Wednesday, 22 March 2023

“Viktimat”, që kishin shkaktuar viktima

 

Ka një përpjekje, ndoshta të qëllimshme dhe ndoshta jo, për t’i paraqitur funksionarët e lartë të Nomenklaturës, të cilët u burgosën ose u pushkatuan nga Diktatura si viktima të drejtpërdrejta të Enver Hoxhës dhe të atij sistemi. Nuk mungojnë fjalët e mira dhe deri në superlativa për Liri Belishovën, Fiqrete Shehun, gjeneralët me në krye Beqir Ballukun madje deri tek Feçor Shehu, Kadri Hazbiu dhe Mehmet Shehu. Botohen pa asnjë kontroll (ose të paktën koment redaksional) kujtime të miqve dhe të afërmve të tyre, të cilat jo vetëm nuk pasqyrojnë të vërtetat e asja kohe, por kryesorja është, që viktimizojnë njerëz, të cilët i kanë pasur duart e lyera me gjak.

E vërteta bazë e asaj kohe është se thuajse të gjithë të dënuarit me burgje apo vdekje pas vitit 1960 kishin mbi kurrizin e tyre krime të mëdha. Madje dhe ata, të cilët nuk kishin urdhëruar drejtpërdrejt vrasje njerëzish si ishin Koço Theodhosi dhe Abdyl Këllezi dhe që çuditërisht preken më pak se të gjithë të tjerët në mediat e tyre. Edhe Theodhosi dhe Këllezi kishin ngritur dorën për tu shpallur “tradhëtarë“ dhe për tu pushkatuar shokët e tyre. Ndaj edhe nëse nuk duhet të dënoheshin me vdekje, në ndërgjegjen e tyre rëndonte krimi i rëndë i vrasjes së shokëve për të lënë mënjanë ngritjen e duarve për miratimin e vrasjes së qindra të pafajshmëve.

Rastet e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçor SHehut dhe Mihallaq Ziçishtit janë ku e ku më flagrante se duke punuar në organet e Sigurimit ata kishin vrarë njerëz me duart e tyre. Edhe pse u dënuan për gjoja “tradhëti” ndaj Enverit ata meritonin dënimet kapitale për krimet që kishin kryer gjatë 25-30 vjetëve.

Në rastin e grave të “kupolës” do i rendisja Belishovën dhe Sanxhaktarin po njëlloj si Nexhmije Hoxhën. Me të njëjtat krime në kurriz, me të njëjtat të meta të mëdha në karakter, me ndryshimin e vetëm se duke qënë më e fuqishmja, Nexhmija mbijetoi, ndërsa dy të tjerat vuajtën një pjesë të jetës së tyre. Belishova nuk mënoi të vraponte drejt pushtetit dhe të bashkohej me Enver Hoxhën, kur e dinte fort mirë se ai kishte qënë njeriu, që e shtyri në vetvrasje Nako Spirun.

Sanxhaktari, dëshmitare e krimeve të Brigadës së Parë dhe Mehmet Shehut nuk hezitoi, që për të shpëtuar lëkurën e saj të pranonte “komplotin” e trilluar nga Sigurimi, se Mehmet Shehu kishte urdhëruar Llambi Ziçishtin të vriste Enver Hoxhën duke e helmuar?! Kjo akuzë e rremem e Fiqretes e shpuri Ministrin e Shëndetsisë para togës së pushkatimit, në një kohë kur ishte njeriu më pak i përlyer mes të arrestuarve. Ata që paraqesin Fiqreten si viktimë, mundohen ta paraqesin këtë si përpjekje për të mbrojtur djemtë, por në atë kohë djali i madh kishte vrarë veten dhe dy të tjerët ishin të burgosur dhe pranimi i një komploti nuk shpëtonte askënd veç shoqes Shehu nga pushkatimi.

Diktatura e Proletariatit ishte krijesë e një bande dhe jo e një njeriu të vetëm, ndonëse me të drejtë përgjegjësia kryesore për krimet i takon atij. Në krijimin e atij mekanizmi aq të panatyrshëm për një vend si Shqipëria, që solli humbjen e mijëra jetëve dhe shkatërrimin e jetës së të gjithë shqiptarëve kanë luajtur rol jo vetëm faktorët e jashtëm, jo vetëm Enver Hoxha, por edhe të gjithë ata karrieristë, që e ndihmuan të mbetej gjatë në fuqi, duke spiunuar njëri tjetrin tek Diktatori dhe duke pritur që shpata e tij të binte mbi kokën e rivalëve të tyre brenda Partisë. Ishin këta njerëz pa asnjë parim moral që vranë priftërinjtë katolikë, që urdhëruan burgosjen e të pasurve, që internuan mijëra familje të kundërshtarëve të regjimit, që izoluan vendin më të varfër dhe të prapambetur në botë.

Vetëm viktima nuk kanë qënë!

No comments:

Post a Comment