Wednesday, 15 July 2026

“Fake news” edhe për njerëz jo të rëndësishëm?


Para disa orësh, një mik nga SHBA më pyeti nëse e kisha projektuar objektin e shumëpërfolur këto kohët e fundit në Korçë. Diku kishte parë emrin tim t’i bashkëngjitej diskutimeve për atë ndërtim. Mu qesh me vete, se dhe të doja të projektoja një objekt të tillë nuk e bëja dot. Por dhe po ta kisha bërë nuk do ishte miratuar sepse marëdhëniet e mia me Bashkinë e Korçës, janë të ngrira që në vitin 2010. Madje as Biblioteka e Korçës nuk më jep gazetat që kërkoj, sepse ndoshta në gjithë institucionet që varen nga Bashkia figuroj si “i padëshëruar”.

Nuk e shoh si përpjekje të “hapin nam të keq” për mua se nuk jam ndonjë njeri që ka ndonjë rëndësi. Jam një arkitekt shqiptar që jetoj prej gati 30 vjetësh në Kanada dhe tashmë në pension. Nuk kam shprehur asnjë interes për të projektuar në Korçë, madje dhe dy tre shkrime ku kam thënë se dua të bëhem deputet i Korçës, kanë qënë një autoironi e hapur dhe e lehtë për tu kuptuar.

Ndaj nuk po e quaj me emërtimin “cool” “fake news” që pëlqejnë të përdorin tani në Tiranë. Me siguri që është një ngatërresë e dikujt që nuk di se kush projekton në Korçë dhe se cili jam unë.

Për të qënë i sinqertë, është ndoshta i vetmi objekt i Uilson, për të cilin nuk kam shkruar me hollësi, por e kam prekur vetëm bashkë me objekte të tjera të projektuara keq prej tij. Që është i gabuar nuk ka nevojën për analizën e një arkitekti, se objekti klith vetë: “Ejani dhe më godisni!”

E pata parë të mbetur si “karabina” katër vite më parë dhe jepte shënja të vëllimeve të projektuar jo mirë. Por pamja e afishuar në tabelën e zakonshme të një objekti ndërtimor ishte krejt e kundërt me këtë të sotmen. Qëlloi që pija një kafe me investitorin e objektit, në hotelin e tij të mëparshëm (të zi) dhe e pyeta pse kishte mbetur investimi në mes. Më shëjegoi me hollësi diçka për “njollën e ndërtimit”, për dëshirën për të ndryshuar funksionin e tij dhe më pyeti se ç’mund të bëhej edhe për ta zmadhuar. Duke shprehur çudinë me “qëndrimin strikt” të Bashkisë për sipërfaqet, i sugjerova një përdorim më të madh të vetratave që mund të mbulonin mbi 60% të objektit për ta bërë më të lehtë. Sigurisht ishte një këshillë më këmbë, nga ato që zakonisht dëgjohen me “fundin e kurrizit”. Nuk di kur e pashë komplet të mbyllur dhe ende në ndërtim dhe u çudita, por jo komplet “i shokuar” sepse kisha parë thuajse gjithshka të projektuar keq nga australiani Pite.

Tani, me të drejtë njerëzit janë të pakënaqur dhe ndoshta diskutojnë në shumë platforma interneti për atë objekt, për të cilin ende nuk e di nëse është Hotel apo ka një funksion tjetër.

Si e kam përsëritur edhe në raste të tjera, dëmet në politikë, arkitekturë, urbanistikë dhe në fushat e tjera, nuk bëjnë “bam” që ditën e parë. Nisin gradualisht me disa dëme të vogla dhe më pas trashen, posa pushtetarët shohin se “ky milet mban!” Korça reagoi mekur për Kullën Vrojtuese dhe më pas erdhën transformimi i Bibliotekës së Kolevicës, Biblioteka e Re (Derri i lerosur), Hotel Plazza, Hotel i Zi, dhe tashmë ky objekt tërësisht i mbyllur që të sjell më shumë në mendje kubin e madh ku bëhen pelegrinazhet në Mekë. Nëse Uillson do vazhdojë të projektojë në Korçë do shohim edhe tmerre të tjera.

E gjitha nis me Ramën, vazhdon me mungesën e talentit të arkitektit australian dhe nënshtrimin e plotë të Bashkiakëve. Jam i bindur që investitori nuk ka asnjë rol në atë lloj arkitekture, se arkitekti i preferuar i tij pat qënë arkitekti i ndjerë korçar Vladimir Bregu. Dhe Bregu kishte klas në projektim.

Duke u kthyer në faktin që më lidhin mua gabimisht me objektin në fjalë, e përsërit që nuk është i qëllimshëm, sepse nuk ka asnjë arsye, as edhe sikur dikush të jetë dashakeq ndaj meje për të më “atashuar” në këtë lloj “monstre të arkitekturës”. Por më dha një shkëndijë të prek veçanërisht këtë objekt, për të cilin çdo analizë profesionale është e kotë. Objekti nuk duhet të ishte i tillë dhe pikë! Ndoshta mund të qëndronte mirë vetëm në Surel, krahas Vilës të Edi Ramës, por në asnjë vend tjetër në Ballkan.

Por mirë të na i bëjë edhe Rama, edhe Uilson edhe Peleshi (Raqka Kyçet e Kashtës ka në dorë)!

E kemi bërë hak!

No comments:

Post a Comment