Thuajse të gjithë që akuzohen për diçka në publik thërresin me zë të larëtë: “Më trego provën!” ose “Mbi ç’prova e mbështet!” Përvoja e jetës më ka bindur se në 99.99% të rasteve, ata që mbrohen në këtë mënyrë janë fajtorë për atë që ju thonë në sy gazetarët, opinionistët apo kundërshtarët e tyre. Dhe nuk është fjala vetëm për politikanët. Për të gjithë llojet e profesioneve duke nisur me akademikët, biznesmenët, shoferët e urbaneve, shefat e policisë, avokatët, mjekët dhe deri tek poetët.
Para dy javësh, një i njohuri im, që shkruan vjersha, më kërkoi “provën”, pasi i thashë në një grup Interneti, faqe disa bashkëmoshatarëve “pres prej vite të bësh diçka për të shlyer atë vjershën që ke bërë për Niko Peleshin”. Reagimi ishte gati “ligjor”, ndonëse dhe ai vetë nuk ishte i sigurt në e kisha unë ‘provën” apo jo. E kisha lexuar atë vjershë gati 10-12 vjet më parë dhe ata që ma kishin dërguar më kishin përmendur edhe komentet e vetë autorit rreth motiveve për vjershën. Sigurisht që nuk e kisha ruajtur edhe pse kisha shkruar disa herë në blog rreth saj.
Të mbledhurit e “provave” nuk është puna as edhe një gazetari opinionist dhe jo më e imja, që kam një blog personal ku shkruaj opinionet e mija rreth atyre që ndodhin dhe kanë ndodhur në botë. Nëse do mbaja “prova” për gjithshka që kam shkruar, nuk do më mjaftonin dhomat e shtëpisë sime, por mbase as edhe një magazinë e marrë me qera.
Por le ta lemë “bejten kushtuar Peleshit’ dhe të përqëndrohemi në ajo çka është e rëndësishme dhe që ka të bëjë jo vetëm me fjalën e shkruar. Ka të bëjë jo vetëm kur dikujt i përmend në sy diçka që njihet nga më të shumtit e njerëzve. Ka të bëjë edhe me bisedat e lira, kur flasim për ngjarje, për njerëz realë dhe për personazhe të historisë. A kemi “prova” për gjithshka që themi?
Eshtë e pamundur! “Larg qoftë!” nëse hyj në një debat me Alfred Cakon unë nuk kam “provë“ se toka është e rrumbullt dhe jo “pjatë“ si thotë Fredi i Bajramit.
Dhe thuajse kjo vlen edhe për çdo gjë tjetër që diskuton dhe përmend, që konsiderohen “fakte të njohura”, jo se ti ke ndonjë provë, por Njerëzimi e ka pranuar si diçka me një probabilitet të lartë. Për shembull unë kam përmendur imoralitetin e Feçor Shehut, që ishte i njohur në Tiranë kur ai “ishte ende majë kalit”, por edhe sot nuk kam ndonjë “provë“ për të.
Dhe nsëe ju rikthehem disa mijëra postimeve që kam në blog, me siguri që vetëm për disa mund të gjej shpejt e shpejt një “provë të pakundërshtueshme”, e cila mund t’i rezistojë edhe një verifikimi ligjor në një gjykatë të paanshme.
E nisa këtë shënim jo se dikush më ka sfiduar ligjërisht prë diçka që kam shkruar ‘të zezë mbi të bardhë“, por se gjithnjë e mendoj se sa e vështirë është për gazetarët investigativë të mbledhin prova. Gjithashtu se sa e vështirë është të diskutosh me dikë, që preket vetë ose jo, por për çdo lloj shtjellimi apo tregim të një ngjarjeje të kërkojë prova. Si provë, as kujtesa e jote nuk mund të shërbejë, se si është e provuar në kriminalistikë dhe gjatë hetimeve serioze në botë, edhe dëshmitarët okularë nuk e kujtojnë të njëjtën ngjarje njëlloj. Madje pas disa vitesh edhe ata vetë nisin të kundërshtojnë dëshmitë e mëparshme dhe jo se e bëjnë qëllimisht, por se “prova” në mendjen e tyre është turbulluar dhe “përdredhur”.
Ndaj kur shkruaj se Rama, Meta, Peleshi dhe shumë të tjerë janë hajdutë unë nuk kam as minimumin e provave. Pranohet si “fakt i njohur” nga të gjithë sepse ka aq shumë dëshmi njerëzish të besueshëm, që në dhjetra e dhjetra afera, këta njerëz kanë marrë para nga të taksapaguesve. Meta po përballet edhe në gjyq, por përderisa nuk është shpallur fajtor, sipas vjershëtorit që përmenda në hyrje, as për atë unë nuk kam ndonjë “provë“.
Unë nuk kam ndërmend të mbledh prova.
Por nuk kam ndërmend edhe të heq dorë nga e shkruara. Të përmend ato që di. Të quaj si të vërteta ato gjëra që i kam besuar dhe pse as i kam parë dhe as kam pasur kontakt me ndonjë prej shqisave të mija me to.
Dikur me shaka kam shkruar, se unë nuk kam “provë“ as se kam lindur në Maternitetin e Korçës mëngjesin e 16 shkurtit të vitit 1959.
Por kam besuar prindërit e mij, që më kanë thënë këtë gjë, kur kam filluar të kuptoj dhe më pas kam parë çertifikatën e lindjes të lëshuar nga Gjendja Civile e Korçës.
(Nuk di nëse dhe kjo përbën ndonjë provë, se ka qënë im atë që i ka deklaruar nëpunëses së Gjendjes Civile se ka lindur i biri, Naumaq, në atë ditë dhe ajo e ka rregjistruar.)
No comments:
Post a Comment