(vijim)
Ruajtja e trashëgimisë
arkitekturore
Gjatë dhjetvjeçarit të fundit është bërë shumë zhurrmë rreth
ruajtjes së traditës në arkitekturë dhe sidomos rreth mbrojtjes së monumenteve
me vlerë arkeologjike, historike dhe arkitekturore. Fakti që përgjithësisht
problemet janë diskutuar në një mënyrë të ngjashme me rrjeshtimin politik i ka
ulur profesionalizmin dhe besueshmërinë debatit. Një diskutim i zjarrtë u bë për
prishjen e Piramidës dhe ndërtimin në atë vend të Parlamentit shqiptar. Edhe
pse qëllimi i objektit pat qënë një Memorial për Enver Hoxhën, Piramida ishte
një objekt interesant i arkitekturës shqiptare dhe mund të merrte çdo lloj
funksioni nëse restaurohej dhe nuk lihej të degradonte si kishte ndodhur në
fillimin e këtij shekulli. “Të djathtët”(përfshi
këtu edhe arkitektë) që ngulnin këmbë për prishjen e Piramidës, u bënë partizanë
të zjarrtë të mbrojtjes së Teatrit Kombëtar, një kompleks me vlera shumë të ulëta
arkitekturore. “Lufta”, e cila ka shkuar deri në nivelet e larta të gjyqësorit
shqiptar nuk ka të bëjë aspak me arkitekturën dhe as me trashëgiminë kulturore,
si pretendojnë ithtarët e ruajtjes (tani të rindërtimit) të teatrit.
Zigzage ka pasur në trajtimin e vlerave të arkitekturës
popullore, me lëkundje nga prishja e monumenteve deri në vendosjen e kritereve
tepër të rrepta në zona të tëra, ku vlerat arkitekturore janë modeste. Të
gjitha kanë pasur pikënisje korrupsionin e pushtetarëve lokalë, por dhe të
atyre që kanë përgjegjësinë e mbrojtjes së monumenteve arkitekturore, si dhe të
arkitektëve. Në periudha të caktuara dhe në qytete të caktuara, në varësi të
cilit grup kontrollonte ndërtimet ndodhnin prishje të monumenteve, ose e kundërta,
që mbroheshin zona pa vlerë vetëm për të pasur monopolin e firmave në dy tre
persona.
Dëmtimet më të mëdha të arkitekturës tradicionale kanë ndodhur në Gjirokastër, Berat, Durrës, por edhe në Shkodër e në Korçë. Dhe dëmi më i madh arkitekturës së traditës i ka erdhur nga centralizimi i tepruar në Institutin e Mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës. Pavarësisht nga korrupsioni i pushteteve vendore, vendasit janë gjithnjë më të prirur për të mbrojtur vlerat arkitekturore në qytetin apo fshatin e tyre. Në mënyrë të çuditshme gjatë dhjetvjeçarit të fundit rreth problemeve të këtij karakteri dëgjoheshin vetëm Lame, Shkreli dhe Tare, dy prej të cilëve nuk janë as arkitektë dhe as specialistë të ndërtimeve të traditës apo arkeologjisë. Padyshim që faji nuk është i tyre, por i gjithë bashkësisë së arkitektëve dhe studiuesve të arkitekturës, të cilët ndjeheshin rehat duke mos u ndjerë për këto problem të mëdha. Një gjë e tillë pasqyrohet edhe në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë ku nuk ka asnjë antar të saj me profesionin e arkitektit. Dhe vetë Akademia ka pranuar si anëtarë të saj një shkrimtar dhe një poet, të cilët nuk kanë as ndonjë përvojë në jetën universitare. Por përsëri nuk është faji i Akademisë, që vetë arkitektët nuk janë në pararojë të mendimit dhe diskutimit rreth problemeve të urbanistikës dhe arkitekturës.
Duke ju kthyer edhe një herë përplasjeve rreth Piramidës,
Stadiumit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar, mosbëzania e arkitektëve apo
rrjeshtimi i tyre në krahët e politikës pa diskutuar në parime thjesht
profesionale, ka bërë që diskutimi të mbizotërohet nga argumentat absurde të
joprofesionistëve të të dy krahëve. Zëri i dobët i arkitektëve dhe mospërfshirja
në diskutime e Shoqatës së Arkitektëve lejoi ndërtimin e shumë të përfolurave
Kullës Vrojtuese të Korçës dhe Velierës në Durrës, projekte këto në kuadrin e të
ashtuquajturës Rilindja Urbane.
(vijon)
No comments:
Post a Comment