëdhënie të mira me trump, por pse nuk dënon dëshirën për genocid ndaj shqiptarëve të ministres së Vuçiç është krejt e pakuptueshme dhe e dënueshme.
Unë nuk jam për damkosjen si tradhëtar dhe as për ndonjë ide idiote për të vepruar ala Avni Rustem. E mendoj të tepruar edhe atë atentat, por ato ishin kohë të tjera dhe atentate politike kishte gjithandej.
Por duhet hapur, të gjithë shqiptarët, politikanë ose jo t’i “shkulin dhëmbët” kryeminstrit si dhe presidentit tonë që qëndrojnë të heshtur ndaj këtij akti provokues. Vuçiç mund të ketë të njëjtën dëshirë si ministrja e tij, por nuk e thotë me zë të lartë. Ka dhënë prova për këtë bashkë me shumë poltikanë sërbë.
Ndaj heshtja rreth qeverisë së tij është jo vetëm antikombëtare, por sjellje prej vasali.
A është Rama një vasal i Vuçiç?
No comments:
Post a Comment