Friday, 17 July 2026

Dua të këndoj një “tufkë me seranata”


Dua të jem një korçar tipik, se e di që nuk jam plotësisht i tillë, edhe pse një mik i imi, ka shumë vite që ma thotë për të më ngacmuar. Vërtet edhe “tufë“ e shkruajta si e përdorim ne -“tufkë“, por jo gjithnjë sepse është diçka që përdorej më shumë për pak gjëra të vogla si : tufkë me qepka, tufkë me hudhra të njoma etj. Dhe për “serenatkat”, që dua të këndoj, shkon fjala “tufkë“ më shumë se ndonjë tjetër.

Tufka mund të ketë 5-6 këngë nga ato “me dhemkë“, të cilat do i përzgjedh vetë me kujdes. Nuk dua të bie në përsëritje me ato ç’ka këndohen në “eventet” e Ligavecit Gollash. Problemi më i madh është se ku mund t’i këndoj, sepse më duhet “audiencë“. Sallë edhe mund të gjej, ndonëse nga Bashkia jam kudo i bllokuar. Nuk më japin as gazetat e vjetra, të cilat më vlejnë për të mësuar më shumë rreth Korçës, por edhe për këngët e saj. Sponsorizimin do e bëj vetë duke gjetur njëkohësisht edhe një grup me “seranatistë“ që të mbushet programi. Nuk mund të mbaj një orë me të kënduar se aq “vuxhut” kam. Sa për ‘sazet” ato besoj se i rregulloj, se Piro Apka, të cilin e kam pasur në klasë, ishte drejtues i orkestrës në “mbrëmjen magjike” të Festivalit MIK.

Për kurator, moderator, përpunues spektakli dhe koordanitor lëvizjesh nuk besoj se do kem nevojë. Tani gjithë këngëtarët e mëdhenj këndojnë ose më këmbë ose ulur dhe mua “zëri më del mirë“ në të dy pozicionet. (Më mirë më del në dush, por një koncert i tillë do ishte krejt i parakohshëm për Korçën konservatore. Gjithashtu në dush nuk mund të këndosh këngë “me dhemkë“ sepse humbet efekti i përlotjes.)

Sigurisht para se të vendos se cilat “serenata dhëmkore” do ju përcjell dëgjuesve që emocionohen lehtë, duhet të përgatis një listë të gjatë, ku të përfshij të shumënjohurat, por edhe ato që nuk i janë servirur shpesh publikut korçar gjatë viteve të fundit. Sepse të qënit origjinal qëndron në bazë të një suksesi të mundshëm. Mendoj që në krye të listës të jetë “Kënga e Xhemalit”, për të larguar çdo hije të krijuar nga njerëz me formim të dyshimtë, që “serenatat” ju përkasin kryesisht “kaurëve të derrit”. “Kënga e Xhemalit” ka shumë dhemkë dhe përmban edhe dy fjalët kyçe “raki” dhe varr”, të cilat i shoh të domosdoshme për “tufkën” time. Nuk mund të përfshij as këngën e “kurbetliut” që shkoi në Selanik dhe nuk merrte vesh për Tanën. (Ishte tre orë larg me makinë) Eshtë kënduar vjet në MIK. Po ashtu edhe “po më thërrisje si e marrë moj, hajde hajde”. Shumë e konsumuar.

Prej këngëve “të kultivuara” të zanateve nuk do ve asnjë se janë me nota optimiste. Më e gjallë ajo e Avnisë, që thërriste: “Posta, posta çapkëne!” Po mendohem për këngën melankolike “Do marr kazmën e lopatën” , që duket si këngë pune, por është e dhimbshme se autori do shkojë të hapë varrin e të dashurës së vdekur. Vetëm që nuk ka “raki” ose “pijetore”. “Kënga e Myzejenkës” ka goxha pije alkolike, por nuk ka dhimbjen e vdekjes. Eshtë “serenatë“ sarahoshësh dhe nuk është dëgjuar në këto “eventet”, madje as në repertorin e vëllezërve Prifti. Ndoshta për shkak të shtimit të gjobave për shoferët që përdorin alkol, se tre shofera ishin ata që donin të ngjiteshin nga penxhereja tek Myzi.

Më duket se është më e vështirë se sa e mendoja formimi i “tufkës.” Ka qënë një këngë qëmoti me vargjet “Kollë e thatë më ka zënë/ Më mundon i shkreti gjoks/ Do të digjem moj të venitem/ Do mbaroj tuberkuloz”, por nuk jam i sigurt për orkestrimin.

Duhet të jem i vendosur për “Këngën e Sofikas” , se ka dashuri , alkol dhe jep atmosferën e Korçës. Nuk ka vërtet vdekje apo plagosje të Sofikas, por duket që autori do ketë një fund jo të mirë me “cerozë alkolike” dhe kjo ja shton dhimbjen këngës.

Duhet të kërkoj më shumë në repertoret e reja dhe të vjetra, se nuk është keq edhe një e Eli Farës me Kastriot Tusha, që e zgjidh dhimbjen e thellë me “do të takoj edhe një herë në këtë jetë nga rastësia”. Nuk e kam kuptuar kurrë nëse “Rastësia “ është emri i ndonjë klubi diku në Tiranë, apo toponim si “Parku Rinia” apo “Shën Dëllia”.

Duhet punë dhe shumë punë.

Nuk duhet t’i kisha nënvleftësuar më parë “serenatat”.

No comments:

Post a Comment