Salmoni , që hengra këtë ditë mes kreshmës sepse më binte erë shqerrë. Nuk kishte asgjë fetare as nga sakrifica e Abrahamit dhe as nga çdo rit tjetër judeo-kristian që lidhet me delet. Ndoshta nga që kisha kohë pa ngrënë proteina shtazore.
E hëngra peshkun i dëshëruar edhe pa e ditur se pse lejohej
këtë ditë, edhe pse nuk më bëhet vonë për Festën e Greqisë, që u arrit në sajë
të piratëve shqiptarë të ishujve të Egjeut. Eshtë një festë e rëndësishme për
Ballkanin se shënon fillimin e shturrjes së Perandorisë Osmane në trevat me
shumë popuj dhe me pak njerëz të mençur, por kur mban kreshmë nuk të hyn në sy
rëndësia e festës. Eshtë barku që dikton çdo gjë.
Asnjëherë nuk kam ditur pse festohet kjo ditë dhe përse
shkojmë vizita në ata që kanë emrat Vangjel, Vangjush, Van, Gjela, Gjeli, Gela
dhe Vançi. (Ky i fundit ka të ngjarë të rrjedhë nga emri Jovan dhe jo nga
Vangjel, por nuk prish shumë punë.)
Nuk ka shënjtor me emrin Vangjel, por kjo ditë është e rëndësishme
se shënon për Ortodoksinë ditën e Lajmit, që ëngjëlli Gabriel i dha Shën Mërisë
se do lindte një fëmijë, që për At kishte vetë Perëndinë. Një miku im, që është
militant ateist do refuzojë të hajë peshk këtë ditë pikërisht për të kundërshtuar
konceptin se Virgjëresha Maria mbeti shtatzënë nga Fryma e Shënjtë. Por ky është
problem i tij si dhe i të gjithë atyre , të cilët nuk hanë ashure për Sulltan
Novruz, ose mish qëngji Ditën e Pashkës, pikërisht se janë ateistë dhe se
bindjet e tyre nuk ju lejojnë, që të ndjekin ritet fetare.
Unë jo vetëm që i ndjek me përpikmëri “recetat ushqimore”, që
këshillohen nga traditat fetare, por ndjej që ato më bëjnë më pak patriot, më të
dhembshur dhe më të thjeshtë. Nuk më shkon mendja as për Revolucion, as për
Grusht Shteti, as për të shkuar vullnetar në luftë kundër Putin. Ndoshta këtë
kishte parasysh edhe Marksi, kur shkruante “feja është opium për popujt”. Dhe
gjëndja pasi pi opium është bajagi e këndshme thonë ata , që e kanë provuar. Unë
ende nuk kam patur guximin e nevojshëm për ta provuar.
Po le të kthehemi në peshku i Vangjelizmoit, që duhet të ketë
një lloj origjine në Mesdhe. Rekomandohet të haet bakalaro, por unë preferoj të
ha salmon. Ndoshta nga që salmoni është peshk që noton kundër rrymës. Peshk i vullnetshëm,
rebel dhe i vendosur dhe për më tepër edhe me goxha Omega 3. Por që këtë rradhë
se pse më mbante erë shqerrë. Ndoshta në subkoshiencën time , të çoroditur nga
pritja e ethshme e të Djelës së Pashkës, çdo ind shtazor më duket sikur është
prej deleje. (Peshku sikur nuk është shtazë.)
Nesër do i rikthehem kërpudhave, boronicave, xhinxherit,
spinaqit, kales, asparaguve, domateve dhe lakrave të Brukselit duke mbajtur
thellë në stomah kujtimin e bukur të peshkut të Vangjelizmoit.
No comments:
Post a Comment