Eshtë vërtet paradoksale gjendja në të cilën ndodhen votuesit shqiptarë para këtyre zgjedhjeve vendore. Në njërën anë janë kandidatët e qeverisë më të korruptuar, që ka parë deri tani Shqipëria dhe në anën tjetër qëndrojnë kandidatët e Berishës dhe Metës. Edhe pse mund të flitet për cilësi të veçanta të kandidatëve të veçantë, edhe pse disa prej tyre mund të jenë vërtet njerëz të zotë dhe të mirë, edhe pse mund të thuhet se këto nuk janë zgjedhje politike, ajo që dihet nga kushdo është - Në Shqipërinë e tranzicionit të gjitha zgjedhjet janë politike.
Duke parë me syrin jo thjesht të së mirës së vendit, por përgjithësisht
të së mirës së shumicës, të duket se pushteti autokratik i Ramës duhet
kufizuar. Dhe për këtë është mirë t’i jepet një sinjal i fortë me marrjen e sa
më shumë bashkive nga opozita. Kjo do shtonte mundësinë, që në zgjedhjet e përgjithshme
të vitit 2025, Rama të largohej nga qeverisja.
Por (dhe ky është një por i madh), fitorja e opozitës në
shumë bashki, ose një rezultat shumë i mirë në totalin e votuesve do “çimentonte”
Berishën dhe Metën si krerët një koalicioni që mund të qeverisë në të ardhmen.
Kjo do të thoshte një zhgënjim të plotë të amerikanëve dhe europianëve, të cilët
duan largimin nga skena politike të këtyre dy politikanëve të korruptuar dhe
kundërshtarë të reformës së domosdoshme në fushën e Drejtësisë.
Votuesi i shkretë shqiptar është në një mëdyshje të madhe
nëse duhet të votojë për “monstrën” që është duke qeverisur, apo për rikthimin
e dy “monstrave”, të cilat shpresonte se do ishin larguar njëherë e për
gjithmonë. Vetë mbijetesa e këtyre të dyve në politikë tregon se sa e fuqishme
është paraja, që klanet e tyre kanë grumbulluar. Ndaj mëdyshja është thuajse
tragjike, sepse një votë sërish për klanin e Rilndjes do të thotë edhe më shumë
para për ta dhe një jetëgjatësi më të madhe në politikë. Instiktivisht, i
ndodhur para breshërit në një anë dhe shiut nga ana tjetër, i riu shqiptar
zgjedh të rrezikojë jetën duke kaluar me gomone La Manshin.
Për ata që nuk ikin
dot në Angli me gomone, gjithsesi duhet të
bëhen sa më pragmatistë dhe mes dy të këqijave duhet të zgjedhin më të
voglën. Dhe jo se Berisha me Metën dhe klanet e tyre janë më pak të këqinj se
Rilindasit, por mosha e shkuar e Berishës e bën më pak të rrezikshëm se Rama.
Meta i vetëm nuk ka elektorat, që mund t’ja zgjatë pafundësisht mbijetesën.
Ndaj edhe pse të pashpresë, votuesit shqiptarë duhet të zenë
hundët, që mos ndjejnë erën e qelbur të Berishë-Metës, të mbyllin sytë për të
mos parë portretet e tyre të pështira, të zenë veshët për të mos dëgjuar
thirrjet e tyre histerike dhe të votojnë kundër Ramës, Veliajve dhe kompani.
Eshtë domosdoshmëri!
No comments:
Post a Comment