29 vite më parë e lashë qytetin ku kisha lindur për të mos u kthyer më si banor i tij. Nuk kisha menduar kurrë të emigroja. Jo se isha ndonjë patriot i thekur, as se e mallkoja “kurbetin, atë plagë të madhe”, por se në vitet e rënies të Diktaturës ishte ngjallur shpresa për një shoqëri më të lirë dhe më të drejtë. Isha dhe me fat që kisha një profesion që nuk ishte keq për atë kohë, sepse kur një vend është i prapambetur dhe i varfër, nevoja për ndërtime të reja është nga të parat. Ndaj edhe pse kisha mbetur i habitur nga Athina dhe Nju Jorku dhe Bostoni që pata vizituar në vitet ‘92-’93, nuk kisha asnjë tërheqje nga idea e emigrimit në Greqi apo në Amerikë. Nuk bëra asnjëherë asnjë përpjekje të vetme, ose atë të “shansit” të Llotarisë Amerikane.
Disa herë kam përmendur, që idea e emigrimit lindi në dhjetorin e vitit 1996 mes bisedave me një shok të ngushtë, që po vinin kohë të vështira ekonomike për Shqipërinë për shkak të firmave me fajde të larta. Rënia e Sudes i vuri pikën dhe nisëm të interesohemi për të gjetur formularë për të emigruar në Kanada. Në janar u morrëm me të ndërsa shihnim me simpati protesat e nisura në Vlorë, por jo ato në Korçë. Diku, ndoshta në ndërtesën e ish Dispanserisë, niste protesta e një turme njerëzish, që nuk i shihja me simpati edhe pse inatin e kisha me kokëfortësinë e Berishës, të cilin e bëja fajtor për tërë keqeverisjen prej kohës së referendumit të 1994 dhe sidomos për mbytjen e lirisë brenda partisë së tij. Duke patur urrejtje për fjalën “Parti” nuk kisha pranuar që në dhjetorin e 1990 të bëhesha pjesë e PD-së dhe të asnjë partie tjetër. Por për socialistët “qëndrestarë“ kisha më tepër antipati sepse nuk njihja mes tyre ndonjë njeri me vlera, veç mësuesit të matematikës Ilia Konstandini. Të tjerët më dukeshin një tufë me injorantë, e përzjerë me disa karrieristë që nuk kishin asgjë të përbashkët me “punistët’, se vinin nga familje tipike korçare që kishin ndenjur larg “të kuqve’. Kur i shihja në rradhët e para të protestuesve e kuptoja se këta ishin “revanshistë“ që kërkonin të vinin në pushtet për të fituar para si po i fitonin edhe PD-istët e korruptuar.
Ndaj nuk kisha asnjë pendesë që po ikja. Në të dy krahët, në Tiranë dhe në Korçë, ishin në krye tufa me ‘batakçinj” që po luftonin për para-pushtet. Nuk kishte më një të ardhme të mirë për Shqipërinë për një dhjetvjeçar dhe nuk do doja që vajzat e mija të bëheshin adoleshente në atë atmosferë të molepsur. Sigurisht që nuk prisja që do ndodhte ajo që bëri Berisha , që shkrehu institucionet dhe do vinte kaosi i pashembullt i vitit 1997. Atë korrik i gdhiva netëtë duke sistemuar librat e tim eti në orët e para të mëngjesit dhe duke qarë në heshtje. Ishin lotë të largimit që mbanin brengën e braktisjes por dhe shpresën e diëkaje të panjohur por më të mirë. U ndjeva i “dëbuar” nga qyteti im, por me shpresën që fëmijët një ditë do më theshin: “Sa mirë bëtë!”
Mallkova me gjithë shpirt Berishën, por pashë gjithë mosbesim Nanon dhe Rucin. Nuk mund të bëhej një Shqipëri e mirë prej tyre, së bashku me “dallkaukun” e vjetër Pëllumbi apo me djaloshin agresiv Meta. Në një udhëtim nga Tirana në fund të qershorit, pata qënë në një makinë me disa “lider” lokalë të PS, mes të cilëve dhe i ndjeri Arben Zylyftari. I dija që nuk ishin më të mirë se ata që po largoheshin nga pushteti. Meidani më dukej i balancuar, por ishte i vetmi që mund të ishte dikush që mendonte për “nder” dhe “shtet”. Të tjerët ishin një lukuni me çakej, që po lëshoheshin mbi “kërmë‘ dhe “kërma “ishte pasuria e Shqipërisë, që nuk ishte xhvatur nga ujqërit e Berishës.
Koha më dha të drejtë! Asnjëherë nuk e besova partinë që rridhte drejtpërdrejt nga “partia e mallkuar e punës”.
Më pas pati periudha kur ndiqja me interesim ngjarjet në Shqipëri dhe periudha të tëra kur nuk doja të mësoja më gjë. Korrupsioni po shtrihej në çdo qelizë dhe tani nuk ishte më problemi i Partive shqiptare, por i Shoqërisë shqiptare.
Erdhëm në këtë ditë, kur liria e tregut ka dhënë frytet në rritjen e mirëqënies, por ka shtuar diferencat mes “kamësve’ dhe “skamësve” dhe sheh tashmë jo vetëm “ujqërit kundër çakejve” por edhe ujqit kundër ujqërve” dhe “çakejtë kundër çakejve”. Nuk di nëse duhet ta shohësh me indiferentizëm, si një “luftë mes llojit’ apo si një degjenerim të plotë të jetës politike shqiptare.
Ndodh edhe që “ujqër” dhe “çakej” të japin edhe mësime të ndershmërisë dhe të devotshmërisë. Madje mund të të quajnë edhe “servil” apo “të pandershëm intelektualisht”. Përgjithësisht gjatë jetës kam menduar se kur të fyejnë lapangjozët, duhet ta ndjesh si “kompliment” që të bëhet nga njerëzit e mirë. Nuk kam arritur ende të bëhem plotësisht i pandjeshëm. Shoh tepër hipokrizi dhe gënjeshtra me tepri. Nuk mund të injoroj ata që mburreshin kafeneve se sa lehtë i nxirrnin paratë në vendet e punës në administratë, që sot të shesin moral. Sepse ndoshta “injorimi” i inkurajon edhe më tepër të shkallëzojnë paturpësinë e tyre.
Ju lutem mbani qetësi të dashur batakçinj!
Shijoni ato që keni fituar nëpërmjet korrupsionit dhe heshtni! Njerëzit e kanë predispozicionin e mirë t’ja u falin.
Por mos na u shtini të ndershëm!
Nuk është turp edhe të jesh “një punonjëse seksi” në politikë apo në administratë. Eshtë profesioni më i vjetër në botë.
No comments:
Post a Comment