Dje është vrarë nj burrë, që mezi shtynte ditët e tij dhe të familjes duke punuar natën. Nuk ishte punonjës i “gjigandit” të Medias, por punonjës i një firme private rojesh nga ato, që i quajnë me emrin e madh “Security” dhe që ju japin rojeve edhe më pak se 300 mijë lekë. Nuk ju kanë as të siguruar jetën në rast se vriten. Shumë nga këta punonjës, që gdhihen e ngrysen në diell dhe shi, shpesh herë punojnë edhe më shumë se 10 orë për të njëjtën pagë. Sepse është e vështirë të gjesh punë në Shqipëri kur I ke kaluar të 50-tat.
Dy javë më parë ishte vrarë një banakiere, që ndoshta
paguhej edhe më pak. E kishte vështirë të paguante qeranë e shtëpisë.
Për këta viktima duhet të vihet kuja nga e gjithë shoqëria
dhe jo për sulmin ndaj TOP-it. Nuk ishte një sulm për të terrorizuar mediat.
Ishte një sulm për të terrorizuar pronarët e saj, për afera , që nuk kanë
shkuar mirë.
Ka qëlluar, që këto ditë, qeveria vagabonde e Edi Ramës ka
sulmuar Hysenbelliun e një tjetër media televizive dhe të shkruar. Edhe pse është
e turpshme, që qeveria përdor arbitrarisht forcën e saj për hesape personale
politike unë nuk jam as në anën e Irfanit.
Mediat e mëdha
shqiptare kanë vite, që kanë dhënë prova se janë pjesë e një makine të shëmtuar
politikë-biznes-krim, që si rrjedhojë do ketë edhe ngjarje të tilla të shëmtuara.
Nëse fle me qentë do gdhihesh me pleshta. Dhe pa ditur në
hollësi se ç’prapaskena ka bërë Vjollca e TOP-it, dihen fare mirë lidhjet e
Hysenbelliut me Metën dhe me plot maskarenj të tjerë të botës së mbidheshme dhe
të asaj të nëndheshme shqiptare. Edhe gjuha e përdorur prej tij në intervistat
e javëve të fundit ishte gjuha e një njeriu ordiner të pasuruar vetëm duke bërë
lloj lloj horrlliqesh.
Rastësisht gjatë këtyre ditëve është bërë publike edhe një
bisedë e gazetarit të Bolinos, Adriatik Dostit, që dëshmon se si funksionon
media shqiptare në shërbim të pushtetit dhe të bandave duke vënë gjoba. TOP-i i
Vjollca Hoxhës ishte mbështetës i incerenatorëve, ndërsa Ben Blushi (atë kohë
drejtues i tij) ka qënë përfitues i drejtpërdrejtë nga bizneset e fëlliqura të
djegësve të plehrave.
Për të gjitha këto arsye sulmi i botës së krimit ndaj një
ose disa mediave nuk ishte i papritur. Ato kanë kontributin e tyre në krijimin
e një situate të tillë në Shqipëri, ku nuk je në gjendje të dallosh
politikanin, gjykatësin dhe gazetarin nga krimineli.
Por përsëri viktimat e vërteta janë ata, të cilët qëndrojnë
në shkallët e fundit të shoqërisë, si i shkreti roje, që humbi jetën i ndodhur
në zjarrin e mesazheve që këmbejnë kriminelët e fuqishëm. Për jetën e tij po
derdhin lotë krokodili, të gjithë ata, që nuk kanë asnjë dhembshuri për jetën e
njerëzve të të thjeshtë. Në të kundërt do kishin bërë diçka, që të dobëtit të
ndjehen më të sigurt në Shqipëri.
No comments:
Post a Comment