Mëngjes i ndryshëm i së shtunës
Dje pashë dy meshkuj,
Të
shkuar në vite.
Shikoheshin ëmbël,
Duart kryqonin,
Përkëdhelnin,
Prekeshin
Dhe psherëtinin “o zemër!”
Pastaj filluan të puthen me zjarr
Në mëngjesin e së shtunës
Në dritën e diellit
Më tej,
Në
trotuar.
Djalli ta marrë!
S’më duhet me kë jinni natën;
S’më hyn në punë se me kë flini.
Më lini mëngjesin e pranverës
Të thith këtë erë blini!
Nga ju nuk kam frikë, as bezdi.
Më dhimbseni, kur ju godasin;
Nuk
dua t’ju shoh në paradë;
S’dua të di përse nuk ngjasim;
Urrej
ata që ju vrisnin në rradhë!
Po lini mëngjeset për vajzën e brishtë,
Që puth djaloshin në qiell të hapur.
I lini muzgjet veç për të rinjtë
Le të shëtisin pas belit kapur!
Mos ma përzjeni
Këtë
vesë agimi,
Që dua luleve t’ju rrëmbej.
E di që shum’ krenarë jini
Kur thoni hapur:
-Ne
jemi gay!
Poezinë e mësipërme e kam shkruar para 15 vjetësh dhe është
botuar në përmbledhjen “Endem”. Ka qënë një përcjellje ndjenjash të një mëngjesi
në St.Catharines, pasi pata parë dy burra që përqafoheshin e putheshin buzëve.
E përfshiva edhe në librin tim duke ditur se i përkiste një teme delikate,
rreth të cilës opinionet janë të ndryshme. E megjithatë më mbetej një dyshim se
dikë kisha lënduar pa të drejtë.
Disa vite më vonë, rastësisht qëllova në zonën e Torontos ku
bëhej “parada e krenarisë“ dhe edhe pse nuk i pëlqej përgjithësisht paradat, se
më kujtojnë ato “famëkëqijat” tona të 1 majit vura re homoseksualët që ecnin
trotuareve, të përqafuar me njëri tjetrin, disa edhe të dehur, por me një shkëlqim
gati prej të marrësh në sy. Mu dhimbsën! Kisha kohë që mendohesha më shumë
rreth tyre, lexoja edhe në shtyp rreth opinioneve pro dhe kundër për martesat,
për adoptimin e fëmijëve, për t’ju njohur të gjithë të drejtat dhe arrita të
kuptoja se përse e kisha shkruar atë poezi.
Ndoshta një “përzjerje” të ngjashme do kisha patur edhe po të
shihja një çift 50 vjeçarësh(burrë e grua), që putheshin në publik, por nuk do
kisha shkruar rreth tyre. Ishte pikërisht ajo që dilte nga “normalja” e
mentalitetit tim të kufizuar, që më bëri t’i kushtoja më shumë vëmendje.
Tani mendoj se është pikërisht kjo deklaratë “jemi normalë
edhe pse në pakicë“, që donin të jepnin dy mesoburrat që putheshin në trotuar.
Eshtë e njëjta deklaratë edhe pse e shoqëruar me shumë ekzibicionizëm, që duan
të japin pjesëmarrësit e “paradës së krenarisë“. Ndriçimi i marrë në sytë e gjithë atyre
homoseksualëve të ardhur nga shumë vende të Kanadasë në Tornto për paradën,
ishte shkëlqimi i njerëzve që vuajnë shumë nga homofobët, nga injoranca, nga
njerëzit që urrejnë gjithkënd, por dhe nga të moskuptuarit e njerëzve si unë.
Nuk njoh ende nga afër ndonjë gay qoftë mashkull apo femër dhe aq më pak transgjinorë, të cilët
janë më të rrallë. Kam këmbyer disa biseda me dy banakierë të një kafeneja ku
shkoja rregullisht, por nuk ka qënë ndikimi i tyre në pranimin tim të një
“normaliteti më gjithpërfshirës”. Jam menduar më shumë, kam lexuar më shumë dhe
mbi të gjitha kam vendosur vehten në vendin e prindërve të tyre. Si do veproja
me fëmijët e mij? Do i quaja të sëmurë? Të ndikuar nga kultura perverte? Do i përbuzja?
Unë i kuptoj edhe bashkëmoshatarët e mij që sillen ndryshe
ndaj tyre, i përbuzin, i dënojnë dhe mundohen t’ju rrinë larg. Eshtë e vështirë
të ngrihesh mbi një botkuptim të formuar në breza të tërë, duke filluar nga
familja, kisha, xhamia, shoqëria, shkolla, shteti. Eshtë pjesë e jetës dhe
mentalitetit, që brendapërbrenda ndjehet i drejtë, i pastër, larg të keqes,
larg anormales. Por mentaliteti nuk duhet të të pengojë të mendosh. Nuk duhet të
të pengojë të vesh në dyshim ato që ke mësuar gjatë jetës. Nuk duhet të të
pengojë edhe t’i kesh të falur dikujt që e ke përbuzur. Edhe pa e kuptuar plotësisht.
Nuk mund ta ndryshoj atë që kam shkruar vite më parë. Nuk
mund t’ju kërkoj të falur atyre dy burrave që shkëndijuan ato vargje, por jam në
gjendje t’ju kërkoj ndjesë atyre që i kanë lexuar e mund t’i lexojnë në të
ardhmen. Dhe t’ju them –Unë u mendova më thellë!
No comments:
Post a Comment