Nuk mundem t’i largohem kësaj teme, që është shumë e ndjeshme në Shqipëri, sepse lidhet me profesionin tim dhe pasionin më të madh që kam – Arkitekturën.
Ndoshta prej vitit 2009 kam shkruar rreth eskluzivitetit që Rama, (asokohe posa kishte lënë Bashkinë) ju kishte dhënë arkitektëve të huaj duke nënçmuar dhe lënë mënjanë arkitektët vendas. E kam bërë me bindjen e fortë, që edhe pse nuk kemi pasur përvojën arkitekturore të të huajve, apo edhe shkollat e tyre, shumë prej nesh kanë qënë arkitektë me potencial shumë të mirë. Dhe si në më të shumtën e profesioneve, por veçanërisht në “artizanatet”, specialist shumë i mirë bëhesh duke “futur duart në objekt”. Edi Rama, me meskinitetin e një piktori të dështuar, prej vitit 2000 filloi t’ja u hiqte këtë mundësi arkitektëve shqiptarë,
Por kjo tashmë ka ndodhur dhe veç meje, gjatë dhjetë viteve të fundit kanë shkruar edhe të tjerë, arkitektë ose jo e megjithatë asgjë nuk ka ndryshuar, për shkak të superpushtetit të Ramës dhe të “ngurimit” të arkitektëve shqiptarë.
“The Albanian Files” i ideuar si një vepër që mund të fuste në historinë e Arkitekturës Autokratin e Iluminuar shqiptar (si e cilëson arkitekti holandez De Graaf) është një dëshmi se si ka funksionuar përfshirja e firmave të huaja të arkitekturës (disa me shumë reputacion në Europë) në “bumin ndërtimor” të Tiranës dhe pjesëve të tjera të Shqipërisë. Kundërshtarët e Ramës në Tiranë po mundohen ta përdorin si një provë të korrupsionit dhe të shkeljes së ligjeve shqiptare, por unë nuk kam ndërmend të merrem me këtë pjesë, sepse nuk e kam lexuar librin dhe njëkohësisht nuk i njoh ligjet shqiptare.
Por di diçka themelore, që arkitektët e huaj që kanë punuar në Shqipëri pas ftesave personale të kryeministrit ose të Kryetarit të Bashkisë(kur ishte i tillë) për projekte që nuk financohen me para publike kanë shkelur minimumi etikën e arkitektit dhe ndoshta ligjet e vendeve të tyre. E them këtë se kudo (në demokracitë e zhvilluara) ka ligje që detyrojnë arkitektët të sigurohen për burimin financiar të investitorit që ju paraqitet, si dhe për reputacionin e tij financiaro-ligjor. Sigurisht ata janë aq të zgjuar sa të dinë se nuk mund të proçedohen për shkelje të ligjeve të vendeve nga vijnë, kur “krimi” kryhet në territorin e një vendi tjetër.
Gjeta listën e 60 studiove dhe arkitektëve të angazhuar në libër dhe me një kontroll të shpejtë të 30% të tyre (zgjedhje rëndom) pashë se ishin kryesisht studio italiane, portugeze dhe spanjolle. Nuk hasa në asnjë gjermane (veç BOLLES+WILSON e cila dominohet nga arkitekti sharlatan australian Peter Wilson), asnjë amerikane dhe vetëm në një firmë shumë të vogël kanadeze, të quajtur Archi Tectonica. Nuk mu duk e rastësishme sepse di që firmat e Amerikës së Veriut janë shumë të kujdeshme në projektimin e objekteve që financohen nga burime të dyshimta. Në ndryshim nga vende të tjera, veçanërisht FBI e ka krahun e gjatë dhe e shtrin edhe në vende të tjera.
Për ruajtjen e etikës tek italianët nuk besoj shumë, se edhe nëse janë firma shumë të njohura, në Itali ka një problem të madh në projektim. Eshtë vendi që ka më shumë arkitektë pr numur popullsie se sa çdo vend tjetër në botë. Në Firence, një arkitekt italian më thoshte me seriozitet, se vetëm në Firence ka po aq arkitektë sa ka e gjithë Franca. Edhe pse ishte ekzagjerim, është e njohur tepria e arkitektëve në Gadishullin Apenin.
Gjithashtu ka shumë studio portugeze, një vend të cilin nuk e njoh si kulturë dhe ligje, por që deri në fund të shekullit që kaloi nuk ka qënë në pararojën e arkitekturës botërore.
Ndaj nuk më duket aspak e çuditshme, që këto studio, të cilat kanë marrë pagesa të mira nga projekte të diskutueshme dhe në shumë raste prej investitorësh të dyshimtë, të jenë të gatshme të shkruajnë diçka rreth projekteve të tyre në Shqipëri kur ju kërkohet nga Bamirësi Rama. Edhe për ta është një lloj reklame falas.
A i bën kjo lapangjozë?
Për të mos qënë plotësisht i prerë, po them se i bën “thuajse lapangjozë“.
Nëse veç biznesit, si motivim ke edhe reputacionin si profesionist me dinjitet, apo edhe ndihmën për një vend mesdhetar, që ka dalë nga Diktatura dhe po shkon drejt Demokracisë dhe përparimit, atëhere duhet të jesh më i matur në përfshirjen në projekte që nuk duken dhe aq të pastër.
Por starkitektët (sipas Ramës) zgjodhën të vijnë, të projektojnë shpejt, të marrin paratë dhe të ikin. Më pas edhe të lavdërojnë Kryeministrin autokrat dhe veprat e tyre në një libër, që në më të mirën e rasteve është një dëshmi e një dukurie “perverse” në arkitekturën e sotme.
A duhet të përulemi para tyre se disa mund të kenë marrë Pritzker dhe disa të tjerë çmime të tjera me rëndësi në arkitekturë?
Unë jam i gatshëm të heq kapelen para tyre, por edhe t’ju hedh një “bajgë“ mbi projektet shqiptare dhe mbi librin e tyre “The Albanian Files”.
No comments:
Post a Comment