Se në ç’kohë të çmendur po jetojmë, mund ta përmbledhësh vetëm në një gjest të “nikoqirit” të takimit të udhëheqësve të vendeve anëtare të NATO-s, Taip Rexhep Erdogan. Një kobure dhe një kuti me plumba të vërtetë, prodhime të Turqisë.
Nuk ka patur asnjë refuzim nga krerët e shteteve pjesëmarrës, veç kryeministrit Starmer, që e ka lënë në ambasadën e Britanisë së Madhe në Ankara, sepse ligjet e vendit të tij nuk e lejojnë importimin e armëve të huaja për individët. As ai nuk i tha mikpritësit: “Merre këtë kobure dhe fute aty ku nuk futet, se mua nuk më duhet!”
Ndoshta edhe në takime të tjera të ngjashme mund të ketë ndodhur që presidentëve dhe kryeministrave t’ju jenë dhënë “armë trofe” apo edhe “armë gjahu”, por një dhuratë e tillë me kobure të vërtetë dhe plumba të vërtetë është tej çmendurisë simbolike. Ngjet me dhuratat e skalpeve, që fiset lëkurëkuq të Amerikës së Veriut i bënin njëri tjetrit në rast të ndonjë marëveshjeje mes tyre.
NATO edhe pse një aleancë ushtarake është krijuar si një organizatë mbrojtëse dhe ka hyrë vetëm një herë në agresione – në rastin e sulmit mbi Afganistan, e justifikuar me parimin e mbrojtjes së SHBA, e cila ishte sulmuar më 11 shtator 2001 nga Bin Laden, që ndodhej atë kohë në territorin e Afganistanit. Amerika ka bërë vetë shumë agresione dhe disa herë edhe e ndihmuar nga një ose disa shtete anëtare të NATO-s, por vetëm një herë është aplikuar nyja 5 e Marëveshjes “një për të gjithë dhe të gjithë për një“.
Tani, në këtë kohë të ngarkuar me luftra absurde dhe në zonat më delikate të Globit, kur flitet vetëm e vetëm për armatosje deri në dhëmbë, Taipi i Turqisë ju jep të gjithëve nga një kobure. Jo që të hedhin “trutë në erë“ (disa syresh e meritojnë largimin nga kjo jetë për hir të Njerëzimit), por që të kenë bindjen se vetëm i armatosur mund të jesh i mbrojtur dhe njëkohësisht mund të kërcënosh të tjerët.
(Nuk di nëse Ramës tonë, me që kishte mbathur atlete i dhanë kobure plastike nga ato me ujë, por “kllouni” jonë nuk duket shumë i apasionuar pas armëve. Ndoshta ka frikë se i pëlcet në dorë aksidentalisht.)
Përtej shakave të sforcuara, ky takim i shumëpritur, dëshmoi se vite pasigurie kemi përpara. Trump do vazhdojë herë herë të sulmojë Iranin, Turqia do shtojë prodhimin e dronëve dhe armëve të tjera dhe të gjithë do blejnë gjithnjë e më shumë nëndetëse, raketa të llojeve të ndryshme dhe do intesifikojnë përpjekjet për luftra hibride. Sigurisht që gishtin do e drejtojnë tek Kina dhe Rusia, si dhe ndonjë armik tjetër imagjinar. Shumë nga vendet e vogla i kanë armiqtë në kufijtë e tyre dhe nuk e kanë të vështirë t’ju shesin popujve të tyre nevojën për rritjen e shpenzimeve për armatim.
Nuk di nëse koburet që dhuroi “sulltani” i ri i Turqisë kanë apo jo thep. Ndoshta modernet kanë tjetër sistem për saktësimin e qitjes. Thepi do kishte qënë i domosdoshëm, nëse kujtojmë një anekdotë të një trimi të “çartun” në Perëndimin e Largët, të cilit një kaubojs plak i thoshte: “Rrafsho thepin!”
Ndoshta do jem gjallë deri atë ditë, kur shumë nga këta “ronxhobonxho” të NATO-s të vuajnë kur thepi t’ja u dërmojë zorrën e trashë, prej popujve të vendeve të tyre, që do i shkulin me votë nga fronat.

No comments:
Post a Comment