Një nga premtimet e Raqkës për të fituar zgjedhjet vendore është dhe ngritja në Korçën e Madhe (Greater Korça) të Muzeut të Rakisë. Eshtë caktuar edhe vendi, që mendohet të jetë diku mes Drenovës, Boboshticës dhe Qatromit, që tamam tamam i bie të jetë në Sallxhas. Me premtimin për Raki-Muze garantohen votat e të gjithë sarahoshëve, që jetojnë në Bashkinë e Korçës, gjë që siguron fitoren e Raqkës pas vështirësive të zgjedhjeve të vitit të kaluar, kur diferenca me opozitën ishte e vogël. Pra një veprim shumë i mençur elektoral. Të gjithë pijanecëve më të njohur ju janë kërkuar fotografi me premtimin se do jenë në stendat e Muzeut të Ri. E kush nuk do të hyjë në histori!
Po si lindi idea e Muzeut të Rakisë?
Ishte një tetëdhjetvjeçare nga Boboshtica, e cila kishte në
qilaret e saj raki të dhjetvjeçarëve të kaluar, madje edhe një të zjerë për
fejesën e saj, që sipas llogaritjeve të përafërta duhet të ishte një raki 63
vjeçare. Pasi Niko-Ministri piu një gotë nga kjo raki pati një ndriçim në
mendje për të hapur një Muze, sepse Festat dhe Festivalet ishin të zëna nga
produktet e tjera gastronomike. Ja caktoi detyrën për studime më të thella
Niko-Studiuesit dhe platforma e Muzeut tashmë është e gatshme.
Nën logon “Ta kisha çezmën me raki”, brenda vitit 2024 do
hapet Muzeu, i cili do ketë 4 pavione. “Lëngu magjik, që vjen nga thellësitë e
historisë“, “ Pushtuesit turq dhe prohibicioni”, “Diktatura dhe përdorimi i rakisë
për agjitacion e propagandë“ dhe “Rilindja e distiluar”.
Niko-Studiuesi ka qysh tani në koleksionin e tij një enë
balte të zbulimeve të Maliqit, që përdorej për fermentimin e rrushit, fermanin
e Sulltan Mehmetit të Tretë, që ndalonte prodhimin e rakisë në trevat
shqiptare, një llulla bakri që daton përpara periudhës së hekurit dhe opingën
me të cilën kishte pirë raki Osman Takeja para se të luante vallen e famshme në
tepsi pesqindshe. Po sigurohen dora dorës eksponate të vjetra damixhanesh,
plloskash, shishesh, faqorkash disa të mbushura me raki mani, rrushi, kumbulle,
thane, frutash të periudhave të ndryshme kohore. Rakia e dëllinjës nuk do
lejohet të ekspozohet sepse Europa e Bashkuar e quan xhin.
Ka ende diskutime nëse duhet të ketë apo jo një stendë për
Luftën nacional çlirimtare, sepse raki pinin kryesisht përfaqësuesit e Ballit
Kombëtar, ndërsa partizanët nuk e vinin në gojë. Ata shokë të udhëheqjes, që më
vonë të thanin për raki, e mësuan pas luftës kur “jetonin, mendonin, punonin
dhe pinin si revolucionarë“.
Lajmi ka ngjallur interes të madh në botë dhe sipas
agjensive turistike, që tani kanë filluar prenotimet për tetorin e vitit 2024,
kur mendohet të hapet Muzeu, periudhë që përkon edhe me nxjerrjen e rakisë së
re. Do ketë nevojë të madhe për guida turistësh, pasi mendohet se të gjithë të
huajt e trullosur nga rakia e Muzeut dhe kioskave përreth do kenë vështirësi për
tu kthyer në bujtinat e tyre.
Se helbete në Sallxhas
nuk punon as GPS!
No comments:
Post a Comment