Ndonëse burgun nuk e do kush, formula që po ngjizet në Shqipëri “Ca burg për shumë milion euro të vjedhura” nuk është ndonjë e keqe e madhe. Këtij fati i janë nënshtruar tashmë disa politikanë të karrierës, që kanë qënë deri ministra dhe tani janë duke vuajtur dënimin ose duke pritur në burg zhvillimin e gjyqit. Llogaritje me mendje po bëjnë edhe shumë politikanë të tjerë, të cilët e dinë se janë nën hetim.
Unë nuk jam për procese gjyqësore revolucionare, që shpien
politikanët në gijotinë, por ka diçka që cënon shumë funksionimin e ligjit në këtë
lloj proçedure standarte, që nuk shkon dot thellë në hetimin e krimeve të
kryera nga “jakat e bardha”. Ligjet kanë një arsye kryesore për të cilën
krijohen dhe kjo është mbrojtja e shoqërisë. Rrezikon që në Shqipëri të vazhdojnë të
kultivohen breza politikanësh me grykësinë për t’u pasuruar shpejt duke marrë
edhe në sy rrezikun “e keqja më e madhe nëse
kapemi është të bëjmë një vit burg”. Për më tepër mund të përdorësh edhe
justifikimet e zakonshme “mua më dënuan për
arsye politike” ose “i gjithë procesi
ishte i montuar politikisht”. Pas daljes nga burgu, ish nëpunësi i lartë
del i pasur dhe i nderuar. Mund të vazhdojë jetën si pjesë e elitës shqiptare.
Në vetvete, ndëshkueshmëria e lehtë dhe jo e plotë e “jakave
të bardha” i sjell më shumë dëme shoqërisë shqiptare se sa mosndëshkimi i hajdutëve
ordinerë. Ka shumë të ngjarë, që një pjesë e madhe e adoleshentëve më të mirë në
mësime, të motivohen për të “kapur” punë brenda administratës shtetërore, të
lidhur me politikën për tu pasuruar mirë kur nuk kanë arritur ende mesin e të
30-tave. Dhe kjo do të thotë të vazhdosh të kesh elita “të kalbura moralisht”.
Problemi në vetvete është kompleks dhe nuk lidhet vetëm me
mosfunksionimin e mirë të sistemit prokurori-gjykatë. Nuk lidhet as vetëm me
rolin e Ramës dhe Rilindjes së tij, si mundohen ta paraqesin kundërshtarët e
tij politikë. Ka shumë të bëjë me heshtjen e përgjithshme dhe pajtimin e shoqërisë
me këtë dukuri. Nga mediat e deri tek përfaqësuesit e universiteteve,
institucioneve shkencore etj., që nuk ngrenë zërin se shoqëria është duke
shkuar drejt një katastrofe që është zor të korrigjohet.
Cilët janë modelet për të rinjtë e shoqërisë shqiptare? Kujt
duan t’i ngjasin adoleshentët kur të rriten?
Edi Ramës, Ilir Metës, Shkëlzen Berishës, Belinda Ballukut,
Elisa Spiropalit, Zamir Manes, Aleksandër Frangajt, Grida Dumës, Monika
Kryemadhit, Erion Veliajt? Të gjithë emra të njollosur në mënyrë të pandreqshme
dhe që për fat të keq zenë faqet e të gjitha gazetave dhe ekranet televizive.
Shto këtu edhe Magjistaret dhe Gjonet, që ngrohnin dikur shtretërit e trafikantëve
të drogës dhe është më se e qartë se ç’farë modelesh ju ofrojmë fëmijëve dhe të
rinjve.
Diçka thellësisht e
gabuar duhet korrigjuar dhe për këtë nuk ka as ndërkombëtarë, që mund të të
ndihmojnë.
No comments:
Post a Comment