Thursday, 9 March 2023

Dita e punonjësve të seksit

 

Duhet ta pranoj se jam tapë topi në njohuritë rreth festave. Nuk di as se nga ka rrjedhur ky ç’interesim i imi dhe veç Festës së 1 majit, Gruas, Mësuesit dhe 1 qershorit, nuk di asnjë ditë tjetër, që lidhet me një grup të caktuar njerëzish. Pardje dëgjova ne Radio se data 6 është Dita e Dentistit dhe duke qënë se në botë ka shumë profesione dhe grupime shoqërore, me siguri që të gjitha ditët janë të zëna. Për arsye të panjohura mendja më shkoi në hidraulikët dhe punonjëset e seksit. Mendova që për këto grupe nuk duhet të ketë një ditë të veçantë festimesh, por isha plotësisht i gabuar. Hidraulikët festojnë më 11 mars dhe më e rëndësishme akoma është se prostitutat dhe prostitutsit festojnë më 2 qershor.

U thellova më shumë në kërkim se përse është zgjedhur një ditë pas Festës së Fëmijëve të festohet kjo festë, që në gjuhën e zakonshme quhet Dita e Kurvës. Kurvërimi nuk përshtatet me fëmijët se është një akt që në bazë ka mosdëshirën për të riprodhuar. Por dita ka dhe një bazë themelore historike. Më 2 qershor 1975 në Lion, punonjëset e seksit u hodhën në grevë për të protestuar ndaj përndjekjes nga policia franceze. Pushtuan një kishë dhe protestuan gjërësisht dhe ndonëse protesta u mbyll me dhunë, prej asaj dite, në disa nga vendet e zhvilluara europiane, kushtet e punës të protistutave u përmirësuan së tepërmi.

Meqënëse çdo temë , e cila lidhet me seksin ka dhe pjesën e saj qesharake (ose njerëzit qeshin lehtësisht me ç’ka lidhet me të) edhe mua mendja më harbon në mënyrën se si e festojnë kurvat dhe kurvarët festën e tyre.

Bëjnë shërbime falas? Nuk punojnë atë ditë por dëfrejnë për qejf të tyre? Lenë vetëm një grup “dezhurni” për klientët dhe klientet shumë të ndezur/a? Po padronet e shtëpive publike dhe punonjësit e tjerë ndihmës (kodoshët që mbajnë fenerët ose legenët) festojnë? Po politikanët duhet ta festojnë këtë ditë?

Menjëherë të shkon mendja se materiali është shumë shumë i gjërë dhe përmban teza për disa disertacione të PhD. Janë me dhjetra faktorët ekonomikë, fetarë, moralë, shëndetsorë, kulturorë, etnikë, historikë që duhen marrë parasysh nëse të do të bësh një disertacion serioz për Festën e punonjësve të seksit. Sepse jo më kot quhet edhe profesioni më i vjetër në botë. Dhe mendo sikur nga kërkimet shumë shkencore të gjesh se cila ka qënë Kurva e parë në Historinë e Njerëzimit. Më shumë duhet të klithësh “Eureka” se Arqimidhi. Dhe të supozojmë se ajo ka qënë në kohën e Komunitetit primitiv, kur nuk ishte shpikur paraja, a duhet të quhet profesioniste e seksit, një që ofron shërbimin “e magjishëm” në këmbim të një kofshe kaprolli?

Një shënim i kësaj natyre mund të vazhdojë pambarim, mund të jetë edhe temë e një Tryeze të Rrumbullakët të njerëzve pa paragjykime, por them se gjithshka në fund do jetë një “vërë në ujë“ dhe si dihet prej shekujsh Vëra në ujë nuk vlen për asgjë. Edhe nëse të jepet falas.

No comments:

Post a Comment