Thursday, 23 March 2023

Meditim para frigoriferit


E hap derën dhe e mbyll prapë. Nuk ka asgjë të shijshme brenda tij edhe pse nuk është bosh. Më kujtohet dollapi i vogël bukës i fëmijërisë (frigoriferët dolën në fillimin e viteve ’70) dhe ishte shumë më tërheqës se ky “gardhirob” i akullt me gjëra me ngjyra brenda. Tek i vogli i vegjëlisë kishim vazhdimisht djathë, gjalpë, vezë dhe sallam, gjithashtu edhe reçel shtëpie. Këtu ka brokol, karrota, xhinxher, avokado, sallatë jeshile, panxhar të kuq, qepë të njoma, kungulleshka, domate dhe piperka. Të gjitha më duken njëra më e shpifur se tjetra. Më shkon mendja për një “rryqe buke” të shtruar mirë e mirë me gjalpë dhe një copë të madhe me djathë të bardhë, që ta ha si e haja edhe pas pjatës me gjellë, po nuk mund të ha dot. Në vend të djathit të bardhë ka “tofu”, që konkuron për vendin e parë mes të pështirave.

-          Po ç’pate që do të hash në mënyrë të shëndetshme tani, kur ke marrë të tatëpjetën? – pyes veten

Dhe kur mendohem thellë thellë, më duket vërtet paradoks, që unë, nip malësorësh nga Opari dhe Vakëfet, ku hahej vetëm mish “i rudë“ dhe  kur tiganiseshin vezët me gjalpë mbante erë tërë mëhalla, kam katandisur të ha “tofu”, se vallaha të bën mirë për qarkullimin e gjakut. E si mund të të qarkullojë gjaku mirë, kur nuk ke kënaqësinë e të ngjyerit të bukës së bardhë në gjalpin pak të djegur dhe më pas në të verdhën e vezës! Pa le të kishe para një tigan plot me oshmare.

Unë po i dërgoj sinjale të gabuara trurit, sistemit limfatik, pa le florës së zorrëve, që është çorientuar plotësisht nga këto prodhime që i has për herë të parë pas 60 e kusur vitesh. U trullosën bakteriet e shkreta se nuk dinë se nga ju vjen e keqja. Mikroorganizmat e gjora!  Xhinxher, tofu, boronica, pordhë me rigon!

Tani që mund të haje tërë lezet copkat e fundit të pastërmasë, ca cigaridhe të mbetura dhe një copë kasher të mbytyr në gjalpë në tigan! C’ne unë karkalecë deti! Për herë të parë kam ngrënë kur isha student në restorant “Peshku” në Tiranë dhe m’u dukën si krimba! Midhje të zjera ala New Brunswick! Të tjera gjëra të palezeçme, që mund të hahen një herë në 6 muaj, kur të është mërzitur mishi i shqerrës.

E ndjej që po humb identitetin dhe më është lëkundur edhe ndjenja patriotike. Se nuk të kap ai damari patriotik për t’ja “u lëruar” tërë fqinjëve shovinistëve po mos jesh darkuar mirë me mish me pilaf dhe ndonjë ëmbëlsirë të mirë. Si do e mbrosh atdheun kur ke ngrënë xhinxher, e djegura e të cilës të ndjek pas edhe tre-katër ditë.

Të ngrënit e “shëndetshëm” me siguri e kanë shpikur masonët, Iluminati dhe tërë këto grupet e fshehta që kontrollojnë botën për të dobësuar ndjenjat patriotike. As më shkon në mendje për Asociacionin e komunave serbe, tani që po ha nga këto gjërat e shpifura. Nuk revoltohem dot as ndaj padrejtësive!

Ja bëra vetë gojës, stomahut dhe kokës!

Mos e bëni gabimin tim ju, të pakëtit lexues besnikë të blog-ut!

No comments:

Post a Comment