Thursday, 16 July 2026

Si e përdor unë shqipen


Kam vënë re, që edhe kur flas, por veçanërisht kur shkruaj, përdor struktura fjalish ose vendosje fjalësh, që tingëllojnë më shumë si të kopjuara nga gjuha angleze edhe pse nuk përmbajnë fjalë anglisht. Ndaj i them vete, se edhe pse mundohesh të flasësh dhe të shkruash sa më pastër shqip, në mendje të kanë hyrë disa ‘modele” të tjera, të cilat nuk je në gjendje t’i kontollosh. Ma kishte përmendur edhe avokati im, kur bënte redaktimin e librave, që kam botuar në Tiranë.

Nuk do e vrisja mendjen shumë për këtë dukuri disi të re, sepse tani është e vështirë ta shmang. Jam në një moshë që korrigjimet bëhen gati të pamundura. Por më ndodhi një bisedë telefonike me një të njohurin tim, që më bëri të mendoja më seriozisht rreth tingëllimit të fjalëve dhe shprehjeve të mija në bashkëbiseduesit apo lexuesit në Shqipëri. E gjithë biseda, disi e ashpër, kishte të bënte me një koment timin në një postim të Peleshit lidhur me Festivalin MIK, ku i sugjeroja të “këndonte edhe ai me këngëtarët e “këngëve të rrugëve” se nga zëri dhe mendja njëlloj me ta ishte”. I njohuri im kishte reaguar i nervozuar duke më pyetur ç’doja të thoja me “këngëtarë rrugësh” dhe unë e sqarova më hollësisht se bëhej fjalë për “këngët e rrugëve” dhe jo këngëtarët, por shqetësimi im ishte me “degjenerimin e Festivalit” dhe me futjen e një “nate serenatesh” me këngë të rëndomta, të kënduara nga këngëtarë jo të shquar.

Më pas erdhi telefonata që më kërkonte tërheqjen nga fraza “degjenerim i Festivalit”, nga shprehja “këngëtarët e rrugëve” dhe për mungesën e shkollimit të ndonjë këngëtari. U kërkua nga unë fshirja e komentit, gjë për të cilën ja bëra të qartë se nuk mund ta bëja.

Me durim shpjegova që “degjenerim i Festivalit” nuk ka të bëjë me ndonjë insinuatë për degjenerim moral të tij. Ka lidhje me rënien e nivelit artistik dhe të ndryshimit për të cilin është krijuar. Gjithashtu ‘këngët e rrugëve” nuk përdoret nga unë për të denigruar këngët e krijuara në vite, të cilat për shumë arsye, në kohën e diktaturës nuk u ngjitën në skenë. Ai këmbëngulte që çdo gjë e shkruar nga unë ishte nga mllefi për Nikon ose ndonjë tjetër, se unë nuk e kisha parë shfaqjen që ishte duartrokitur frenetikisht, se këngëtarja që kisha nënvleftësuar pat arritur një Do diezis gjatë këngës, se unë nuk kam idenë e muzikës se jam jashtë këtij zanati, se shfaqja ishte kuruar me shumë profesionalizëm, se buxheti i Festivalit është shumë i vogël e të tjera të ngjashme.

Unë vazhdova të shpjegoja me durim dhe tonet u ulën, por në mendje më mbeti ky “keqkutpim” i lidhur me disa shprehje të mijat. “Rënia e nivelit të një veprimtarie” për mua është “degjenerim”, por ndoshta kjo tingëllon rëndë në Shqipëri dhe veçanërisht në Korçë. Më kujtoi kur një shoqe e klasës në gjimnaz u “çakordua” kur mësuesja kujdestare ju tha asaj se me disa shoqe të tjera ishin bërë “grupazh”. O të dëgjoje reagimin e vajzës së akuzuar për “grupazh”!!

A ndoshta e gjithë qasja e ime ndaj Festivalit dhe problemeve të tjera në Korçë, tingëllon “armiqësore”, “e ashpër” dhe “anglo-saksone”.

Për fat të keq (kryesisht timin) unë nuk mund të shkruaj si “bonist”. Nuk bëj madje as deklaratën mëdyshëse të Petro Dulës “jam jam i mirë, s’jam s’jam s’jam i mirë“, të cilën e fusin në “serenatat” tashmë.

Unë shkruaj (qoftë me gabime) atë që mendoj dhe ndjej në një çast të caktuar. Ose duke e përkthyer në tironsen e sotme, ç’ka ndjej “për momentin”.

Më pas “momenti” kalon dhe unë jo rrallë pendohem për postimin. Por kurrë nuk e fshij, sepse nuk ka më asnjë kuptim. Eshtë më mirë të kërkosh falje për gabimin ose pasaktësitë.

Qoftë edhe kur ke akuzuar një Festival aspak të degjeneruar!

No comments:

Post a Comment