Wednesday, 8 March 2023

70 vjet më parë

 

70 vjet më parë, më 5 mars vdiq Stalini.

Stalini ishte më pak mizor se Lenini, por ndenji një kohë shumë më të gjatë në pushtet.

Në pushtet ndenji gjatë edhe sho Enver, që vrau sipas modelit Stalinist, por nuk shkaktoi vdekje masive nga uria.

Nga uria po vdesin me mijëra në Kore, që është modeli Stalinist më aziatik.

Aziatikë ishin edhe modelet kineze, vietnameze, laosiane, por më i egri ishte i Pol Potit.

Pol Poti krijoi sistemin e gërshetuar të internacionalizmit proletar me nacionalizmin më ekstrem.

Nacionalizmi ekstrem i Hitlerit u tejkalua nga nacionalizmi i kuq kamboxhian.

Nacionalizmi i kuq kamboxhian ishte një dëshmi më shumë e rrezikshmërisë së aplikimit të marksizmit në vende feudale.

Vend feudal ishte dhe Shqipëria ndaj pati edhe diktaturën komuniste më të egër në Europë.

Europa Perëndimore e shpiku marksizmin, por ja u “shiti” vendeve të prapambetura të Lindjes.

Vendet e prapambetura të Lindjes nxituan të hiqnin qafe mbretëritë për t’i zëvendësuar me tiranë.

Tirania ka mbetur ende një model udhëheqjeje në shumë vende europiane me shoqëri të pazhvilluara.

Shoqëritë e pazhvilluara e kanë shumë të vështirë të përputhen me sistemin demokratik.

Sistemi demokratik në historinë e Njerëzimit asnjëherë nuk ka qënë sistem thuajse i përkryer.

Sistem thuajse i përkryer mund të funksionojë vetëm kur ka liri për të gjithë dhe çdonjë.

Liri për të gjithë dhe çdonjë ka vetëm në botën e të vdekurve.

Në botën e të vdekurve shkoi 70 vjet më parë Josif Visarianoviç Cugashvilli.

No comments:

Post a Comment