Friday, 3 July 2026

Për ata shqiptarë që prisnin shumë nga Amerika e Trump


Nuk e kam fjalën për shqiptaro-amerikanët që votuan për Trump. Motivet e tyre kanë qënë të ndryshme nga ato, që nxitën ekzaltimin nga ardhja e “The Donald” për të dytën herë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Ata u ngutën të theshin se tashmë do i ndryshohej fytyra Shqipërisë, se do merrte fund prania e Sorrosit në Shqipëri dhe se Rama nuk do e kishte të gjatë. Madje edhe arrestimin e Veliajt, një muaj pasi Presidenti Amerikan kishte bërë betimin e lidhën pikërisht me trysninë mbi SPAK të bërë nga Shtëpia e Bardhë.

Entusiazmi i “trumpistëve” shqiptarë arriti kulmin kur u arrestua brenda disa orëve pas mesnatës Maduro i Venezuelës, nën akuzën për trafikim kokaine dhe të gjithë kujtuan se po njëlloj do arrestohej Rama dhe do dërgohej për tu gjykuar diku në Nju Xhersi. U krijuan edhe foto dhe meme të ngjashme në Internet.

Por retorika e administratës së re amerikane për goditjen e trafikut të drogës dhe të pastrimit të parave nga Shqipëria sepse rrezikoheshin interesat amerikane ishte një retorikë boshe. Rama po shihej nga familja Trump si një partner i “besueshëm dhe fleksibël” që në vitet kur me ndërmjetësimin e Riçërd Grenell, çifti Kushner kishte pasur negociata konkrete për të bërë investime me rëndësi në bregdetin shqiptar dhe qeveria shqiptare do ofronte “bujarisht” toka dhe investime publike për të ndihmuar investimin. Gjithkush e dinte që në fillim përse e bënte Rama atë “sakrificë personale”.

Por nuk e dinin ata që me mendjelehtësi shihnin tek Trump “luftëtarin e drejtë kundër Sorrosit dhe të majtave europiane”. Trump nuk është as luftëtar i drejtë dhe as kundër Sorrosit. Eshtë një gjysëm e vërtetë që ai është kundër “së Majtës Europiane”, sepse në fakt ai është kundër të gjithë europianëve të moderuar dhe paqedashës.

Pasi kaloi viti i parë i Presidencës dhe të gjithë shqiptarët po shihnin se sa ngadalë po ecte procesi i emërimit të ambasadorit amerikan në Tiranë. U kuptua që administrata e re nuk kishte ndonjë interes të madh për Shqipërinë dhe aq më pak të rrëzonte Ramën.

Dhe ja ku u shfaq hapur ç’interesimi i amerikanëve për Shqipërinë, qeverinë e saj dhe proceset demokratike në vend. Ka 32 ditë protestash në Tiranë dhe Ambasada e Rrugës së Elbasanit nuk ka reaguar as edhe me një fjalë të vetme. U kujtua vetëm në ditën e 33-të me një paralajmërim standard për “kujdesin që duhet të tregonin shtetasit amerikanë për të ndenjur larg nga protestat se edhe pse në dukje paqësore, mund të ktheheshin në të dhunshme”. Ky ishte thelbi. Asnjë fjalë për kauzën e protestave, apo edhe “sa për të larë gojën” se “është në të drejtën e njerëzve të protestojnë në paqe”. Asgjë si sugjerim ndaj qeverisë që të sillej e matur apo e ashpër. A thua se bëhet fjalë për një grup njerëzish që kanë dalë me pankarta në ndonjë trotuar të Tiranës, sikundër ndodh çdo ditë qyteteve të SHBA.

Dhe kjo është politika e Departamentit të Shtetit të drejtuar nga Marko Rubio, për të cilin nuk kanë lënë fjalë nga më lavdërueset prej “kameleonëve” të tipit Agim Nesho.

Trump dëshmoi edhe një herë atë që e kanë vënë në dukje herët analistë të mënçur dhe të paanshëm amerikanë.

Atij nuk i bëhet vonë për demokracinë asëkërkund, por sheh me simpati vetëm Autokratët.

Në rastin e Ramës, simpatia e tij është e varur drejtpërdrejt nga interesi i vajzës dhe dhëndërit të tij, nga fakti që Rama nxitoi të futej menjëherë në të ashtuquajturin Bordi i Paqes për Gazan dhe nga përkrahja e hapur e Edit tonë për Izraelin.

Ndaj mos prisni asgjë të dashur Flamingo nga administrata e sotme amerikane!

Dhe ju të dashur bashkëatdhetarë, që kini pritur me aq ekzaltim fitoren e Trump në nëntorin e vitit 2024, duhet të zgjoheni nga ajo “ëndërr idiote” dhe të kuptoni, që nëse është dikush mes presidentëve amerikanë, i cili “nuk pjerdh as për Shqipërinë dhe as për demokracinë e saj” ai quhet Donald Trump.

Ju falenderoj për vëmendjen në këtë çështje!

(Fjalia e fundit është kopjuar nga postimet e tij idiote në platformën X)

No comments:

Post a Comment