Por a mungon Brezi Z në Korçë?
A lodhemi ne korçarët më shpejt se të tjerët?
A funksionon sistemi i patronazhistëve më mirë në Korçë se në Tiranë?
Mund të ketë edhe shumë pyetje të tjera për të kuptuar se përse qyteti, që deri në fund të Luftës së Dytë pat bërë më shumë demonstrata se e gjithë Shqipëria e mbledhur sëbashku, tani është i mpirë dhe risjell rebelizmin e tij të vjetër vetëm për një javë.
Ndoshta rrënjët janë në vitet e Diktaturës, se nëse përmendet popullsia e pakët, Korça në ditët e Demonstratës së Bukës apo asaj të shtatorit 1943, kishte një numur më të vogël banorësh se sa sot. Ka diçka që ka “vdekur” në shpirtin rebelues të banorëve, nipërve të shqiptarëve më modernë të viteve ‘30.
Nuk po zgjatem me analizën e kësaj dukurie sepse është një temë shumë e gjatë dhe që kërkon edhe njohuri më të thella se të mijat. Por është një model, që për fat të keq haset edhe në Greqi, atje ku ka shumë emigrantë nga qyteti dhe e gjithë krahina jonë.
Protestat në Athinë dhe në Selanik kanë qënë thuajse “të vdekura”. Ndërsa shqiptarët ngrihen në Milano, Londër, Mynih, Toronto, Nju Jork dhe në shumë qytete të tjera të Europës dhe të Amerikës së Veriut në mbështetje të Revolucionit Flamingo, në qytetet greke nuk sheh të tilla. Ose janë aq të vogla në numur sa nuk përbëjnë lajm.
Eshtë një model (pattern) të cilin nuk jam në gjendje ta shpjegoj, sepse nuk jetoj në Greqi dhe nuk ja u di hallet emigrantëve tanë atje.
Po për tu kthyer në qytetin tim, i cili nuk është më mirë sot se qytetet e tjera shqiptare, them se është mirë për njerëzit të organizohen dhe protestojnë.
Jo vetëm ai i shkreti, që nuk e merr asistencën sociale, ose e merr dhe nuk i del as për bukë.
Por edhe pensionistët e shumtë, të cilët nuk ja dalin dot po mos ju dërgojnë para fëmijët.
Edhe ata bashkëqytetarë, që janë në gjendje të mirë, por që detyrohen të shkojnë të bëjnë pazar në Greqi, se ushqimet janë më të mira dhe më të lira. Ndoshta mund të mos përdorin benzinën e një rruge për të shkuar në Kostur për të blerë, por ta përdorin për të dalë në varg me makina një ditë dhe të protestojnë ndaj kësaj paturpësie të këtij pushteti.
Edhe studentët e “Fan Nolit” bashkë me rektorin dhe pedagogët e tyre, që po shohin se e ardhmja e atij Universiteti nuk është e ndritur.
Edhe ata kolegë të mij, që ndonëse jetojnë më mirë se mesatarja, janë të detyruar të shohin projektet “monstruoze” të Pitër Uillson, të cilat mund t’i kishin bërë dhjetë herë më mirë vetë.
Edhe kryebashkiaku Filo, që ndoshta nuk ka futur vetë para në xhep, por është detyruar të bëjë edhe ato që nuk do t’i bëjë, se e urdhëron autokrati Rama dhe shoku i tij Niko Peleshi.
Korça është shumë shumë herë më e mirë, më e mënçur dhe më me shpirt protestues se sa ai grusht njerëzish që dalin çdo ditë tek Ushtari i Panjohur.
Ndoshta çdo ditë është e lodhshme dhe e mërzitshme, por sa të themi si zakonisht :”E mo po ku bëhet me protestë!” është e mira t’i dërgojmë mesazhe njëri tjetrit dhe t’i themi “Kafenë le ta pimë në Katedralja sot, pasi të ikim nga protesta!”
No comments:
Post a Comment