Wednesday, 1 March 2023

Indiferenca jonë gjatë Luftës së Dytë


Ne ishim vendi i parë europian, që u sulmua dhe u pushtua nga një vend i huaj në prill të vitit 1939, pikërisht në prag të Luftës së Dytë Botërore. E megjithatë, zyrtarisht  Lufta e Dytë nuk ka datën e pushtimit të Shqipërisë si datënisje, por ditën e sulmit të Gjermanisë ndaj Polonisë, arsye kjo e mjaftueshme, që Anglia dhe Franca t’i shpallnin luftë Gjermanisë.

Historiografia komuniste i ka mëshuar shumë faktit, që Anglia dhe Franca nuk ushtruan presion ndaj Italisë së Duçes për të mos lejuar pushtimin e Shqipërisë. Ripërsëritej në tekstet tona shkollore deklarata e kryeministrit anglez Cembërlen, që do shkonte për të peshkuar ditën kur u pushtua atdheu jonë. E gjitha bëhej për të krijuar urrejtje në popull ndaj anglezëve, të cilët nuk miratonin politikën antidemokratike që ndoqi Enver Hoxha pas luftës.

Duke e parë me paanësi, indiferencën në dukje të Anglisë ndaj aneksimin e Shqipërisë nga Italia dhe trajtimin thuajse të ngjashëm me aneksimin e Sudeteve nga Gjermania, duhet të kemi parasysh qëndrimin tonë ndaj pushtimit të mundshëm dhe pasi ndodhi. Mbreti Zog kishte vite, që edhe pse nuk ja kishte dhënë plotësisht çelësat e shtetit italianëve, ju kishte dhënë një çelës për të hyrë e dalë në gjithë “dhomat” e tij, në këmbim të mbështetjes personale politike. Ndaj një kaste drejtuese, që largohet nga vendi me thuajse gjithë thesarin e shtetit, nuk mund të ketë mbështetje të Fuqive të Mëdha. Zogu as u mundua të organizonte rezistencë ndaj pushtimit dhe as la në vend njerëz dhe mjete financiare për të organizuar një rebelim me armë në të ardhmen.

Nga ana tjetër, popullsia shqiptare pa ndonjë patriotizëm të flakët, qoftë nga ekzistenca vetëm 20 vjeçare e shtetit shqiptar, apo nga përçarjet politike mes krahinave dhe komuniteteve, ishte përgjithësisht indiferente ndaj hyrjes së Italianëve. Kjo edhe për faktin, që shumë patriotë armiq të Zogut, që ishin në Europë u kthyen me pushtimin italian dhe morrën poste në administratën e shtetit  “Mbretëri të Italisë dhe Shqipërisë dhe Perandori e Etiopisë“. Ishin të shumtë nëpunësit shqiptarë që hynë në Partinë Fashiste Shqiptare, madje edhe shumë të tjerë, që punonin në sektorin privat, por mendonin se anëtarësia mund t‘i ndihmonte të kishin privilegje në veprimtaritë e tyre ekonomike.

Ndaj gjatë gjithë vitit 1939 dhe pjesës më të madhe të vitit 1940, në Shqipërinë e pushtuar nuk kishte asnjë përpjekje të të armatosur kundër italianëve. Shtresat e pasura të popullsisë po shijonin një lulëzim ekonomik të asaj kohe dhe shtresat e varfërap o gjenin më shumë mundësi për të punuar. Eshtë pikërisht lufta italo-greke, që ve në lëvizje anglezët për të krijuar çeta të armatosura në Shqipëri, për të sabotuar prapavijën e ushtrisë italiane dhe për t’i ardhur në ndihmë ushtrisë greke. Kanë qënë ata , që të informuar nga jugosllavët financojnë krijimin e çetave të para “patriotike” të Gani Be Kryeziut, Haxhi Lleshit, Myslym Pezës dhe më vonë të Abaz Kupit. Asnjë grosh i shpenzuar nga Naltmadhënia e tij në Stamboll apo nga pasanikët vendas.

Popullsia shqiptare ishte përgjithësisht neutral ndaj konfliktit italo-grek. Kjo për shkak të kujtimeve jo të mira me grekët dhe Italianët gjatë Luftës së Parë. E megjithatë, disa batalione shqiptare ju bashkuan ushtrisë italiane dhe ishin pjesëmarrës në luftime. Vetëm në betejën në frontin e Korçës, që u mbyll me hyrjen e grekëve në Korçë në mesin e nëntorit të 1940, u vranë rreth 130 shqiptarë kryesisht mirditorë dhe të zonave të tjera veriore. Një fakt ky i mbajtur gjithnjë në heshtje, për shkak të “ruajtjes së pastër” të figurës së Shqipërisë Antifashiste. Shqipëria deri në vitin 1942 nuk ishte as Fashiste dhe as Antifashiste. Ishte një vend thuajse indifferent ndaj luftës dhe i ndjekur edhe nga indiferenca e Fuqive të Mëdha.

(vijon)

No comments:

Post a Comment