Anekdota e vjetër, që ka si pjesë titullin e këtij shënimi, ka të bëjë me petat e sheqerit, por nuk di pse mu kujtua këtë javë pasi lexoj se në një valë arrestimesh në Shqipëri dhe gjysmat e të arrestuarave janë femra. Kam patur gjithnjë përshtypjen se gratë janë nga natyra më të ndërgjegjshme, më të disiplinuara në punë dhe më të përmbajtura , kur vjen fjala për të shkelur ligjin. Ende nuk jam i sigurt nëse kam qënë plotësisht apo pjesërisht i gabuar. Marrja e rryshfeteve është në masë edhe mes nëpunëseve gra në Shqipëri!
Nuk shkel barazinë e femrës me mashkullin, kur them se
korrupsioni i nënave, bijave, motrave dhe gjysheve tona është ku e ku më i rëndë
se korrupsioni i burrave moskokëçarës të Ballkanit. Fjala është për ndikimin që
ka në shoqërinë shqiptare. Nëse tradicionalisht burrat kanë qënë pjesa e
popullsisë më e përfshirë në krime, më aventureske, më e gatshme të përballet
me drejtësinë deri atje sa në zona të caktuara ishte në fuqi shprehja “burgu për
burrat është“, femrat shqiptare ishin ekuilibrueset e shoqërisë me kujdesin e
tyre për mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve, me përmbajtjen dhe fanatizmin për
të ruajtur moralin e familjes, me frenimin e adoleshentëve meshkuj për të bërë
marrëzitë që zakonisht bëhen në një shoqëri maskiliste.
Një nënë që sjell vazhdimisht të mira materiale në shtëpi,
kur dihet se punon si nëpunëse në një Ministri me një rrogë modeste, para se të
shkelë ligjin ka shkatërruar fëmijët e saj, të cilët e dinë mirë se këpucët e
shtrenjta, telefonin e zgjuar apo makinën nuk mund ta blerë rroga e saj. Edhe
pa shkuar para drejtësisë dhe përfunduar në burg, ajo ka dënuar veten dhe
familjen e saj.Nuk mund të sjellë veç të këqijave një nënë, të cilët fëmijët e
dinë se siguron të ardhura duke shkelur ligjin.
Nuk ka aspak rëndësi nëse arrestimet e fundit nuk kanë
prekur “peshqit-meshkuj e mëdhenj”, por janë përqëndruar vetëm në nëpunësit e
dorës së dytë, një pjesë e të cilëve janë femra. Ajo që është e rëndësishme, e
dhimbshme dhe gati e pariparueshme është korrupsioni në masë i femrave
shqiptare, që do i rëndojë Shqipërisë edhe për dy breza të tjerë. Të rinjtë që
kanë nevojë të drejtohen në figura të fuqishme morale për t’I patur si model
nuk do kenë se ku edhe për disa dhjetvjeçarë dhe do shikojnë me dyshim çdo nëpunëse
të institucioneve qeveritare duke patur në mendje pyetjen:
“Ene ti none e ha…?”
No comments:
Post a Comment