Friday, 10 March 2023

Normal

Ajo po më priste më tej,

Me flokët ngjyer

Dhe rrudha tek sytë.

Nuk dija nëse duhet të trembesha

Apo nga gëzimi të hovja

Për këtë martesë të dytë.

Kishin vite

Të gjithë ata që më duan

Që më thoshin:

“Kjo nuk është jetë,

S’ke përse të jetosh vetë,

Jetën në çift ti nis,

I vetmuar vuan edhe në paradis!”

Dhe unë që në mëdyshje tundja kokën

Frigesha të hidhja të domosdoshmin hap,

Atë që të kthen mes normalëve,

Që të bën të ndjehesh i plotë,

Që qiejt dhe detet të hap.

Më pas,

Në një ditë kur shiu binte litar,

Dhe mungesa e çadrës më zgjoi të tjera ndjenja,

Mendova të gjithë të njohurit përqafuar

Dhe pa u tutur,

Të rëndësishmin vendim thashë të marr.

Në një shitore të pengjeve

E lashë lirinë e vyer,

Tani ajo pak më tej më pret,

Me të ëmbël vështrim,

Me rrudha rreth syve

Dhe flokët e ngjyer.

No comments:

Post a Comment