Friday, 17 July 2026

“Arroganca” e karriges


Ishte verë dhe relativisht nxehtë për Korçën. Kisha më pak se dy muaj që kisha nisur punën pas studimeve dhe kuptohet që isha, si i themi ne në anët tona, “këlysh i pagoditur”. Më kishin thirrur në një zyrë të Ekzekutivit bashkë me disa eprorë dhe kolegë të mij për të na ngarkuar me një punë, e cila nuk kishte qënë e planifikuar. Dikush, ndoshta një kompozitor, pat sugjeruar që akustika e kinema “Morava” ishte ku e ku më e mirë se ajo e “Cajupit” dhe kishte lindur idea për të bërë disa dhoma zhveshjeje në anën juglindore të skenës së kinemasë së vetme të qytetit, për të patur shfaqje me karakter muzikor. Dhomat janë të domosdoshme për artistët.

Ndoshta isha thirrur edhe më parë për të bërë projektin e asaj shtese, sepse kujtoj që diçka pamë nga një tarracë e Klubit të Gjuetarëve. Por takimi për të cilin po flas kishte të bënte me ndërtimin e atij objekti të vogël (jo më i madh se një shtëpi dykatëshe) nga ana e brigadës sonë të punëtorëve, e cila merrej me meremetimin e objekteve arsimore dhe kulturore.

Kishim rezervat tona që para mbledhjes sepse ishte një ngarkesë pune shumë e tepërt, sidomos në sezonin e pushimeve shkollore, kur të gjithë specialistët tanë ishin shumë të ngarkuar me punë.

Pas shpjegimit të situatës se përse ishte thirrur mbledhja rreth një tavoline në formë T-je, (si ishin të zakonshme në zyrat e drejtuesve në kohën e Diktaturës), nga nëpunësi i lartë që drejtonte sektorin, pasi pashë që eprorët e mij nuk po “bëzanin” i thashë që ne nuk mund ta merrnim përsipër, për arsyen kryesore, të cilën e përmenda më lart.

Më pa drejt dhe me shumë seriozitet më tha: “Këtu të kemi thirrur për të të thënë ta bësh dhe jo për të të marrë mendim!” Nuk pati diskutim të mëtejshëm, se të gjithë eprorët e mij po rrinin kokëulur dhe ndonëse mora sikur të mbroja ç’ka kisha thënë (me zakonin e hershëm të kokëfortësisë sime) e pashë se isha përballë një muri të panjohur më parë. Ishte “Arroganca e karriges”. Më tepër më çuditi fakti se nëpunësi ishte i ri (mbase 10 vjet më i madh se unë) dhe i njohur për zgjuarsi, por duket gjatë viteve në zyrat e shtetit e kishte mësuar se për të bërë atë që e quante të duhur të përdorte dhe arrogancën. Ikëm nga mbledhja dhe unë ngacmoja një kolegun tim shumë më të madh në moshë duke i thënë “E pe rrezikun dhe hyre në llogore, rrase dhe helmetën! “dhe ai qeshte, por ishte “qen i rrahur”.

Nuk e kujtoj si i vajti filli zbatimit. Ndoshta ju ngarkua Komunales a ndoshta e bëmë edhe ne, por prej asaj dite isha krejt i ç’interesuar të “përëlasesha” me pushtetin dhe njëkohësisht humba çdo zell për punë. Me nëpunësin “që më tregoi vendin” më vonë u bëmë miq, se pashë që kishte shumë dëshirë të bënte gjëra të mira për Korçën në sektorin e tij. Më pat mbështetur pa rezerva në disa projekte ku isha angazhuar dhe e kam quajtur gjithnjë si nëpunësi që ka bërë më shumë për qytetin në kohën kur kam punuar unë.

Por duke ardhur nga auditoret e Universitetit dhe jo me simpati për atë sistem, që çalonte në çdo drejtim, provova edhe “shijen” e asaj që merr pasi thua “Jo”. Nuk thashë edhe shumë “po” më pas, sepse nuk ishte në natyrën time, por nuk më dukej në vitin ‘84-’85, se ai sistem i kalbur, i mbrojtur edhe me “arrogancën e drejtuesve” do kishte një fund të shpejtë.

Sot hasim të njëjtën Arrogancë, madje edhe deri në absurditet në zyrat e pushtetit vendor dhe të atij qëndror. Madje, në ndryshim me atë kohë, kjo vjen nga përballja me “hajdutët”. Këta të fundit e kanë pjesë të pandarë të modus opernadi të tyre, që të jenë arrogantë, sepse në këtë mënyrë edhe mund të xhvasin më shumë. Nuk ka nevojë as të përmendësh emra, se thuajse shumica, nga i Gjatëgjithëfuqishmi dhe deri në një shef Urbanistike qyteti të zakonshëm janë të tillë. Mbulojnë njëkohësisht edhe mungesën e aftësisë. Ndaj ajo fjala e vjetër “ju flet karrigeja” është sot më aktuale se kurrë. Mua (dhe të tjerëve si unë të emigruar) na bie shumë keq në sy sepse jetojmë në vende ku “arroganca” në zyra thuajse nuk haset. Madje edhe kur je para një gjyqtari apo prokurori. Por në Shqipëri nuk është kështu dhe unë e ndjej edhe vetë, se edhe për një kërkesë të thjeshtë të shikimit të “dosjeve” të dixhitalizuara të gazetave të vjetra të Bibliotekës së Korçës ndeshesh me një “mur absurd”.

Sigurisht që nuk është më qershori i vitit 1984, kur sa kisha nisur punë, por e gjithë shoqëria shqiptare ka shumë rrugë për të bërë që të mposhtë korrupsionin dhe arrogancën.

Ndoshta edhe unë do jem gjallë e ta shoh.

No comments:

Post a Comment