Saturday, 11 March 2023

“Idealet” e Azem Hajdarit

 

Në 60-vjetorin e Azem Hajdarit nuk po mungojnë “trumpetat” rreth rolit të tij në rrëzimin e Diktaturës shqiptare dhe më shumë akoma për idealet e tij. Eshtë për të ardhur keq, që edhe pas kaq e kaq vitesh, mediat shqiptare nuk thonë të vërtetën rreth Hajdarit dhe”idelaeve” të tij.

Hajdari është përfaqësuesi tipik i një grupi vagabondësh nga Veriu, të cilët panë në rënien e komunizmit në vendet e Europës Lindore, mundësinë për të hyrë në jetën politike shqiptare për para dhe pushtet. Nuk ka asnjë rëndësi nëse kanë qënë apo jo të futur nga Sigurimi i Shtetit. Ishin disa të tillë, që nuk mund të ishin idealistë, pikërisht sepse ju ka munguar formimi jetësor për të qënë idealistë. Synime të ngjashme kishte edhe Berisha, por për shkak të sofistikimit të tij në gati 30 vite jete në Tiranë, ishte më i përmbajtur se Hajdari.

Në 7 vite të jetës së tij në majën e politikës shqiptare, Hajdari u pasurua në mënyrë banditeske, përdhunoi si një pervert ordiner, organizoi intriga për të vrarë njerëz, u morr me kontrabandë armësh dhe nafte duke bërë ç’ka kishte në dorë si një kriminel karriere që mbrohet nga politika. Në mënyrë të ngjashme me të vepronte “kafazi” i Berishës Izet Haxhia me vëllezërit e tij, Haklajt e Tropojës dhe të tjerë njerëz të zonave të thella në kufi të Kosovës, që sollën dhjetra vrasje në ato zona në vitet ’90.

Fundi i Azem Hajdarit, i pritshëm ose jo, erdhi pikërisht nga përplasjet për kontrabandë armësh dhe vrasje njerëzish, midis grupeve kriminale të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste. Kjo është e njohur mirë, e dokumentuar dhe megjithatë nuk ka penguar, që Hajdarit t’i ngrihen përmendore dhe sot të flitet për idealet e tij.

Dhe “idealet” e tij sot janë të gjalla dhe janë shpënë më tej nga Rilindasit. Janë idealet për tu pasuruar shpejt duke përdorur pushtetin si mjet presioni për të vjedhur pasuritë shtetërore dhe jo vetëm ato. Për të vjedhur edhe pasuritë dhe pronat e individëve. Metodat ndoshta nuk janë ato të Azemit, që ishte i pagdhendur dhe i nxituar, por qëllimet janë të njëjta dhe rezultatet nuk kanë munguar. Shqiptarët jetojnë në një Republikë Hajdariste, që nënkupton gërshetimin e segmentëve të shtetit me organizatat kriminale. Ndaj dhe nguten të largohen nga një vend, që është shumë më i pasur se ç’ka qënë 30 vjet më parë.

Shqipëria do jetë një vend për të qënë, kur njerëz me “ideale” të tilla mos jenë në krye të shtetit. Një ditë bajagi e largët.

No comments:

Post a Comment