Wednesday, 1 March 2023

Indiferenca jonë gjatë Luftës së Dytë (fund)

 (vijim)


Edhe i gjithë viti 1941 vazhdoi me të njëjtën indiferencë të popullsisë, me burrat që diskutonin kafeneve se do fitojë Hitleri, që po i pushtonte të gjithë vendet në dy javë, apo Anglia me të tjerët, po qe se futej dhe Amerika në luftë, do i bënin ballë. Nuk kishte ndonjë arsye të fortë “shqiptarizmi”, që të organizoheshin kundër Italianëve, sepse pas hyrjes së gjermanëve në Jugosllavi dhe Greqi, Shqipëria e Madhe po ju pëlqente nacionalistëve.

Deri në Nëntor 1941, kur formohet Partia Komuniste, nuk ndjehet asnjë organizim antitalian në Shqipëri. Deri në sulmin e hitlerianëve ndaj Bashkimit Sovjetik, komunistët shqiptarë (të pakët dhe pa ndonjë ndikim në popullsi) ishin ende me idetë se imperializmi Italian do sjellë krijimin e klasës punëtore dhe si rrjedhojë më vonë edhe revolucionin proletar. Udhëzimet e Kominternit të verës të atij viti, i nxorrën nga “ëndërrat” për “revolucion proletar” dhe i udhëzuan drejt organizimit ose përfshirjes në Fronte nacionale kundër Boshtit.E megjithatë komunistët ishin edhe të pakët, por edhe pa asnjë mbështetje financiare (në ato vite Bashkimi Sovjetik vuante për ndihma në armë dhe para) ndaj nuk mund të bënin më shumë se të hidhnin ndonjë trakt.

I gjithë viti 1942 kaloi po në të njëjtën “qetësi”, por me një interesim më të madh dhe ndihmë financiare të anglezëve dhe me orientimin e një pjese të popullsisë proamerikane kundër Boshtit. Tashmë Amerika kishte hyrë në Luftë dhe shumë pjesë të popullsisë, që besonin në idealet e saj demokratike nisën të mendonin më aktivisht për përfshirje në një rezistencë kundër okupatorëve. Nën ndikimin e jugosllavëve dhe anglezëve u krijua Fronti Nacional Clirimtar në shtator 1942, që pas 3 vjet e gjysëm pushtimi është e vetmja ngjarje që shënon angazhimin shqiptar në luftë kundër pushtuesve. Thellësisht i zbehtë ka qënë në atë kohë edhe roli I Mbretit Zog në mërgim. Ai nuk mundi të fitonte në Angli statusin e një partneri të denjë për të luftuar Italinë, që do sillte edhe mundësinë e kthimit të tij në fron pas luftës.

Po nënvizoj sërish diçka , që e kam shkruar edhe më parë. Elita shqiptare e kohës është përgjegjësja kryesore për ardhjen në fuqi të komunistëve në Shqipërinë agrare dhe të prapambetur dhe pa asnjë traditë sindikaliste dhe komuniste. Ishte pikërisht mosorganizimi i tyre gjatë luftës në struktura politike-patriotike-antifashiste, që krijoi vakumin e shfrytëzuar menjëherë nga një numur shumë i vogël komunistësh të drejtuar nga dy komunistë jugosllavë.

Komunistët ditën të organizoheshin dhe të krijonin një lëvizje rezistence në pjesën më të madhe të Shqipërisë, veçanërisht në atë të jugut. Veç nxitjes së menjëhershme të rinisë shkollore, e cila është nga natyra idealiste, ata dora dorës gjetën mbështetje edhe në zonat rurale, duke krijuar aleanca me njerëz të pasur dhe me ndikim në ato zona. Nuk ka dëshmi të sakta se ç’ju premtua të pasurve, sepse përralla e një “patriotizmi të beftë“ pas 4 vite pushtimi është diçka , që nuk mban shumë ujë. E megjithatë të rrjeshtuarve në Fronti ju duhet njohur merita se ishin në anën e drejtë të historisë botërore, sepse ishin kundër Boshtit. Nuk ka rëndësi se cilat ishin motivet: lufta për të marë pushtetin më pas, përkrahja ndaj luftës së Bashkimit Sovjetik apo të tjera motive.

Indiferenca e shprehur nga shumica e shqiptarëve gjatë 3-4 viteve të para të pushtimit ishte arsyeja kryesore, që në Konferencën e Paqes në Paris, Shqipëria nuk ishte as mes fituesve dhe as mes humbësve të Luftës së Dytë. Enver Hoxha u mundua të luante në Konferencë kartën e 28 mijë dëshmorëve (shifër tejet e ekzagjeruar), por kjo nuk mund të bindte anglezët, të ciliët e njihnin me hollsi rrjedhën e përpjekjeve shqiptare kundër italianëve dhe gjermanëve. Ata gjithashtu dinin se shumë shqiptarë ishin vrarë në luftë me njëri tjetrin për të kapur pushtetin. E megjithatë, ato përpjekje luftarake dhe gjaku i shumë të rinjve fatkeqë bënë, që kufijtë e Shqipërisë të ruheshin, sikundër kishin qënë para fillimit të Luftës dhe kjo nuk ishte e pakët.

 

No comments:

Post a Comment