Si shumë kolegë të tjerë, sot mora një lajm tejet të hidhur dhe shumë të papritur. Eshtë larguar nga ne pas një infarkti arkitekti i mirënjohur Vladimir Bregu. Më dukej se nuk kisha as një javë, që kisha folur në telefon, por pasi kontrollova, biseda kishte qënë e datës 13 mars.
Një bisedë e qetë dhe e shtruar rreth arkitekturës, si kishin qënë përgjithësisht bisedat me kolegun e shquar. Ladi nuk ngutej dhe i shprehte qartë mendimet e tij. Mendime të konsoliduara rreth artit dhe profesionit tonë
Ishim njohur vonë, ndoshta prej rrethanave të çuditshme, që na kishin mbajtur larg, se ishim rritur në banesa vetëm 200 metra larg në vijë ajrore nga njëra tjetra. Ladi ishte vërtet 5 vjet më i madh se unë dhe në shkolla të tjera, por kisha njohur shumë moshatarë të tij, kurse atij vetëm i kisha dëgjuar emrin kur kisha nisur studimet në arkitekturë. Përgjithësisht dëgjohet emri i të talentuarve. Lad Bregu ishte më i talentuari i një brezi të tërë dhe ndonëse e kishin emëruar në Zyrën e Urbanistikës në Ersekë, ata, të cilët ja njihnin talentin dhe aftësitë e mbanin të punonte në Tiranë nëdrsa vazhdonte të paguhej në Ersekë. Korça (më mirë zyrtarët e saj )nuk kishin ditur ta vlerësonin e ta merrnin për të kontribuar për qytetin. Ndodh jo rrallë me të shkëlqyerit.
Në këtë ditë dhimbjeje, kur mendja nuk largohet nga kjo ndarje kaq e parakohëshme, në fototekën e mendjes rikthehen çastet kur pata takuar për herë të parë dikë, që e admiroje pa e njohur. Ishte pranvera e vitit 1993, kur një klient i joni, për një vepër të rëndësishme të tij, kërkonte përfshirjen në grupin e projektimit të Ladi Bregut. Kur e takova para Ministrisë së Arsimit, bashkova figurën e një njeriu që e kisha parë shpesh në Korçë me veprat e rëndësishme, të cilat kishte projektuar. Më kishte lënë përshtypje të veçantë projekti i tij i diplomës, të cilin e studioja në Arkivin e Universitetit dhe natyrisht Pallati i Kongreseve dhe Piramida, në të cilat kishte qënë autori kryesor.
Vite më vonë, kur e kisha takuar disa herë në Toronto dhe në Tiranë, mundohesha të zbërtheja enigmën "Ladi Bregu", që ishte aq i qetë dhe konservator në dukje dhe aq shpërthyes dhe emocional në arkitekturën e tij. Të befasonte vazhdimisht me ato, që projektonte dhe dukej se nuk kënaqej kurrë ndaj dhe gërmonte edhe më thellë profesionit. Kishte një gërshetim të talentit me një edukatë të lavdërueshme pune, që gjithmonë shpije në sukses.
Arkitektura e Ladit nuk njihte stanjacion. Ishte gjithmonë në rritje dhe kërkim. Nuk ishin cilësi këto që ai i deklaronte në biseda, por dukeshin në punët e tij gjatë viteve. Ata, të cilët kanë pasur fatin të punojnë me të, i njohin më mirë këto. Konstatimet e mija janë nga ato që kam parë në veprat e tij në Shqipëri dhe që ndoshta nuk i njoh të gjitha.
Njeriu dhe profesionisti, kanë raporte të ndryshme me familjen, miqtë, kolegët, profesionin dhe atdheun. E përbashkëta në ditën e sotme është Zija. Më shumë për njerëzit e afërm, por unë do e rendisja shumë pranë edhe Zinë për arkitekturën shqiptare. Arkitektë si Lad Bregu nuk dalin çdo vit. Janë të rrallë. Ndaj edhe pse veprat e lëna janë të shumta, boshllëkun që lenë në arkitekturën e një vendi ështëi pazëvendësueshëm. Ladi ishte në fundin e të 60-ve dhe sikurse bëmë shaka në bisedën e fundit duke cituar Renco Pianon "Arkitekti mund të quhet i tillë kur ka mbushur 70. Atëhere nis të projektojë si duhet."
Do kishte bërë shumë për Tiranën dhe qytetet e tjera të Shqipërisë (përfshi edhe Korçën e tij) nësefati i keq nuk do e kishte marrë kaq shpejt.
Përulem me shumë dhimbje para teje i dashur Ladi!
No comments:
Post a Comment