Sunday, 5 July 2026

Ziba


Ajo është një grua e re, ndodhta diçka rreth të 40-ve, që me ndryshimet e sotme në moshë, më duket jo e natyrshme ta quaj “mesogrua”. Ka një lëkurë tejet të bardhë dhe flokë bionde, ndërsa buzëve ve një të kuqe të fortë, që i bën t’i dallohet edhe më shumë cipa e hollë e lëkurës dhe sytë bojëqielli. E gjatë dhe e përmbajtur, më kishte lënë përshtypjen se ishte ruse ose polake, mbase edhe finlandeze. Kur e pyeta një ditë, më çuditi kur më tha se ishte iraniane nga të dy prindërit. I thashë se e kujtoja skandinave ose sllave dhe buzëqeshi. Sot, kur nisa këtë skicë-portret, kontrollova në google dhe pashë se emri i saj në persisht kishte kuptimin “Bukurie”. Kishte edhe tek ne dikur vajza dhe gra me emër të tillë, që zakonisht i thërrisnim “Bukri”, por nuk kujtoj ndonjë që të dukej si ruse apo skandinave.

Kur e takoja (rrallë) e pyesja për gjendjen në Iran dhe nëse kishte qënë më parë në mbështetje të Shahut apo të qeverisë që rrëzoi me grusht shteti Pahlevi. Më ishte përgjigjur që nuk kishte simpati për Shahun dhe familjen e tij, por pa treguar ndonjë simpati për ndonjë krah politik të Iranit. Sigurisht që ishte kundër regjimit dhe për atë gjë mjaftonte pamja e saj si dhe fakti që kishte emigruar familjarisht në Montreal.

Në dhjetor e pyeta për protestat dhe më tregoi me shqetësim se kishte të afërm të saj në Teheran dhe sipas telefonatave të pakta që mund të bënin, po vriteshin me mijëra njerëz. Ndjehesha keq për të dhe gjithë iranianët, që kisha njohur, se thuajse të gjithë kishin njerëz të afërm në Iran dhe e urrenin regjimin.

Më pas filluan bombardimet dhe për javë të tëra unë nuk isha në Kanada dhe nuk e kisha parë më. Nuk dija nëse i kishte ndodhur gjë të afërmëve të Zibas apo të të tjerëve iranianë, që kisha njohur kalimthi. Si e kam shprehur në disa shkrime, kam qënë gjithë kohën përbuzës ndaj regjimit anakronik dhe shtypës të Iranit, por në kohën e luftës isha edhe më përbuzës ndaj Trump dhe Netanjahut.

Dje e takova Ziban. Kishte të njëjtën pamje të përmbajtur, të një gruaje fisnike, që kujdeset të bëjë mirë punën e saj dhe më pas të nxitojë në shtëpi për tu kujdesur për familjen. E pyeta për të afërmit në Teheran. M’u përgjigj që janë mirë. Nuk ishte as e gëzuar dhe as ndjehej se kishte një çlirim që kishte armëpushim.

E pyeta se si kishin ndikuar bombardimet në gjendjen e iranianëve.

U bë më keq për popullin tim. Më keq se ishte në dhjetor!”- kaq më tha dhe e kuptova që nuk kishte dëshirë ta pyesja më shumë. Dukej që shpresat që regjimi të rrëzohej ishin shtyrë të paktën edhe disa vite të tjera. U largova duke menduar se sa e pafuqishme është shoqëria njerëzore për të ndihmuar popullin e Zibas. Një popull me një kulturë të lashtë dhe jo i vogël në numur, por që vuan prej gati 50 vjetësh nën një regjim të egër mesjetar. Më i keq edhe se regjimi në Spanjë në kohën e Inkuizicionit.

Por Njerëzimi është i pafuqishëm jo për shkak të demokracive-liberale dhe dobësive që kanë sjellë ligjet ndërkombëtare të krijuara prej tyre. Eshtë i pafuqishëm sepse “kundërshtarët më të egër” të Iranit janë Izraeli dhe Amerika, të cilat nuk kanë mbështetjen e popujve për shkak të politikave të tyre të dy standarteve. Eshtë i pafuqishëm, sepse Kina, ky gjigand ekonomik ka interes të blerë naftë të lirë dhe nuk i bëhet vonë për shkeljen e të drejtave njerëzore të iranianëve. Eshtë i pafuqishëm, se Rusia e ka bërë aleat, për arsye gjeopolitike.

Ndaj dhe Ajatollahët, njëri pas tjetrit, arrijnë të sundojnë një popull të zhvilluar edhe pse kanë mbështetjen vetëm të një pakice, asaj më të paarsimuarës iraniane.

Para 20 vjetësh, një mësuese matematike hebre në Toronto, më theshte se iranianët janë nxënësit më të shkëlqyer në shkollat e mesme të Torontos. Nuk ishte një deklaratë e pabazuar, por edhe nëse kishte ndonjë teprim, ishte tregues i talentit të një populli të vjetër. Unë nuk di se sa të dalluar janë fëmijët e Zibas në Montreal, apo nipërit dhe mbesat e saj në Teheran. Di vetëm që është një popull prej 90 milionësh, të cilin nuk e ndihmon dot Bota e zhvilluar të lirohet nga një regjim mbytës. Por ta ndihmojë jo duke bombarduar shkollat ku vriten dhjetra fëmijë, por duke ushtruar trysni me të gjitha mjetet e mundura (jo raketa) për ta rrëzuar.

Ndahesh nga Ziba dhe nga iranianët e tjerë me një ndjenjë faji.

Fajin e pafuqisë që, ke si njeri që vlerëson shumë Lirinë, për të ndihur dikë që e vlerëson po aq sa edhe ti.

No comments:

Post a Comment