Algoritmi, si nocion me një përdorim të shpeshtë edhe nga ata që nuk merren me matematikë apo shkencë kompjuteri, ka të paktën 20 vite që është i pranishëm në mediat tradicionale dhe në ato sociale. Eshtë algoritmi i përdorur nga platformat gjigande të Interenetit për të mbledhur të dhëna dhe për t’i përdorur ato për shitje dhe në dobi të kompanive që duan të reklamojnë prodhimet apo për të përpunuar strategjitë e tregut në varësi të prirjeve të njerëzve.
Algoritmi është diçka abstrakte, si shumica e nocioneve dhe gjërave të krijuara nga njerëzit. Ndaj e kisha të vështirë t’ja shpjegoja një mikut tim, që nuk ka qënë i mirë në matematikë dhe nuk i njeh as kompjuterat. Ishte i shqetësuar (ose shtirej si i tillë) se kryeministri Rama e kishte bërë me faj “Algoritmin” për protestat që po ndodhnin në Shqipëri. Por të njëjtin shqetësim kishte edhe një njeri i mënçur në Tiranë, i cili me të drejtë supozonte se tani, ne shqiptarët “pakëz majmunë“ do fillojmë të vemë emra të porsalindurish Algoritëm ose Algoritma. (Femra më ngjan se po lindin më shumë në Shqipëri,) Dhe si e kam përmendur në një shkrim të hershëm, ne ja kalojmë çdo populli për larmi emrash dhe sidomos emra imitues. Kemi vënë nga “Hitler” tek “Asamble” dhe më tej “Maocedun”, “Ronaldinjo” dhe “Konkluzion”. Ndaj që të kesh mot një bebe të frymëzuar nga pakënaqësia që ke nga Rama dhe nga ngazëllimi i një fitoreje të protestave “të shkaktuara nga Algoritmi” është krejt e mundshme. Algoritëm Balldushku nuk di po sepse më tingëllon e plotë për një fëmijë dhe të ri, që pas 20 vjetësh do marrë në dorë fatet e Shqipërisë.
Por për tu kthyer tek kryeministri jonë i shquar, që i gjeti gjithë “armiqtë e jashtëm” të cilët patën krijuar protestat dhe e mbylli me nocionion abstrakt të platformave të internetit, që sipas tij ju “bëjnë lavazh” mendjeve të të rinjve, duhet të themi që nuk është dhe aq i mënçur. Ose këshilltarët e tij nuk janë thelluar se nga vjen fjala ‘algoritëm’ që ndjell kaq urrejtje, dëshirë për të protestuar dhe humbje të plotë të logjikës normale. Se pa e humbur logjikën e zakonshme nuk ke se si të mos e shohësh “diellin” që ndriçon në Kryeministri, dhe nga i cili merr dritë i gjithë Ballkani Perëndimor. (Nuk dua ta teproj dhe të them e gjithë bota se atëhere do më sulmojnë si Enverist.)
Po qe se punonjësit e panumurt të kryeministrisë do ishin përpjekur pak, do gjenin se Algoritëm vjen si një lloj nderimi për matematikanin e shquar persian Al-Kwharismi. Dhe dihet edhe nga fëmijët, që Persia e sotme është Irani, që është armiku i vetëm i Shqipërisë sipas Edi Ramës. Ndaj komploti do ishte i spjeguar plotësisht me lidhjen 1200 vjeçare të Algoritimit me Iranin, më pas me kampin e muxhahedinëve diku në Shijak dhe me hakerimin e materialeve të AKSH-it për të cilat pretendohet se kanë prova të pakundërshtueshme që ka vjedhur soji i Linda Ramës.
Ndaj edhe pse e kam shtruar si pyetje në titull, ajo është e ngjashme me retoriken “Ku t’i kërkoj rrënjët e tua Parti” të shtruar 60 vjet më parë nga gjeniu ynë Ismail Kadare. Se sikundër Partia dhe rrënjët e saj ishin kudo në Shqipëri, i tillë është edhe Algoritmi.
E ka thënë dhe e përsërit gjeniu shqiptar i këtij shekulli, Edvin Kristaq Rama.
P.S. (Po Peleshi si nuk ja ka spjeguar se ka mbaruar për elektronikë dhe është marrë edhe me tregëti kompjuterash.)
No comments:
Post a Comment