Friday, 23 July 2021

Peshku tek Voda, tigani me vaj te nxehtë në SPAK


Një miku im në Itali më akuzon se unë jam xhusticialist(giustizialista), që pak a shumë më kualifikon si një njeri që mendon për funksionimin e shpejtë të drejtësisës, të themi si në kohën e Diktaturave. E vërteta është shumë më larg, se jo vetëm mendoj që Drejtësia duhet të ndjekë rrugën e saj normale, si në sistemin anglo-sakson, por jam edhe për shmangien e dënimeve maksimale, sidomos në rastin e krimeve jo të dhunshme.

Por nuk ka shumë rëndësi se ç’mendon miku im për mua dhe se ç’mendoj unë për veten dhe funksionimin e sistemit të Drejtësi, pasi as ai dhe as unë nuk kemi gjë në dorë, se jemi jashtë këtij sektori. Unë ndikohem në mendimet e mija nga funksionimi i sistemit të Drejtësisë në Amerikë dhe në Kanada dhe si kam shprehur edhe në shkrime të tjera nuk kam besim tek sistemi i Drejtësisë Shqiptare për shkak të mungesës së traditës, nivelit shumë të ulët të shkollave juridike, si dhe mungesës së pavarësisë. Këto janë faktorët kryesorë, por edhe një tjetër i rëndësishëm është niveli i ulët kulturor i shoqërisë shqiptare, e cila në përgjithësi ende mendon se mënyra më e mirë për të ulur kriminalitetin është ndëshkimi i rëndë i fajtorëve.

Le të shohim arrestimet e fundit të SPAK-ut dhe reagimin e mediave dhe shoqërisë shqiptare për to. Janë arrestuar kryetari I bashkisë së Lushnjës me një tufë nëpunësish dhe një biznesmen për një tender kanali; një drejtoreshë prokurimesh në Ministrinë e Brendëshme me një tufë nëpunësish për një tender uniformash policie; një ish-zëvendër ministre për ndërhyrje për një vend pune në këmbim të një dhurate. Një pjesë e madhe e të arrestuarve janë në burg dhe nuk ju është ndryshuar masa e arrestit e propozuar nga SPAK. Asnjë nga të akuzuarit nuk ka kryer ndonjë krim të dhunshëm edhe pse kanë vjedhur në bashkëpunim fonde publike.

Rasti i Rovena Vodas është akoma më flagrant. Ajo akuzohet se ka marrë një dhuratë prej afro 3 mijë eurosh, ku përfshihet edhe një arkë me peshk e vlerësuar mbi ]mimin në treg. Eshtë absurd të mbash një njeri për një “krim” të tillë, nga natyra e krimit, nga masa e korrupsionit, nga rrezikshmëria e autores apo nga mundësia për të zhdukur provat. Peshku ose është ngrënë ose është qelbur ndaj tigani torturues me vaj të nxehtë i SPAK nuk ka asnjë vlerë! Edhe sikur të jetë e sigurt se Voda ka qënë e korruptuar dhe mund të nxjerrë edhe peshq të tjerë. Për mendimin tim ajo as duhet të ishte arrestuar për kaq.

Në media reflektohet zilia e njerëzve mendjengushtë shqiptarë rreth arsyeve shëndetsore , që po paraqesin të akuzuarit për korrupsion për të mos qëndruar në arrest në burg, por të ndiqen në gjendje të lirë. Eshtë dëshmi e qartë e prapambetjes së shoqërisë sonë, që kërkon vuajtjen për të korruptuarit në një kohë që shumica e saj është e korruptuar. Edhe pse mund të duket qesharake që Fatos Tushja tani rendit një sërë sëmundjes si zemra, diabeti, tensioni i lartë, gurë në veshka dhe majasëll për tu ndjekur në gjendje të lirë, kryetari i bashkisë së Lushnjës duhej që në fillim të ishte në arrest shtëpiak.

Nuk ka arsye që të gjithë ata që akuzohen për korrupsion të mbahen në arrest burgu. Natyra e krimit të tyre, pozita që kanë në shoqëri nuk duhet t’i shpjerë pas hekurave para se të dënohen në formë të prerë. Përjashtime mund të bëjnë vetëm rastet kur akuzohen për ndihmë ndaj krimit të organizuar, por deri tani SPAK nuk ka akuzuar asnjë prej tyre për këtë lloj krimi.

Shoqërisë shqiptare nuk i vlen ky lloj xhusticializmi, që të kujton kohët e: “merri plasi brenda se atje pastaj e tregojnë edhe qumështin e nënës”. Eshtë kthim pas në konceptet e demokracisë, tolerancës dhe të pandehjes së pafajësisë.

“Vaji i nxehtë“ i SPAK , që po përvëlon tani Vodan dhe Tushen po djeg edhe atë pak shpirt të tolerancës së shoqërisë shqiptare.


Shenim: Avokati im ne Gjermani nuk ka ndikuar ne perpilimin e ketij shkrimi

2 comments:

  1. Edhe pse nuk ka ndikuar, duhet te jete ne nje mendje :-)

    ReplyDelete
  2. Ju Uknown e njihni avokatin tim ne Gjermani?

    ReplyDelete