Nuk di nëse duhet të qash apo të qeshësh më shumë me shumëtëdashurën, Filantropen e shquar, Fotini Allteni, e cila përdor edhe emrin Foti Kokeri. Nuk më kujtohet mirë as kënga e qëmotshme, që niste me vargjet “Aman o moj Mellani..” nëse ishte nga ato “qaramanet” e Shqipërisë juglindore dhe Greqisë perëndimore, se besoj në ato zona është krijuar. Mellani nuk ka në zona të tjera të Shqipërisë edhe pse ka në shumë vende europiane. Melania Trump është sllovenia shumë e njohur sot në botë dhe Mellani Grifit është aktorja shumë e njohur amerikane.
Për Fotin kam shkruar 2-3 herë në blog, si përfaqësuese e një pakice shumë të vogël shqiptaro-amerikanësh, të ikur pas viteve ‘90, që kanë gjetur rrugën e fitimeve të lehta duke u marrë me organizata filantropike, të tjera OJQ, apo dhe më të dobishme se to, si udhëheqës shpirtërorë, kishash tempujsh dhe xhamish. Me një lloj “paragjykimi të lehtë“ unë i kam futur të gjithë në thesin e madh të “mashtruesave”. Por këta nuk kanë asnjë lidhje me mashtruesit e të quajturave “call-center” të cilët të xhvatin duke të ftuar për investime apo për ndonjë çështje të ngjashme. jo. Këta janë të hapur, “transparentë“, të gjendur, tepër “të aksesueshëm” për njerëzit dhe mediat. Nuk kanë asgjë se ç’të fshehin, se veprimtaria e tyre është e gjitha nën “dritën e diellit”. (Për Fotin më duhet të shtoj që ka diçka që ndodh edhe nën hijen e saj se është e gjatë dhe e shëndetshme dhe hijen e ka “bajagi” të madhe që mund të mbulojë ndonjë gjë “të vockël”. Nëse shton edhe njerëzit që mban rrotull hija e Fotinisë bëhet goxha hije.)
“Si për inatin tim” (Fotinia ndoshta nuk di se ekzistoj), sa më shumë shkruaj unë, aq më shumë ajo e ndihmon Korçën dhe bashkë me të dhe qytetarët e saj. Nuk di nëse pat ndihmuar më parë kantaautorin Mihallaq Andrea, por në vizitën e ditëve të fundit në Korçë, sipas videos të postuar nga vetë Filantropeja e shquar, Mihallaqi këndonte këngë të bukura për të. Gjithë dashuri dhe buzëqeshje (cilësi që e çmon edhe vetë) Fotinia përsëriste fjalët e këngës të këngëtarit korçar.
Vetëm këtë javë ajo ka ndihmuar Spitalin e Korçës, Festivalin MIK, ka shpënë një çek për policin dëshmor në Pogradec, ka falenderuar publikisht Sotiraq Filon, Petrika Tollkuçin dhe Prefekten Zegullaj për gjithshka të mirë që kanë bërë për Korçën. Dhe ajo ndjehet gjysëm korçare se origjinën e ka nga Leskoviku.
Unë vetë, nëse do kisha bërë për qytetin tim një të dhjetën e asaj që ka bërë Fotinia, do postoja video pambarim ku të tregoja të gjitha bamirësitë që kisha bërë dhe ato, që mendoja të bëja në të ardhmen. Por Fotinia bën më pak video propagandistike, sepse nuk e sheh të udhës që të reklamojë shumë shumë veprimtarinë e saj Filantropike. Se sikundër e thotë vetë, është Filantrope Shquar dhe nuk i duhet më të “shquhet” më tepër.
Nuk di nëse kur ka qënë këtë rradhë në Tiranë, Fotini Kokeri ka parë se ç’ndodh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” çdo ditë, pas orës 7 të mbrëmjes. Ndoshta po të kishte parë paksa, do e kuptonte se njerëzit janë ngritur kundër “hajdutëve” dhe mashtruesave që janë në pushtet.
Ndoshta do mendohej më mirë për hallet e vendit të saj të dikurshëm.
Ndoshta krahas bamirësive edhe do kritikonte pushtetin qëndror dhe administratat vendore.
Por Fotinia ka zgjedhur të buzëqeshë, të ndihmojë dhe të falenderojë “të korruptuarit”.
A sheh në veten e vet?
No comments:
Post a Comment