Dihet që një qytet mund të zhvillohet vetëm në sajë të një gjallërimi ekonomik. Kjo ndodhi në Korçë në gjysmën e parë të shekullit të XX, që e ktheu në qytetin më të madh dhe më të zhvilluar të Shqipërisë. Pas lufte, qyteti vazhdoi të rritej, madje edhe të hapeshin mjaft vende pune, por ai “model -ekonomik” ishte i dështuar ndaj ndonëse hapeshin mjaft “organizata prodhimi” dhe popullsia shtohej qyteti filloi të bjerë ekonomikisht dhe të humbte vit pas viti peshën e tij në jetën shqiptare. Centralizimi absolut i pushtetit dhe kufizimi i lirive ekonomike ishin faktorët kryesorë, që sollën një diçka të pazakontë në një qytet që kishte nisur të bëhej shumë i rëndësishëm në të gjithë rajonin ballkanik. Nuk duhet të jemi kategorikë, që nuk pati rritje ndërtimore apo arritje të tjera, por cilësia e ndërtimeve individuale nisi të bjerë dora dorës sepse familjet po shkonin gjithnjë e më shumë drejt një regresi ekonomik.
Tani jemi në kushte krejt të reja, por shohim që në 35 vjet, edhe pse ka përmirësim të madh në cilësinë e ndërtimeve individuale, qyteti ka humbur “nervin” e tij të zhvillimit. Më ra në sy në vizitën e fundit, që jeta fillon “shtruar” diku nga ora 8.30 dhe pas orës 1 të drekës ka një “dremitje” për tu rikthyer gjallëria në mbrëmje. Një ritëm krejt i ndryshëm nga ritmi i qyteteve të vendeve të zhvilluara, që kanë një lëvizje njerëzish dhe makinash prej orës 5 të mëngjesit dhe deri më 9.30 për tu stabilizuar më pas dhe për rikthimin e “trafikut të rënduar” rreth orës 4.30. Njerëzit në ato vende lëvizin jo nga “qejfi” por se duan të shkojnë në punë.
Pra a punohet në qytetin e dikurshëm të “punës” si punohet në Perëndim?
Një miku im, i cili jeton jo gjithë kohën në Korçë më tha se po kthehet plotësisht në një qytet për njerëzit e “moshës së tretë“. Nuk di se sa është e vërtetë, por kam frikë se miku im ka konstatuar me objektivitet një dukuri që ju ndodh qyteteve që kanë marrë teposhtë. Plakjen e popullsisë dhe rënien e kapaciteteve prodhuese.
Unë kam vetëm një javë që kam hapur profilin në FB dhe mbase gaboj, por shoh që Kryetari i Bashkisë poston vetëm për ngjarje kulturore artistike (që i quan evente) dhe për turizmin, kurse Kryetari i Qarkut vetëm për ditlindje njerëzish dhe ngushëllime vdekjesh. Thuajse nuk kam parë asgjë për takime me investitorë vendas dhe të huaj, përmendje projektesh zhvillimore qoftë të natyrës industriale dhe qoftë të fushave të informatikës apo të Inteligjencës Artificiale.
Korça nuk mund të mbahet me turizëm.
Kam përmendur në shkrime të tjera, se dhe një nga “kryeqytetet e turizmit botëror” – Venecia, ka rënie të ndjeshme të popullsisë në 50 vitet e fundit.
Ne dhe sikur të ofrojmë çdo javë veprimtari ku të këndojë jo Inva Mula, por Ana Netrebko dhe Shakira nuk mund të kemi gjallëri ekonomike dhe mbajtjen e popullsisë të re dhe aktive.
Unë nuk di se ç’mund të bëhet, se nuk ja “kam haberin” e bizneseve, por gjykoj se në interesin e qytetit është në rradhë të parë “lufta politike” për të decentralizuar Superpushtetin e Tiranës. Atje kontrollohet çdo gjë, që vështirëson funksionimin e mirë të Ekonomisë së Tregut, veçanërisht për qytete që kanë nisur rënien e popullsisë. Por më duket se ky nuk është shqetësimi kryesor i të gjithë Bashkësisë qytetare korçare. Nuk duhet të harrojmë se kur nis një kulturë “zdërhalljeje” nuk është e pamundur të përdorësh pas disa dhjetvjeçarësh atë devizën e disa vendbanimeve të Shqipërisë së Mesme – “komët ke vija, 16eçen ke xhepi ene jevgën ke preni”. Sigurisht që ky është stërzmadhim, por mund të arrihet tek një devizë e mundshme “jemi rehat, i futim nja dy dopio dhe këndojmë “e trak e truk kërcet banaku””.
Unë ende besoj shumë në një “rikthim” të lulëzimit ekonomik të Korçës, sepse ka qënë traditë, ekziston në shpirtin e njerëzve, madje qyteti edhe shumë lidhje me njerëzit që punojnë në vendet “ku duhet shumë mund”.
Se ç’drejtime mund të marrë dhe cilët do jenë “motorët ideorë dhe realizues” të atij zhvillimi nuk di të them, se ndonjëherë kthesat për mirë vijnë edhe krejt papritur.
Por le të shpresojmë!
No comments:
Post a Comment