Thursday, 9 March 2023

Intelektualë me tepri

 

Ndoshta e kam nënvizuar idenë time “antintelektuale” në një shënim të hershëm, por nga që has kudo përdorimin e pavend të këtij nocioni, po e prek sërish. Në atdhe duket se intelektualët janë më të shumtë se preshtë. Cdo parti pretendon se ka me qindra intelektualë të gatshëm për të mbushur këshillat bashkiakë të kushedi se sa bashkive nga Tirana e deri në Finiq.

Vite më parë, në një lokal në qytetin e lindjes, një burrë në moshë në tavolinën ngjitur me mua, i drejtohej “ti si intelektuale”, një gruaje, të cilën e dinja se “me shqelma” kishte mbaruar universitetin, madje natën. Ndoshta donte të flinte me të.

Një miku im në diasporë, që ka punuar si përkthyes për shqiptarët e sëmurë në spitalet e vendit të huaj, më tregonte se sa me fat kishte qënë, se të gjithë të sëmurët kishin qënë intelektualë. Nuk di se si mund të përfitosh nga intelekti i dikujt që ankohet se i dhemb mëlçia edhe sikur ai të jetë një nxënës i Ainshtajnit apo i Bill Gates.

Shembuj tregimesh me intelektualë mund të rrëfesh me qindra. Sepse numuri i intelektualëve është jashtëzakonisht i lartë në trevat tona.

Sipas fjalorit të Kembrixh, “intelektual është një person, jeta e të cilit është përqëndruar në studimin dhe përdorimin e ideve.” Ndoshta kjo është edhe arsyeja, që në vendin tonë ka shumë intelektualë. Sepse shumica dërmuese e shqiptarëve ka shumë ide. Dhe është e mjaftë të thuash “më ka lindur një ide” që të etiketohesh “intelektual”. Po qe se ke mbaruar një universitet, pa diskutim që je intelektual, se gjatë studimeve të kanë lindur shumë e shumë ide. Dhe jo vetëm të kanë lindur, por dhe i ke studiuar. Edhe nëse provimet i ke marrë duke paguar. Një i njohuri im, që ka ndjekur këtë proçedurë dhe ka vënë tani syze e meriton të quhet intelektual edhe pse nuk ka lexuar kurrë ndonjë libër. Po edhe në fjalorin e Kembrixh fjala libër nuk përmendet në përkufizimin e intelektualit. Mjaft të ketë studiuar ide.

Etiketa “intelektual” e shoqëruar me kravatë dhe syze optike të ndih në karrierën politike. Duhet vetëm të mos e hapësh gojën shpesh dhe të miratosh me kokë i menduar. Një mjek, që nuk ka ushtruar kurrë profesionin e tij, vetëm duke mbajtur syze dhe duke tundur kokën në shënjë miratimi, ka disa legjislatura si deputet. Dhe nuk është i vetmi.

Ne jemi pas Indisë, vendi me më shumë intelektualë për frymë në botë. Dhe megjithë “rrjedhjen e trurit” tash e 32 vjet, ne vazhdojmë të kemi tepri intelektualësh, idesh të studiuara prej tyre dhe sigurisht edhe aplikime. Tek kjo tepri është edhe problemi jonë. Nuk ka kush të punojë! Përputhje e plotë me shprehjen reaksionare – “po të ishte puna e mirë, punonte dhe intelektuali.”

A duhet të pakësojmë numurin e intelektualëve?

Kjo jo vetëm është kundër përparimit, por dhe gjenetikisht e pamundur, sepse nga një çift intelektualësh do vazhdojnë të dalin edhe 3-4 intelektualë të vegjël e kështu me rradhë. Deri në amëshim.

Perënditë dhanë dënime të ndryshme për Prometeun dhe Sizifin. Shqiptarin e dënuan me intelektualizëm të përjetshëm.

 

No comments:

Post a Comment