Bashkia e Korçës posa i dha titullin “Qytetare Nderi” sopranos sonë të mirënjohur Inva Mula. Duhet thënë se Inva ka vërtet vlera të rralla artistike, si dhe një kontribut të ndjerë në organizimin e Festivalit MIK në Korçë, tashmë e disa vjet. Emri i saj i bën nder qytetit të Tefta Tashkos dhe Kristo Konos, si dhe dhjetra muzikantëve të tjerë të shquar. Edhe Bashkia duhet përgëzuar, që nuk gjen më emra si Behgjet Pacolli e të tjerë, që nuk kanë asnjë lidhje me Korçën, për t’i “kurorëzuar” si “Qytetar Nderi”.
Duke përgëzuar soprano tonë të njohur edhe në skenat më të
famshme në botë, për këtë titull të ri, duhet t’i kujtojmë diçka, që artistë të
kalibrit të saj nuk duhet t’ja lejojnë vetes.
Një javë para zgjedhjeve të 25 prillit, Inva shpërndau një
video në mbështetje të hapur për Niko Peleshin, atë kohë i ngarkuari nga PS-ja
për fushatën elektorale të vitit 2021. Nuk është krejt pa preçedent edhe në botë,
që personalitete të artit, kulturës dhe sportit të mbështesin parti të caktuara
ose individë të caktuar në fushata elektorale. Por për të ruajtur emrin e tyre
të mirë dhe për të mos shkelur ligjet e vendeve të tyre, gjithnjë mundohen të
shmangin ato që quhen “konflikte interesi”.
Inva Mula merr fonde nga Bashkia e Korçës për të organizuar
festivalin MIK dhe duke njohur prapaskenat historike të Bashkisë, nuk është e
pamundur që sasia e fondeve të kushtëzohet edhe nga “quid pro quo”- “ndihmë pak
gjatë fushatës se këtë rradhë do e hapim thesin më shumë!”
Nëse politikanët shqiptarë ku hyjnë Niko Peleshi dhe Sotiraq
Filo nuk e kanë për gjë të bëjnë veprime të tilla joetike dhe ndoshta edhe të
kundërligjshme, sopranoja jonë e madhe duhet të ketë më shumë kujdes të dalë e
panjollë nga sjelljet “njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja fytyrën”.
Dhënia e titullit të rëndësishëm duhet ta bëjë Inva Mulën të
rrijë larg përzjerjes në fushatën e ardhshme për kryetar bashkie nëse do me të
vërtetë të jetë “Qytetare Nderi” e qytetarëve të Korçës. Të gjithë e admirojmë
për vlerat e saj të shkëlqyera muzikore dhe e duartrokasim në çdo shfaqje.
Le të marrë edhe duartrokitjet tona për sjelljen e nderuar
shoqërore-politike!
No comments:
Post a Comment